Skenari për zgjedhjen e kryeministrit dhe presidentes/ Ja paralajmërimi për ata që dalin kundër Vjosës

Politika

Skenari për zgjedhjen e kryeministrit dhe presidentes/ Ja paralajmërimi për ata që dalin kundër Vjosës

Nga: P.R Më: 3 mars 2021 Në ora: 19:54
Vjosa Osmani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se do të shpallë të enjten rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku tashmë dihet qartë fitorja absolute e Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte edhe Vjosa Osmani me listën e saj.

E duke marr parasysh rezultatin e 14 shkurtit, profesor, doktor Enver Bytyçi thotë për gazetën “Bota sot”, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të krijojnë institucionet e reja në Kosovë.

“Sot janë publikuar rezultatet parapërfundimtare të vendeve të partive politike në parlamentin e Kosovës. Përfundimisht duket qartë se Vetëvendosja dhe Lista e Vjosa Osmanit do të krijojnë jo vetëm qeverinë, por edhe institucionet e tjera të vendit. Ata kanë garantuar shumicën absolute. Kjo aleancë është e para në historinë 20 vjeçare, e cila mund ta krijojë qeverinë e Kosovës e vetme, pa patur nevojë për koalicion me partitë e tjera, të cilat duket se do të jenë në opozitë”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Vetëvendosja dhe Vjosa zyrtarisht i kanë të garantuar 58 deputetë.

“Kanë siguruar dhe disa deputetë të pakicave joserbe dhe me këta krijohet qeveria e re. Kjo do të thotë se nëse është përgatit programi i qeverisjes, qeveria krijohet brenda 24 orësh, nëse do të duhej të fitohej kohë. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk certifikohen rezultatet. Në momentin që ato certifikohet, në atë moment fillon formalisht e zyrtarisht puna për krijimin e qeverisë. Ajo që ka shumë rëndësi lidhet me faktin se kësaj radhe si rrallë herë në të shkuarën, nuk është e nevojshme të thirren në qeverisje deputetët e Listës Srpska. Ata nuk e kushtëzojnë ekzistencën e qeverisë”, shprehet më tej profesor Bytyçi.

A është e nevojshme që Vetëvendosja dhe Lista Vjosa të tërheqë në koalicion ndonjë parti tjetër?

“Nga rezultati preliminar del se PDK do të ketë 19 deputetë, LDK 15 dhe AAK 9. Sigurisht që një qeveri me bazë më të gjerë do të ishte më e mirë. Por edhe nëse Kurti tërheq njërën prej tri partive parlamentare shqiptare, asnjëra prej tyre nuk mundet ta kushtëzojë atë. E vetmja arsye për një koalicion të tillë është zgjedhja e president-es/it”, deklaron Bytyçi.

“Unë nuk jam skeptik, nëse Vjosa Osmani do të zgjidhet ose jo president e vendit. Ajo ka fituar më shumë vota sesa partia e dytë politike e vendit dhe gati dyfishin e votave të partisë së tretë, LDK-së dhe të katërt AAK-së. Nëse dikush në parlamentin e Kosovës do dilnin kundër zgjedhjes së saj, ky dikushi duhet të llogarisë përballjen me vullnetin e qytetarëve të vendit. Kandidatura e zonjës Osmani për president u shpall që në fushatë elektorale. Dhe si asnjëherë tjetër, në një farë mënyre atë e votuan zgjedhësit direkt. Parlamenti thjesht do të duhet ta noterizojë vullnetin e Kosovës. Nuk ka asgjë të paqartë dhe të pa dukshme”, shton Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës votuan qartazi ndryshimin e madh.

“Ndryshimi I madh për ta do të thoshte qeveri e re e qëndrueshme dhe e aftë të luftonte korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe president që mbështet qeverisjen e vendit dhe politikat e ndryshimit. Nuk votoi Kosova që përsëri në krye të institucioneve të vinin politikanë më pikëpamje dhe qëndrime të kundërta sa I përket shtetësisë dhe ardhmërisë së saj. Qytetarët u neveritën me konfliktin Thaçi-Haradinaj, kur presidenti donte të ndiqte politikat serbe të zgjidhjes së konfliktit i mbështetur nga Edi Rama. Ndaj dha mesazhin e qartë për Vjosa Osmanin president të Republikës”, nënvizon Bytyçi.

“Ndoshta kjo zgjedhje ka nevojë për votat e PDK-së ose LDK-së. Dhe për këtë arsye mund të arsyetohej pjesëmarrja në qeverisje e njërës prej këtyre subjekteve. Por ato të dyja kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Isa Mustafa ka deklaruar se nuk do t’ia bëjë votat Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur president. Në këtë kuptim duket i pamundshëm pjesëmarrja e LDK-së dhe PDK-së në qeverisje. Mbetet rasti i AAK-së. Ajo ka vetëm 9 deputetë. Edhe sikur të dhjetë deputetët e pakicave jo-serbe të votonin zgjedhjen e presidentit, do të duheshin edhe dy deputetë të tjerë për zgjedhjen e saj ose formimin e kuorumit”, shpjegon më tej Bytyçi.

Prandaj sipas Bytyçit, zgjidhja mbetet që zgjedhja e presidentit të mbështetet me pjesëmarrjen e tyre në mbledhjen plenare të Kuvendit.

“Nuk është e nevojshme të votojnë. Mjafton të jenë të pranishëm në sallë. Kjo do të ndodhë, sepse do të ishte rrisk i madh për secilën parti që do bojkotonte zgjedhjen e Vjosa Osmanit. Dihet se mos zgjedhja qon në zgjedhje të reja parlamentare. Çfarë do të ndodhë më tej? Do ndëshkohen partitë që e bllokojnë procesin e tillë”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat