25 vjet krenari, guxim e besueshmëri me gazetën kombëtare “Bota sot”

Politika

25 vjet krenari, guxim e besueshmëri me gazetën kombëtare “Bota sot”

Nga: Bota sot Më: 26 qershor 2020 Në ora: 07:32
Gazeta "Bota sot"

Gazeta kombëtare “Bota sot”, shënon sot 25 vjetorin e themelit të saj, ndërsa rrugëtimi gjatë këtyre viteve ishte i mbushur si me sfida e vështirësi, ashtu edhe me guxim e krenari.

Besnikëria e ndërsjellë ndërmjet gazetës “Bota sot” dhe lexuesit të saj, na bënë që të jemi gazeta më e madhe në të gjitha trevat shqiptare, madje edhe në diasporë, sot e 25 vite.

Ishin vitet e 90-ta, kur gazeta kombëtare “Bota sot”, nisi hapat e parë të saj drejt informimit të saktë dhe të paanshëm.

“Bota sot” po përçonte mesazhe të fuqishme, po frymëzonte veprimin politik dhe rezistencën, për të ngritur përpara me kokën lartë vetëdijen e popullit për të kërkuar Liri, Pavarësi dhe Demokraci.

E përballur nga sulmet nga më të ndryshmet, rruga e gazetës “Bota sot’, e që ishte informimi i drejt dhe i paanshëm i qytetarëve, nuk u ndalë në asnjë moment, ndërsa, këtë frymë po vazhdon fuqishëm të ndjekë edhe sot.

Gjithmonë e sinqertë dhe gjithmonë e hapur për ata që më shumë se partinë, e duan kombin, "Bota sot" asnjëherë nuk e ndaloi lirinë e fjalës së çdo shqiptari të vërtetë. Përball furtunave, gazeta “Bota sot” aleatin e vetëm e kishte dhe vazhdon ta ketë vetëm lexuesin e saj.

Për nder të 25 vjetorit të gazetës, kanë folur disa bashkëpunëtor e lexues të “Bota sot”.

Zyrtari i LDK-së: “Bota sot” i mbijetoi luftës dhe pasluftës nga pseudo-patriotët

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bedri Nika, ka thënë se gazeta kombëtare “Bota sot”, për 25 vjet i dha opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar informacione të hollësishme në lidhje me problemet që preknin vendin dhe qytetarin.

Ai është i mendimit se “Bota sot”, është shtëpi e një informacioni të drejtë dhe të saktë.

“Gazeta ‘Bota sot’ është shtëpi e një informacioni të drejtë dhe të saktë. Për 25 vjet, gazeta kombëtare po i jep opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar informacione të hollësishme në lidhje me problemet që prekin vendin tonë, por edhe për zhvillimet që po përjetojnë shqiptar përgjithësi, dhe veçanërisht Kosova”, ka thënë zyrtari LDK-së, në 25 vjetorin e themelimit të saj.

Nika shprehet po ashtu se gazeta kombëtare “Bota sot”, përkundër problemeve të vazhdueshme me të cilat u përballë gjatë këtij rrugëtimi të gjatë, kjo e fundit i mbijetoi edhe luftës dhe pasluftës nga pseudo-patriotet në kohë.

Në fund, zyrtari i LDK-së i ka uruar themeluesit dhe gjithë gazetarët, kulminacionin e suksesit.

“Gazeta kombëtare ‘Bota sot’, i mbijetoi luftës dhe pasluftës nga pseudo-patriotet në kohë, dhe tani, për mendimin tim, është mediumi më i besueshëm midis shqiptarëve. I uroj gazetës kombëtare ‘Bota sot’ kulminacionin e suksesit në media”, ka thënë në fund Nika, për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: “Bota sot”, zëdhënëse e shqiptarëve për liri

Bashkëpunëtori dhe analisti i njohur politik Skender Zogaj ka thënë më rastin e 25 vjetorit të themelimit të gazetës se Gazeta "Bota sot" është padyshim trashëguesja më e denjë e veprimtarisë informatave të traditës më të mirë në përmasën kombëtare, sepse, është themeluar në kushtet dhe rrethanat më të rënda të okupimit të Kosovës, kur pushtuesi serb është përpjekur që ta gulfasë jetën e shqiptarëve, duke i fshehur krimet monstruoze.

“Gazeta "Bota sot" është padyshim trashëguesja më e denjë e veprimtarisë informative të traditës më të mirë në përmasën kombëtare, sepse, është themeluar në kushtet dhe rrethanat më të rënda të okupimit të Kosovës, kur pushtuesi serb është përpjekur që ta gulfasë jetën e shqiptarëve, duke i fshehur krimet monstruoze! "Bota sot" pikërisht në këtë kohë ka marr guximin që të bëhet zëdhënëse e shqiptarëve të Kosovës duke denoncuar barbarinë e hegjemonisë serbe, dhe duke shprehur të vërtetën për shqiptarët dhe aspiratën e tyre për liri!  Prandaj, kontributi i gazetës "Bota sot" në  prag të luftës dhe menjëherë pas luftës, ka qenë i rëndësisë historike, sepse kjo ishte gazeta e vetme me platformë të pastër idealiste kombëtare, me përcaktim demokratik dhe pro-perëndimor, gjë që, kontributi i saj ka qenë i jashtëzakonshëm edhe në denoncimin dhe luftimin e mbeturinave ideologjike komuniste! Të gjitha këto e stolisin jubileun e 25-vjetorit të gazetës, e cila duhet të vazhdojë të jetë tribunë e fjalës dhe mendimit të lirë, që mbështesin të vërtetën dhe të drejtën, si vlera të shenjta, në mbrojtjen e të cilave, gazetarët e "Bota sot" kanë sakrifikuar edhe jetën” ka thënë ai.

Zogaj po ashtu ka jep edhe një mesazh për punën dhe drejtimin që gazeta “Bota Sot” duhet ta mbaj.

“Duke qenë njëri nga bashkëpunëtorët e saj të brendshëm, me ndjenjat më të mira shpreh urimet më të sinqerta për 25-vjetorin gazetës, duke rikujtuar se "Bota sot" duhet të mos harroj profilin e saj të veçantë informativ kombëtar, që nuk guxon të oscilojë dhe bie nën ndikimet politikaneske të grupeve parakaluese, që anashkalojnë interesin kombëtar! "Bota sot" duhet të jetë gazetë e profesionizmit intelekrual dhe të qëndroj sa më larg injorancës! Emrat e mëdhenj elitarë të fushave të ndryshme e duan këtë gazetë dhe kjo duhet të bëjë çmos që ata ti ketë të përhershme në faqet e gazetës” ka thënë bashkëpunëtori dhe analisti i njohur politik Skender Zogaj.

Ai ka thënë se kjo gazetë ka merita të jashtëzakonshme në informimin e drejtë dhe të saktë të idealeve të pastra demokratike.

“Gazeta "Bota sot" është sinonimi i përpjekjeve të lavdishme liridashëse të popullit shqiptar të Kosovës, sepse, kjo gazetë ka lindur në kulmin e egërsimit të  okupatorit serb,  duke përhapur fuqishëm dhe guximshëm kushtrimin e lirisë! Bota sot pa dyshim ka merita të jashtëzakonshme për informimin e drejtë dhe të saktë, të idealeve më të pastra demokratike, prandaj, me të drejtë është quajtur dhe e ka arsyetuar epitetin e gazetës kombëtare”, vlerëson Zogaj.

Njohësi i ҫështjeve politike dhe ish bashkëpunëtori i Presidentit historik, Ibrahim Rugova,  e vlerëson rolin e “Bota sot” në kohën e pas luftës, duke mos iu trembur bandave kriminale, që ia vranë bijtë dhe bijat më të mira.

“Sidomos, është i rëndësisë historike roli i Botës sot, menjëherë pas luftës, kur kjo gazetë nuk iu tremb bandave kriminale, të cilat, rrejshëm,në emër të meritave të luftës, në mënyrë të organizuar dhe tepër agresive, po i shkaktonin dëme të mëdha vendit dhe popullit, duke ia vra bijtë dhe bijat më të mira dhe seriozisht duke penguar realizimin e shtetformimit!”, vlerëson ai.

Zogaj thotë tutje se ndihet krenar që dikur ka qenë pjesë e stafit të “Bota sot”. Madje, duke qenë si i tillë, Skender Zogaj ka edhe disa këshilla për gazetën, duke thënë se ‘kjo gazetë më mirë është të bëhet qiri i fikur se sa i fëlliqur’.

“Pra, Bota sot ishte gazeta frymës së atdhetarisë së pastër demokratike, dhe, si e këtillë, në 25 vjetorin e saj, ndjehem krenar që, kam pasur rastin të jem pjesë e stafit të saj, në ditët e zhvillimeve më dramatikdhe! Duke qenë se e ndjej si gazetën time, nuk mund të mos e theksoj se, Bota sot nuk guxon të ndryshoj kursin e saj informativ, nuk guxon të luhatet dhe të harroj profilin e veçantisë së vet, sidomos ideologjik, siç janë duke vepruar pjesa dërmuese e medieve kosovare, të cilave u mungon koncepti redaktorial dhe platforma informative, prandaj, s'janë tjetër veçse servise shërbyese! Kjo është e tmerrshme prandaj uroj që kjo të mos i ndodh gazetës kombëtare Bota sot, sepse kjo gazetë më mirë është të bëhet qiri i fikur se sa i fëlliqur! Koha e krizës aktuale kalon dhe gjurmët mbesin! Dinjiteti kushton, por reflekton nder e krenari, që uroj t'i ketë përgjithmonë gazata Bota sot”, thekson analisti Skender Zogaj.

Prof. Enver Bytyçi: Shpirti i gazetës “Bota Sot” i ka rrënjët te rugovizmi! Ndaj dhe kjo gazetë nuk vdes kurrë!

Profesori Enver Bytyçi thotë se pavarësisht kushteve, Bota sot e ruajti primatin, duke arritur mbi 1 milion lexues në ditë.

“Gazeta “Bota Sot” e shtoi edhe një vit tjetër në rrjedhën e saj historike. Hyrja në dekadën e tretë i ka dhënë asaj dimensione të reja. E ka bërë më solide, më të lidhur me të vërtetën, me atdheun e kombin dhe më të ndjeshme ndaj intrigave dhe tradhtive që mund ta dëmtojnë Kosovës, Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtë vit asaj iu desh të përballonte edhe trysninë e Covid-19. Për arsye të Covid-it të ndalojë përkohësisht botimin e saj në print. Megjithatë gazeta “Bota Sot” edhe në kushtet e tilla e ruajti primatin e saj. Gjatë periudhës njëditore e rriti numrin e lexuesve në mbi një milion, duke u bërë ndër të paktat media shqip me një numër kaq të madh lexuesish”, është shprehur ai.

Sipas tij, ajo dallohet nga të tjerat sepse nuk u ndal asnjëherë për respektimin e disa parimeve, u themelua dhe rrit me filozofinë e Ibrahim Rugovës, “Bota Sot” ishte dhe mbetet modeli i respektimit të rugovizmit.

“Gazeta “Bota sot” dallohet në mesin e motrave të saj, sepse nuk u ndal asnjëherë për respektimin e disa parimeve fort të dallueshme. Ajo u themelua dhe u rrit me filozofinë e Ibrahim Rugovës. Nuk ndaloi asnjë moment së respektuari dhe aplikuari këtë filozofi, ku gërshetohet idealja me realen, demokracia me patriotizmin, liria me respektin për lirinë e të tjerëve. “Bota Sot” ishte dhe mbetet modeli i respektimit të rugovizmit edhe për vetë partinë e themeluar nga presidenti Historik i Kosovës. Dhe të mbështetesh te rugovizmi, do të thotë se ke dëshmuar gjithçka në fushën e moralit, politikës, civilizimit dhe kulturës qytetare. Në këtë kuptim Kosova dhe shqiptaria përmes gazetës “Bota Sot” ka marrë pjalmin e asaj se si shoqëria shqiptare mund të ngrihet në nivelin e kulturës së qytetërimit modern bazuar te tradita nacionale”, ka vlerësuar ai.

Bytyçi ka shtuar se “Bota sot” i mbetet besnike linjës së saj editoriale, pa u bërë vegël dhe shërbëtore e intrigave.

“Në një vëzhgim empirik krahasues i kësaj gazete me mediet e tjera të shkruara dallon se “Bota Sot” i mbetet gjithnjë besnike linjës së saj editoriale, pa u “shkalafit” sa majtas e sa djathtas, pa u bë vegël dhe shërbëtore e paskrupullut e intrigave dhe kulisave, sidomos kur ato thuren kundër shtetit dhe kundër Kosovës e kombit shqiptar! Shkaku i kësaj qëndrueshmërie kjo gazetë i ka lexuesit të qëndrueshëm, gjithnjë në shtim të tyre. Shkaku i kësaj koherence dhe zbatimit të këtij parimi “Bota Sot” ka ekzistuar edhe në kohët më të vështira të saj, pa donacione të fondacioneve antishqiptare e proserbe. Madje ajo mund të konsiderohet si gazeta më e vjetër e “mbetur gjallë””, ka theksuar profesori.

Ai përmend gazetarët e vrarë të gazetës, derisa thotë se hakmarrja e pushtetit ndaj kësaj gazete e ka burimin pikërisht te kocka e pathyeshme që “Bota Sot” mbart në trupin e saj të shëndoshë, duke shtuar faktin se gazeta i ka bashkëpunëtorët më jetëgjatë dhe se ajo nuk vdes kurrë.

“Por shkaku i qëndrueshmërisë dhe mos-devijimit nga parimet bazë editoriale të deklaruara që në botimin e saj të parë, “Bota Sot” ka kapërcyer nëpër një kalvar të gjatë persekutimesh dhe privimesh, duke iu nënshtruar gjobave politike e deri mbylljes së saj të përkohshme. Hakmarrja e pushtetit ndaj kësaj gazete e ka burimin pikërisht te kocka e pathyeshme që “Bota Sot” mbart në trupin e saj të shëndoshë! “Bota Sot” ka numrin më të madh të gazetarëve të saj të vrarë e persekutuar në historinë e shtypit dhe medies pan-shqiptare. Dhe kjo ka ndodhur, sepse idealizmi i politikës editoriale është ndërthur me idealizmin e redaksive, gazetarëve, kolumnistëve dhe bashkëpunëtorëve të saj. Kushdo që do ta studiojë historinë e shtypit shqiptar në Kosovë e më gjerë, do të dallojë se “Bota Sot” i ka bashkëpunëtorët e saj më jetëgjatë në mesin e të gjitha gazetave tjera. Shpirti i gazetës “Bota Sot” është i identifikuar me shpirtin e kombit shqiptar. Prandaj ajo jeton dhe do të jetojë gjatë. Nëse nuk vdes shpirti, edhe i një gazete, kurrë nuk vdes emri dhe vepra e saj”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi.

Shahu: Gazeta “Bota sot” mbetet shkolla e gazetarisë së guximit

Bashkëpunëtori që për kohë të gjatë ka shkruar për “Bota sot” dhe vazhdon ende është Rexhep Shahu, që gazetën “Bota sot” e vlerëson si dritaren më të madhe të shtypit të lirë kombëtar, tribunën më të rëndësishme të mendimit politik kombëtar dhe si gazetën më të pavarur.

“Gazeta Bota sot për mua ka qenë dritarja me e madhe e shtypit të lirë kombëtar, tribuna me e rëndësishme e mendimit politik kombëtar, gazeta më e pavarur dhe jo pushkë me leje në dore pushkataresh komuniste, titiste, enveriste, që ndikohen nga Serbia. Unë kam gjete hapësirë në këtë gazetë si askund tjetër, kam shpalosë figura dhe histori të mrekullueshme pa censure”, shprehet Shahu.

Sipas tij, gazeta “Bota sot” mbetet shkolla e gazetarisë së guximit, e gazetarisë që atdheun e ka provë të së vërtetës dhe për atdheun e lirinë e Kosovës nuk bën asnjë kompromis.

“Bota sot edhe pse nuk më ka paguar, mbetet shkolla e gazetarisë se guximit, e gazetarisë që atdheun e ka provë të së vërtetës dhe për atdheun e lirinë e Kosovës nuk bën asnjë kompromis. Bota sot çdo njeriu i kujton Teki Dervishin që vazhdon tu bjerë këmbanave të alarmit kundër komunizmit. Bota sot mbetet gazeta antikomuniste dhe me dijeni ajo nuk lejon të depërtojë në faqet e saj asnjë enverist. Mburrem që kam shkruar për Bota sot që nga fillimi”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

Lexuesi S.H nga Diaspora: “Bota sot” ka qenë inspirim për mërgatën

Njëri ndër lexuesit e rregullt që nga themelimi i gazetës është S.H. i cili tregon gjithë kohën e kaluar duke lexuar gazetën “Bota sot”, lexuesi shprehët i mallëngjyer njëkohësisht shprehët që kjo gazetë ka qenë dhe do të mbetët më besnikja ndër të gjitha tjerat.

Lexuesi tregon korrektësinë që ka pasur dhe po vazhdon të ketë gazeta ndër vite dhe në përvjetorin e 25 të themelimit të saj uron të vazhdohet me këtë intensitet të të punuarit nga udhëheqësi I përgjegjshëm dhe stafit në veçanti.

25 vjet krenari, guxim e besueshmëri me gazetën  kombëtare “Bota sot”

Gazeta “Bota sot”: Çfarë ndikimi ka pasur gazeta “Bota sot”, para dhe pas luftës në informimin e bashkatdhetarëve për ngjarjet që zhvilloheshin në Kosovë?

S.H: Gazeta “Bota sot” ka qenë, është dhe do të jetë më besnike ndër të gjitha tjera, sa I përket informimit të drejtë rreth zhvillimeve që ishin duke u bërë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës, fal drejtorit të atëhershme dhe kryeredaktorit Emin Azemit dhe gazetarëve të asokohe.
Ishte pothuajse e vetmja gazetë informative në gjuhën shqipe që raportojë për ngjarjet që ndodheshin në Kosovë.

Gazeta “Bota sot”: Arsyen pse keni zgjedhur pikërisht të lexosh gazetën “Bota sot”?

S.H: Për ne, ka qenë inspirim kjo gazetë për t’u bashkuar rreth idealit për çlirimin e vendit tonë – Kosovës. Frymëzuese dhe ideale ka qenë kjo gazetë në gjuhën shqipe, na jepte shtytje edhe më të mëdha rreth organizimit të bashkatdhetarëve në diasporë.

Gazeta “Bota sot”: Sa mendoni që janë të interesuar të rinjtë në diasporë të lexojnë lajmet nga gazeta “Bota sot”?

S.H:  Edhe tash kjo gazetë, ky medium është I lexueshëm, qoftë në tirazh edhe qoftë online nga të rinjtë dhe të tjetër, sepse kjo gazetë paraqet lajme të vërteta dhe gjithmonë në kohë për të informuar lexuesit e saj, prandaj kjo gazetë mbetet më besnike ndaj lexueseve të saj.

Gazeta “Bota sot”: A mendoni që kjo gazetë ka pasur ndikim tek bashkatdhetarët në diasporë të mos e harrojnë gjuhën?

S.H: Padyshim, tek bashkatdhetarët në diasporë ka pasur ndikim të madh në ruajtjen dhe kultivimin e fjalës shqipe dhe mbante lidhjet e ngushta me vendlindje, pasi në atë kohë informimi për ngjarjet që ndodheshin në Kosovë për diasporën ishin shumë të rëndësishme dhe kjo gazetë përveç që na informonte na mbante një lidhje të ngushtë me ata që ishin në Kosovë e që ishin familjarë të shumtë.

Gazeta “Bota sot”: Cili do të ishte sugjerimi i juaj për bashkatdhetarët në Diasporë në raport me leximin?

S.H: Tani, çdo njëri nga ne, bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, përveç gazetave tjera në gjuhët e huaja, gazeta “Bota sot”, e ka vendin e vet meritor në mendjen tonë, sepse jemi të lidhur ngushtë me këtë gazetë besnike dhe korrekte.

Gazeta “Bota sot”: Një mesazh për lexuesit e gazetës “Bota sot”, në rastin e përvjetorit të saj?

S.H: Për në fund, dashtë Zoti që kjo gazetë të ekzistojë dhe të na informojë sa më drejtë dhe me korrektësi, me lexuesit e saj, duke i dëshiruar punë të mbarë të gjithë stafit dhe suksese gjithmonë.

Mulliqi: Gazeta “ Bota sot” përçojë mesazhe të fuqishme për liri dhe pavarësi

Analisti politik Skender Mulliqi ka thënë se 25 vite të gazetës prestigjioze “Bota sot”, ishin rrugëtim i suksesshëm, i një rrugëtimi të gjatë e më plotë gjemba në plasimin e të vërtetës dhe vetëm të vërtetës , që është bibël për çdo gazetë serioze , siç ishte dhe ka mbetur “Bota sot”.

Sipas tij, koha kur lindi gazeta vitet e 90-ta, ishin kohë të vështira për shqiptarët e Kosovës, nën okupimin e egër serbo sllavë.

“Ajo përçojë mesazhe të fuqishme për liri dhe pavarësi. Ishte dhe ka mbetur frymëzim atdhedashurie , duke ngritur lartë moralin për njerëzit e nën qiellit të Kosovës, që i nënshtroheshin dhunës së paparë nga pushtuesi i egër serb. “Bota sot” u bë shpejt gazetë e dashur e respektuar për shumicën shqiptare në trojet etnike, për informim të drejt dhe korrekt. Kjo gazetë nuk kishte së si të jetë ndryshe, kur kishte një staff të përgatitur profesionalisht, moralisht dhe kombëtarisht. Ishte dhe ka mbetur gazeta më e guximshme shqiptare përkundër të gjitha sfidave ,dhe kërcënimeve që u përballë për shumë vite më radhë. Ishte dhe ka mbetur prijatarë ne trajtimin e temave të interesit shtetëror të Kosovës dhe ne temat e interesit nacional”, ka thënë Mulliqi.

Ai tutje ka shtuar se kjo gazetë, trajtojë më përkushtimin më të madh temat që lidhen me fenomenet negative që e goditën rëndë shoqërinë e re të Kosovës, siç ishin krimi , korrupsioni, nepotizmi etj .

“Angazhimi i gazetarëve të saj ishte për një shoqëri të lirë dhe demokratike. Ishte angazhim për një Kosovë të prosperuar , për një Kosovë evropiane. Duke i trajtuar temat e tilla , kjo gazetë shumë herë ishte bërë qendër e kërcënimeve , që quan deri të vrasja e gazetarëve të saj, më të guximshëm. “Bota sot” më të drejtë idolli në krahë ideatorit të pavarësisë dhe themeluesit të LDK-së, dr. Ibrahim Rugova. Ajo mbrojti vijën institucionale të luftës çlirimtare. Në këtë rrugëtim të gazetës u vra këshilltari i presidentit Rugova , Xhemajl Mustafa , kolumnist i rregullt , pastaj gazetari dhe kolumnisti më i guximshëm , Bardhyl Ajeti dhe gazetari Bekim Kastrati për shkrimet e tyre kunder krimit të organizuar .U kërcënuan me vrasje edhe shumë gazetarë të tjerë Edhe përkundër kërcënimeve dhe shantazheve , Bota sot, i mbijetoj të gjitha , duke mos u ndalur së punuari . Bota sot , i denoncojë më shkrime të gjithë ata që i vranë aktivistët dhe ushtarakët më të devotshem të LDK-së”, ka thënë analisti Mulliqi.

Sipas tij, në këtë goditje, "Bota Sot" dhe LDK-ja e Ibrahim Rugovës e kishin të njëjtin fat. Presidenti Rugova kishte takime shumë të përzemërta me botuesin, Xhevdet Mazrekaj, me kryeredaktorët, redaktorët e gazetarët në selinë e saj, në Cyrih të Zvicrës .

“Aty kishin qenë për vizitë edhe personalitete të tjera të rëndësishme ushtarake, ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i burgosuri shumëvjeçarë politikë, Pjetër Arbnori, Leka Zogu e shumë personalitete të tjera të jetës publike, të artit dhe të kulturës shqiptare në botë. Prandaj, uroj pronarin Xhevdet Mazrekaj dhe stafin e gazetës “Bota sot”, për punën që ka bërë për gjithë këto vite që nuk ishte hiq lehtë, dhe që po bën edhe tani, me një informim objektiv , në pasqyrimin e jetës të shqiptareve në trojet etnike dhe kudo që jetojnë dhe veprojnë në botë. Andaj urime të gjithëve”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat