Formula/ Kështu duhet të zgjidhet presidenti, ja çka ndodhë nëse vendi shkon në zgjedhje

Politika

Formula/ Kështu duhet të zgjidhet presidenti, ja çka ndodhë nëse vendi shkon në zgjedhje

Nga: P.R Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 20:03
Zyra e Presidentit

Një ‘luftë’ e ashpër po zhvillohet nga partitë politike në Kosovë, në përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit, post ky i mbetur bosh që nga dorëheqja e Hashim Thaçit pas aktakuzës nga Gjykata Speciale. Tash e një muaj, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani po e ushtron detyrën e presidentit të vendit. E kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

E lidhur me këto zhvillime në vend, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Prej kohës kur Hashim Thaçit iu komunikua aktakuza kanë kaluar gati 6 muaj. Thaçi e mbajti postin deri minutën e fundit, kur policia e EULEX-it e autorizuar nga Prokurori Special. i shkoi atij me pranga te zyra. Vetëm në këtë moment doli para kamerave e tha se “Po jap dorëheqjen”. Në fakt nuk ishte dorëheqje, ishte largim i dhunshëm dhe i turpshëm me pranga nga detyra e presidentit. Po e përmend këtë fakt për të dëshmuar se as Isa Mustafa dhe as Ramush Haradinaj, i cili kandidoi i pari për postin e presidentit, nuk i kërkuan Thaçit të jepte dorëheqjen kur aktakuza u komunikua në publik. Që aty fillon krijimi i kësaj situate që e kemi sot”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Profesor Bytyçi tregon arsyet pse Hashim Thaçit i konvenoi kjo lojë.

“Thaçit i konventonte kjo lojë, sepse në rast se partitë politike zihen për postin e presidentit, të huajt dhe qytetarët mund të thonë se “Vetëm Hashimi ishte i aftë për të zgjidh kriza”. Në fakt Hashimi vetëm solli kriza pa fund në Kosovë. Edhe kjo e sotmja është pasojë e “litarit” që ish-presidenti la jashtë qelisë së tij! Këtë nuk donin ta kuptonin Isa dhe as politikanët e tjerë. Disa se kishin frikë me ia kërku dorëheqjen “viktimës” që do të shkonte në Hagë. Disa tjerë për lojalitetin e tyre për shkak të bashkëpunimit në korrupsion. Dhe ja ku jemi. Partitë politike nuk munden që të bien në ujdi për një emër për ta zgjedhur si president të vendit”, thekson Bytyçi.

Por Bytyçi paralajmëron se zgjedhjet e reja mund të prodhojnë përsëri krizë politike, dhe të mos zgjidhet çështja e presidentit.

“Atëherë çfarë do të bëhet? Sigurisht se do të shkohet në zgjedhje të reja. Por a janë zgjedhjet zgjidhje për ta zgjedh presidentin e ri? Ka shumë gjasa se jo. Sepse spektri politik do të jetë ky që është sot, me disa ndryshime, të cilat nuk besoj se do të jenë aq të mëdha sa t’i japin partisë ose koalicionit qeverisës të drejtën e vendimmarrjes. Si para zgjedhjeve ashtu dhe pas zgjedhjeve vendimi do të duhet të merret në bashkëpunim me opozitën. Megjithatë zgjedhjet mund të jenë gjithashtu zgjidhje për shkak se një ose dy parti politike që sot pretendojnë të ndajnë pushtetin ekzekutiv midis tyre (njëra kryeministrin dhe tjetra presidentin) mund të rrudhen më tej dhe dalin nga loja, pra nga pretendenti për poste të tilla”, shprehet profesor Bytyçi.

Sipas tij, para shkuarjes në zgjedhje, duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës.

“Ajo çfarë unë besoj ka të bëjë e iniciativën politike për të diskutuar mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Më e mira do të ishte që presidentin ta zgjedhin qytetarët në votim të përgjithshëm njëherë në 5 vite. Prandaj përpara se të bisedohet për të shkuar në zgjedhje, duhet biseduar për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim që presidenti të zgjidhet me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës. Nëse bëhet kjo, atëherë mund ët shkohet në zgjedhje të reja, në të cilat Brenda një ditë të votohet për presidentin e ri si dhe për zgjedhjet parlamentare”.

Profesor Bytyçi ka treguar se cila do të ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën.

“Në këtë mënyrë posti i presidentit nuk do të bëhet mollë sherri midis partive politike. Nuk do të jetë as shkak i krijimit të krizës politike në vend. Por ajo që ka shumë rëndësi lidhet me faktin se presidenti nuk do të ishte i përzgjedhuri i një kryetari partie me shumë mundësi për t’u ndikuar nga ai në ushtrimin e detyrës. Partitë politike do të përzgjidhnin personin më me integritet për ta kandiduar për detyrën e kreut të shtetit. Integriteti i të zgjedhurit do të ishte maksimalisht në shkallën më të lartë e për pasojë edhe integriteti i shtetit dhe institucioneve të tij do të forcoheshin. Nëse presidenti I vendit zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, të jeni të bindur se zvogëlohen mundësitë që ai të bëhet pjesë e pazareve deri për ndryshimin e kufijve. Unë besoj se kjo do të ishte rruga më e mirë për të dalë nga ngërçi politik. Presidenti nuk do të mund të zgjidhet pa konsensuse”, thekson Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se Kosova përfundimisht do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Për pasojë Kosova do të shkojë pashmangshmërisht në zgjedhje të reja. Kush do t’i fitojë? Opozita ka avantazhin më të madh. Dhe kur them opozita kam parasysh opozitën e Vetëvendosjes sepse Partinë Demokratike qytetarët ende nuk e shohin si opozitë. Kjo edhe për faktin se e identifikojnë me Hashim Thaçin dhe ky i fundit ishte në majë të pushteti deri para pak kohe. Por edhe për faktin se partia në pushtet, më saktë lideri i kësaj partie. Zoti Mustafa, më shumë është merakosë për pozitat në institucione të PDK-së, sesa të partisë së tij. E keni dëgjuar besoj kur thoshte se “Presidenti i takon Partisë Demokratike” të Thaçit”, përfundon për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat