“Asociacion ose diçka tjetër”, profesori britanik paralajmëron opsione radikale për marrëveshjen me Serbinë

Politika

“Asociacion ose diçka tjetër”, profesori britanik paralajmëron opsione radikale për marrëveshjen me Serbinë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 22 tetor 2020 Në ora: 20:01
James Ker-Lindsay

James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës, ka komentuar deklaratën e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, se Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën, për të lejuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ker-Lindsay ka thënë se BE-ja e konsideron themelimin e Asociacionit si një çështje kryesore në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, BE mendon se Kosova është zotuar ta themelojë ASK-në dhe duhet të vazhdojë me të. Ai ka theksuar në një prononcim për gazetën “Bota sot” se shumë vendeve u është dashur të ndryshojnë kushtetutat e tyre për të akomoduar marrëveshje ndërkombëtare.

“Bashkimi Evropian e konsideron themelimin e Shoqatës si një çështje kryesore. Sipas tyre, Kosova është zotuar ta formojë atë dhe duhet të vazhdojë me të. Dhe pak në Evropë do të jenë të gatshëm të pranojnë argumentin se kjo nuk mund të bëhet për shkak të Kushtetutës. Shumë vendeve u është dashur të ndryshojnë kushtetutat e tyre për të akomoduar marrëveshje ndërkombëtare”, është shprehur profesori britanik.

Ai më tej ka theksuar se nëse nuk formohet Asociacioni, mund të shikohen opsione tjera më radikale për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes të dyja vendeve.

“Do të ketë një ndjenjë që çdo shpresë për një normalizim përfundimtar të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit do të varet nga mënyra se si trajtohet kjo çështje. Për më tepër, do të ketë edhe nga ata që do të argumentojnë se nëse kjo nuk mund të vihet në vend, atëherë nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveç të shikojmë opsione më radikale për të arritur një zgjidhje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, në pyetje është “Asociacioni ose diçka tjetër” për marrëveshjen finale dhe jo “Asociacioni ose asgjë”.

“Prandaj nuk është një çështje e Asociacionit ose asgjë, siç duket se sugjerojnë disa, por një rast i Asociacionit apo diçka tjetër”, ka thënë James Ker-Lindsay për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat