Përplasjet Mustafa - Osmani, “Vjosa po ndjehet si anije pa det”

Politika

Përplasjet Mustafa - Osmani, “Vjosa po ndjehet si anije pa det”

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 dhjetor 2020 Në ora: 12:23
Vjosa Osmani, Isa Mustafa

Përplasjet mes ushtrueses së postit të presidentit, Vjosa Osmani dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa, kanë qenë njëra ndër temat të cilat kanë ngjallur reagime kohëve të fundit.

E gjitha filloi me deklaratën që Osmani bëri karshi LDK-së, e cila u shpreh që në zgjedhje do të kandidojë e vetme dhe se LDK-së, i ka mbetur vetëm logoja.

“Kjo ka qenë zgjidhje e LDK-së apo logos që për momentin e kanë njerëzit që janë në lidership, por votuesin e LDK-së dihet që e përfaqësoj unë”, u shpreh Osmani.

Lidhur me këto akuza të Osmanit, në një intervistë ka folur kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ai ia ka rikujtuar Osmanit faktin se Lidhja Demokratike e Kosovës i ka humbur zgjedhjet e 6 tetorit dhe thotë se bazuar në atë rezultat zgjedhor, qytetarët e kanë votuar Osmanin vetëm për deputete.

“Lista zgjedhore, në të gjitha zgjedhjet ka qenë e LDK-së, me logo të LDK-së, e përkrahur nga të gjitha strukturat e partisë dhe e votuar nga anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së. Të gjitha pozitat që i mbajnë njerëzit e LDK-së, janë rezultat i politikave të LDK-së. Zgjedhjet e vitit të kaluar nuk janë fituar. I kemi humbur. Sipas këtyre rezultateve, qytetarët e kanë votuar Vjosën vetëm për deputete”, ka thënë Mustafa.

Kujtojmë që në zgjedhjet e 6 tetorit LDK ishte renditur e dyta me rreth 1 % më pak vota se LVV.

Pavarësisht përpjekjes për bashkëpunim, koalicioni LDK-VV s’kishte zgjatur as 100 ditë, ndërkohë qysh pas prishjes së koalicionit dhe krijimit të Qeverisë Hoti, Vjosa Osmani s’ka reshtur së kritikuar partinë.

Si pasojë e qëndrimeve të saj, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e kishte shkarkuar me shumicë votash nga pozita e nënkryetares, derisa tashmë Osmani po e mendon edhe nisjen e një iniciative të re politike.

Shahu: Osmani duhet të pajtohet me LDK-në

Image
Rexhep Shahu

Analisti politike, Rexhep Shahu në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që këto përplasje janë mes kreut të LDK-së, dhe kryetares së Kuvendit dhe zëvendësueses së përkohshme të presidentit të vendit, e që të dyja këto dy poste Osmani i ka fal LDK-së.

Shahu thotë që Osmani pa LDK-në, nuk e ka luksin që të ketë privilegjin të jetë e para në listë, ajo duhet ose të krijojë një parti me empakt tek qytetari ose të anëtarësohet në një parti tjetër, por që asnjëherë nuk do të ketë privilegjet e luksin që i’a patë ofruar LDK-ja.

“Përplasjet mes Vjosa Osmanit dhe Isa Mustafës janë përplasjet mes kreut të partisë së LDK-së dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës dhe zëvendësueses së përkohshme të presidentit të vendit. Poste këto që Vjosës ia ka dhënë LDK-ja me Isa Mustafën. Vjosën e kanë shkarkuar nga detyrat e larta në LDK dhe nesër nëse vendi shkon në zgjedhje Vjosa nuk e ka luksin e privilegjin të jetë e para e listës së LDK-së apo të jetë si veshka mes dhjamit në LDK. Ajo ose duhet të krijojë parti të vetën ose duhet të hynë në ndonjë parti tjetër por asnjëherë nuk do të ketë privilegjet e luksin që ia pati ofruar LDK duke e bërë kryesuese të listës së saj. Vjosa duke u ndjerë si anije pa det kërkon mbështetjen politike të Tiranës që të mbijetonte në politikën e Prishtinës, por Tirana nuk ka patur as ka ndikim në politikën e Prishtinës, pasi në Prishtinë konsiderohet vetëm dora e kujdesi amerikan”, u shpreh Shahu.

Në fund, Shahu thotë që do të ishte e rrugës së Osmani të pajtohet me LDK-në, sepse as Osmani as ndo kush tjetër nuk mund ta godet as deri në bel LDK-në. Për këtë arsye sipas analistit do të ishte mirë që të krijojnë paqe Osmani me LDK-në, sepse edhe LDK humbet nga largimi i Vjosës por Vjosa humbet njëqind herë më shumë.

“Vjosa ka në veprimtarinë e saj një ankth të lexueshëm, ndonëse ka dy funksione të larta. Unë do të doja që Vjosa të pajtohet me LDK sepse as Vjosa e askush nuk e godet dot as mbi as nën bel LDK-në pasi ajo është parti e strukturë solide betonarmeje e qëndrueshme. Vjosa duhet të gjejë rrugën të kthehet në parti se LDK-ja nuk është e Isa Mustafës, të cilit mund t’i njihen shumë merita, por unë ia njoh edhe meritën se ka patur aftësi të eliminoj e t’i përjashtojë apo të i detyrojë të ikin individët reputative në LDK. Duhet të dihet nga të gjithë se LDK-ja është struktura e Kosovës e shtetit të Kosovës nuk është parti stinore apo elektorale, është ndërgjegje e qytetarëve të Kosovës. Edhe LDK humbet nga largimi i Vjosës por Vjosa humbet njëqind herë më shumë pasi ajo del pastaj si një politikane që rend veç pas posteve dhe zemërohet e ikën nëse nuk i jepen poste”, përfundoi Shahu për “Bota sot”.

Përplasjet mes Osmanit dhe Mustafës janë të hershme

Image
Skënder Mulliqi

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që përplasjet e Osmanit dhe Mustafës nuk janë të sotit sepse këto vetëm kanë filluar që nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Sipas Mulliqit LDK-së, i ka ndihmuar mjaftë shumë kandidimi i Osmanit në zgjedhje sepse nuk do të e dyta nga partitë nëse pjesë e kandidimit nuk do të ishte Osmani.

“Politikat dalluese dhe përplasjet të Vjosa Osmanit dhe Isa Mustafës nuk janë të sotit. Edhe më herët kryetari i LDK-së , i ka bërë opstrukcione politike Osmanit, dukë e lënë gati në fund të listës për deputete, por e cila e demantojë fuqishëm Mustafën duke u bërë më e votuara e këtij subjekti politikë për dy herë radhazi. Me votat e Osmanit edhe në zgjedhjet e fundit nacionale, LDK -ja arriti të jetë partia e dytë pas LVV, e po mos të ishte Vjosa bartëse e listës, mendoj unë , LDK-ja do të përfundonte edhe pas PDK-së. Për mos pajtueshmëri parimore politike karshi gardës së vjetër dhe të pa e reformuar të LDK-së, ajo edhe u përjashtua nga të gjitha funksionet. Shumë përplasje politike pati Vjosa gjatë kësaj kohe më disa nga krerët e LDK-së, sa vështirë të gjitha të mbahen mend, madje pati mos pajtim më disa të LDK edhe në kuvend”, u shpreh Mulliqi.

Mulliqi thekson më tej që Osmani ka mbrojtur për të mos bie qeveria Kurti mirëpo që me qëndrimet e saja nuk u pajtua Mustafa.

Siç potencon Mulliqi mos pajtimi me qëndrimet e Osmanit, ndodhi edhe shkarkimi i saj nga çdo pozitë që mbante në LDK.

“Vjosa ka mbrojtur qëndrimet për mos rënien e Qeverisë Kurti, e cila fillojë mirë punën. Ajo në mënyrë parimore përkrahu ndryshimet shumë të nevojshme në Kosovën e mbytur në korrupsion, varfëri dhe papunësi, e nuk u përcaktua për politikat e vjetra dhe retrograde të Mustafës dhe aleatëve të tij edhe në parti tjera politike. Si duket fundi ashtu të shprehem i këtyre përplasjeve do të vjen nga paralajmërimi e ud,të presidentes të Kosovës, zonjës Osmani që të formon Listën e saj për zgjedhjet e ardhshme nacionale, të cilat së bashku më LVV pritët të korrin fitore bindëse. Mustafa që kur është instaluar në krye të LDK-së, nuk po i lejon mendimet ndryshe, të Vjosës por edhe disave aty, duke e ngulfatur demokracinë e brendshme të LDK-së, e cila parti pa reforma dhe pa Vjosa Osmanin do të dobësohet shumë për zgjedhjet që pritët më gjasë të mbahen në pranverë të vitit 2021”, tha Mulliqi.

Më tej, analisti kujton një shkrim të Osmanit drejtuar Mustafës në lidhje me kreun e LDK-së.

“Dua këtu të paraqes vetëm një reagim të zonjës Osmani lidhur më akuzat e shumta kundër saj të, Isa Mustafës. “Gjithçka mund të gjesh tek Isa Mustafa si tipar: mashtrimin, devijimin, ndryshimin e qëndrimeve sa hap e mbyllë sytë, tregtinë me parime etj, por nuk mund të gjesh asnjë pikë njerëzillëku”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në Facebook”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat