A do të pastrohet LDK-ja nga ‘prania’ e Hashim Thaҫit, me zgjedhjen e kryetarit të ri?

Politika

A do të pastrohet LDK-ja nga ‘prania’ e Hashim Thaҫit, me zgjedhjen e kryetarit të ri?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 26 mars 2021 Në ora: 19:21
Lidhja Demokratike e Kosovës

Vetëm një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti zgjedhjet e saj të brendshme, ku zgjodhi kryetarin dhe kryesinë e re.

Kjo erdhi si rezultat i zgjedhjeve parlamentare, kur LDK-ja mori një rezultat shumë të dobët.

LDK-ja më 14 mars zgjodhi Lumir Abdixhikun si kryetar të saj, duke mposhtur Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën si kundërkandidatë.

Kjo parti, në kohën kur ishte udhëhequr nga Isa Mustafa vazhdimisht është akuzuar se bashkëpunonte ngushtë me PDK-në dhe Hashim Thaҫin. Andaj, një dorëheqje e Isa Mustafës nga pozita e të parit të LDK-së është kërkuar disa herë edhe brenda kësaj partie. Krahu i djathtë i Mustafës, Vjosa Osmani u largua nga kjo parti si shkak i shumë mospajtimeve me kryesinë e LDK-së për vendime të ndryshme.

Zeqiraj: Mustafa edhe të mos dorëhiqej, duhej të shkarkohej

Pas dështimit në zgjedhjet parlamentare, Isa Mustafa vetëm një ditë më pas raportoj për dorëheqjen e tij, mirëpo jo duke pranuar edhe fajin për këtë humbje të bindshme të kësaj partie.

Publicisti dhe anëtari i kësaj partie në Gjermani Idriz Zeqiraj, thotë se Isa Mustafa dhe gjithë kryesia e LDK-së duhet të shkarkohej, edhe po të mos ofronte dorëheqjen.

Sipas tij, Mustafa jo vetëm që nuk pranoi fajësinë, por fjala e lamtumirës së tij ishte indinjuese, irrituese dhe shumë provokative.

Image
Idriz Zeqiraj

“"Pranimi i fajësisë, bazë për ringritjen e LDK-së", është titulli i një shkrimi, me pretendim të gjetjes së rrugës, për të dalë nga kriza, ku e ka zhytur lidershipi klanor, brenda kryesisë qendrore, duhej të ngulmohej dhe lëndëzohej në Kuvendin e 14 marsit. Nëse kryetari dhe ish kryesia e tij, nuk do ta pranonin fajësinë, për rrënimin e partisë, duhej të shkarkoheshin, madje, pa hamendësime. Megjithatë, kjo nuk ndodhi! Ndodhi e kundërta, paradoksi i titullit "Kryetar Nderi!" Punë shqiptarësh! Konformizmi vazhdon të këtë kosto të lartë, në shtetin tonë të brishtë, për të mos thënë, të prishtë! Ishte indinjuese, irrituese dhe shumë provokative, fjala lamtumirëse nga kryetarllëku i paligjshëm e kontravers i Isa Mustafës. Ai, me kryeneçësi, nuk pranoi asnjë fajësi, madje, pohoi se "po të kthehesha në drejtim të LDK-së, njëjtë do të veproja!" Ndërkohë, ekziston bindja e bazuar e faktike, se ai e solli në këtë gjendje mjerane partinë e Dr. Rugovës”, ka vlerësuar Zeqiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, zgjedhja e Lumir Abdixhikut me konkurrencë dhe votim të fshehtë demokratik, por pa debat paraprak, ishte një hap para.

“Nëse nuk do të dominojë egoja, "më mirë i parë në fshat, se sa i dytë në qytet", gjasat e kthimit të Vjosës në LDK-e janë reale, pas një mandati presedencial. E themi këtë, sepse, tashmë, ka një kontratë me LVV. Përndryshe, kombinatorikat e reja, i prishin edhe matematikat. Tashmë, nuk kemi të bëjmë me një Vjosë, por, me mijëra anëtarë të LDK-së. Dhe, nëse ngecin reformat në LDK-e, për arsye të komformizmit, rrjedhjet e anëtarësisë, do të jenë të dhimbshme. Faktet janë të bollshme, se lidhjet biznesore, për rrjedhojë, bashkimi i votave me PDK-në, për vendime kruciale, në dëm të LDK-së dhe të Kosovës, kanë çimentuar bindjen, në anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së, se lidershipin klanor e ka dirigjuar Hashim Thaçi”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Zeqiraj ka thënë se duhet një guxim shumë i madh për tu shkëputur nga PDK-ja.

Kjo derisa LDK-ja, sipas tij ka amnistuar krimin dhe korrupsionin e PAN-it, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla kanë bërë hapin e parë të zhbllokimit. Zeqiraj thotë se edhe Abdixhiku si kryetar i ri është një shpresë në këtë drejtim.

“Duhet veprim e guxim i madh, për t`u shkëputur nga ingranazhi i kriminelëve të LPK-së, lexo: PDK-së-PAN-it. Të amnistosh krimin vrastar dhe zhvatësit korruptiv të PAN-it, duke e shpallur armik të parë LVV, ndërkohë që aty janë dhjetëra-mijëra djem e vajza, lindakë biologjikë të rugovistëve të thekur, është injorancë kriminale. Hapin e parë zhbllokues e bënë luftëtarët rugoviste - Vjosë Osmani e Donikë Gërvalla. Shton shpresën fakti se kryetari i ri, Abdixhiku, ka pranë bashkëpunëtorë të sinqertë, miq të mirë, intelektualë të kompletuar, që kanë kontribuar, që, pikërisht, ai të vijë në krye të LDK-së”, është shprehur Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Maxharraj: Këshilli i përgjithshëm nuk arriti të pastron LDK nga servilët, kapësitë dhe mbështetësit e Isa Mustafës

Ndërkaq, opinionisti Binak Maxharraj ka përmendur sfidat e LDK-së në kohën kur Isa Mustafa ishte kryetar.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe sjelljet e Mustafës ndaj Vjosa Osmanit, që sipas tij e injoroi deri në përjashtim nga LDK-ja.

Image
Binak Maxharraj

“Përgjatë të gjitha këtyre dhjetë viteve sa ishte si kryetar i LDK-së, Isa Mustafa nuk ia arriti të fitojë asnjë palë zgjedhje, por humbjet rreshtoheshin njëra pas tjetrës. I humbi ato të 2019 ani pse doli e dyta, që meritë ishte kryesisht e të nominuares për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmanit që më pastaj vet ky depsuz, zuzar e injoroi Osmanin deri në përjashtimin e saj nga LDK, bile edhe duke e përbuzur dhe ofenduar se gjoja këto vota nuk janë meritë e saj. Bile shkoi aq larg, sa që bëri edhe komplot në rrëzimin e qeverisë Kurti në bashkëpunim me Hashim Thaçin dhe me ndihmën e një njeriu që tani sillet i papunë në Amerikë, Richard Grenell. Për ta formuar qeverinë e turpit, qeverinë e të korruptuarve me kryeministrin Avdullah Hoti, i cili edhe ai ra për shkak të skandaleve dhe aferave politike korruptive”, ka thënë Maxharraj.

Tutje, Maxharraj ka vlerësuar se kur zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën me 14 shkurt 2021, secila parti por më e zëshmja ishte LDK e Isa Mustafës, se këto zgjedhje do t’i fitojë bindshëm, bile edhe për inat të Vjosa Osamnit, se do të dalë e para.

“Por të njëjtën gjë e thoshte edhe bishti i Kadri Veselit Enver Hoxhaj për PDK, e Haradinaj për AAK, etj. Këto ishin vetëm ëndrra të bukura të tyre. Populli i irrituar dhe i indinjuar në arrogancën e partive në pushtet që për të gjitha këto vite të pasluftës nuk u sollën asgjë pos mjerim, vuajtje, ikje nga atdheu, vendosën t’i dënojnë partitë e dështuara, të korruptuara duke kërkuar ndryshime rrënjësore. Pra, kur fletë sovrani dridhet edhe toka, dridhet edhe qielli. Sovrani foli, stuhia e sovranit i qiti si “jashtë qitje” të gjitha këto parti duke ua mos dhënë votën për fitore. Vota e popullit u drejtua nga një parti tjetër, nga LVV dhe Albin Kurti në koalicion me Listën ”Guxo” të Vjosa Osmanit, parti kjo e injoruar dhe e sharë nga partitë tjera, e cila ishte e pakorruptuar dhe luftonte kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga bandat e ndryshme të këtyre partive. Pra, sovrani me 14 shkurt 2021 foli me një zë mbi 500 mijë vetë, votuesit ia mësynë kutive të LVV-së së Albin Kurtit dhe Listës ”Beso” të Vjosa Osmanit, duke ua dhënë votën, kur veçmas nga këto vota Lista ”Beso” e Vjosa Osmanit i mori mbi 300 mijë vota, pra tri herë me shumë se LDK-ja, pesë herë më shumë se PDK-ja, etj. Ishte kjo katastrofa, humbja më e madhe në historinë e LDK-së”, ka theksuar Maxharraj.

Ai thotë tutje ‘se për të qenë ironia e fatit edhe më e madhe, askush nga LDK, as kryetari i saj i cili sa për sy e faqe ofroi dorëheqje formale, e as kryesia e saj, e as Këshilli i përgjithshëm nuk u shqetësua fort për këtë humbje, për këtë turp, për këtë dështim që i ndodhi LDK-së, sjellja e tyre ishte gati si në stilin ”hajt se nuk është bërë kiameti”.

“Të gjithë heshtën, pos disa zërave kritikues jashtë strukturave si Naser Rugova, Fatmir Sejdiu, etj., por i vetmi nga brenda këtë katastrofë të LDK-së po e përjetonte shumë keq Besian Mustafa, i cili ashpër shumë ashpër e kritikoi heshtjen dhe strukjen e LDK-së nga kjo humbje, e sidomos në qendër të kritikës e kishte Isa Mustafën. Mustafa këtë e bëri në media e jo në parti. Pra, as kryesia e as Këshilli i përgjithshëm nuk e thanë as një fjalë për humbjen e LDK. Ata të gjithë si në kor heshtën, nuk patën guximin bile ta thonë një fjalë se çka ndodhi kështu me LDK-në, të gjendet fajtori, të analizohen faktet, shkaktarët dhe individëve tu drejtohet gishti, por kot heshtje mortore në LDK. Askush nuk kishte guximin ta thoshte një fjalë, sepse si duket Isa Mustafa ua kishte ”hëngër orën” të gjithëve, sepse të gjithë ishin servilët dhe kapësit e tij, që së bashku me Isën kishin kontribuar që të vihet deri te kjo gjendje katastrofe në LDK drejtë shkatërrimit të saj që si duket Isa Mustafa e kishte që nga fillimi si mision shkatërrimin e LDK të cilin e kreu me sukses”, ka thënë ai.

Ai thotë tutje se jo vetëm kryesia e LDK-së që heshti për një muaj pa e thënë asnjë fjalë, por edhe Këshilli i përgjithshëm i LDK-së, i mbajtur me 14 mars 2021 në Kuvendin zgjedhor në përbërje të vjetër e vazhdoi të njëjtin avaz, të heshtë e të mos e thotë asnjë fjalë se pse LDK-në e gjeti kjo gjëmë.

“Dorëheqjen formale të Isa Mustafës ky këshill e kaloi në heshtje, pa zhvilluar asnjë debat rreth dorëheqjes formale të Isa Mustafës, të analizohet situata të kritikohen fajtorët bile edhe të përjashtohen, por pa dobi, asnjë nuk mori guximin të ia thotë bile një fjalë fajësie Isa Mustafës, pos disa figurave si Fatmir Sejdiu, Naser Rugova etj. Dhe Isa Mustafa, katili, xhelati iku pa therë në këmbë nga LDK, por me një mision, me një qëllim të kryer nga ai: shkatërrimin e LDK. Po qe Isa Mustafa si fantazmë do jetë edhe me tutje i pranishme në LDK. Por në vend se ta dënoi ai shpërblehet me postin e kryetarit të nderit të LDK-së”, ka shtuar tutje Maxharraj.

Sipas tij, Këshilli i përgjithshëm nuk arriti të pastrojë LDK-në nga servilët, kapësit dhe mbështetësit e Isa Mustafës.

“Ata edhe më tutje mbetën në LDK, mbetën në Kryesinë e saj, mbetën në Këshillin e përgjithshëm, që do të thotë LDK edhe pas Isa Mustafës jeton me fantazmën e Isa Mustafës, sepse edhe Kryetari i saj Lumir Andixhiku u zgjodh me aminin e Isa Mustafës, duke i eliminuar figurat tjera kritikuese, e aq më keq të gjithë kritikuesit e LDK-së si: Fatmir Sejdiu, Naser Rugova, Melihate Tërmkolli, Adem Salihaj, etj., nuk u përfshijnë askund në strukturat e LDK, vetëm pse ishin kritikues të despotit Isa Mustafa. Një gjë është e ditur se LDK nuk mundi të pastrohet nga Mustafizmi dhe Thaçizmi, ata mbetën aty brenda duke filluar nga kryetari i saj Lumir Abdixhiku, nga kapësit dhe servilët e tij në kryesi dhe struktura tjera. Është shumë vështirë e as të paramendohet që Lumir Abdixhiku të bëjë ndonjë kthesë të LDK-ja në ecje përpara, sepse ai është një dorë e zgjatur e Isa Mustafës dhe se përmes tij ai është i pranishëm në LDK. Lumiri asnjëherë nuk pati guxim, edhe atëherë kur Isa Mustafa në vrap të dreqit e shkatërronte LDK-në, t’i del përpara dhe t’i thotë ndal o njeri çka po bën, por vetëm ka heshtur”, ka deklaruar publicisti Binak Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat