Deklarata e Konjufcës që nxiti shumë reagime, analisti ka një thirrje për Vetëvendosjen: Nuk i bëjnë nder as VV-së dhe as Kosovës

Politika

Deklarata e Konjufcës që nxiti shumë reagime, analisti ka një thirrje për Vetëvendosjen: Nuk i bëjnë nder as VV-së dhe as Kosovës

Nga: N. H Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 22:50
Albin Kurti dhe Glauk Konjufca

Një deklaratë e nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka nxitur reagime të shumta në vend.

Anëtari i kryesisë së VV-së, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nëse Kosova kushtëzohet për hyrjen në BE me zhvendosjen e ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi, atëherë kjo do të rishqyrtohet.

“Ambasada do të mbetet aty ku është deri nëse eventualisht ne kushtëzohemi gjatë proceseve të ndryshme ndërkombëtare që të mos jetë aty. Shembull nëse ne kushtëzohemi nga BE gjatë procesit të integrimeve evropiane përmes ndryshimit të lokacionit të Ambasadës sonë në Jerusalem, unë mendoj se kjo do të duhej të rishqyrtohej meqenëse për Kosovën është jetike që ne të bëhemi pjesë e BE-së”, tha ai.

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me deklaratën e Konjufcës rreth raporteve me Izraelin nëse Vetëvendosje merr qeverinë.

Mehmeti është i mendimit se Lëvizja Vetëvendosje duhet të deklarohet publikisht se a është ky qëndrim i Konjufcës apo i subjektit.

Image
Faton Mehmeti

“Natyrisht se në këtë kohë fushate, kur Lëvizja Vetëvendosje akuzohet për raporte të ftohta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një deklaratë e tillë nga Konjufca vetëm sa e përforcon këtë tezë. Dhe, natyrisht se një gjë e tillë i bën dëm Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo e fundit duhet të deklarohet se a është ky qëndrim i Konjufcës apo i Vetëvendosjes, pra a është mendim personal i Konjufcës apo qëndrim i partisë”, ka thënë Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Krejt në fund, analisti konsideron se të tilla deklarata nuk i bëjnë nder as Lëvizjes Vetëvendosje dhe as Kosovës.

“Deklarata të tilla të pamatura nuk i bëjnë nder as Lëvizjes Vetëvendosje dhe as Kosovës, si të tillë janë të papranueshme”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat