Roli i LDK-së në opozitë, momenti që të ngrihet dhe ta rikthej elektoratin

Politika

Roli i LDK-së në opozitë, momenti që të ngrihet dhe ta rikthej elektoratin

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 mars 2021 Në ora: 19:31
LDK

Pas humbjes së madhe që pësoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me PDK-në, dhe AAK-në në këtë legjislaturë do të qëndrojnë opozitë.

Mirëpo, cili do të jetë roli i partisë së Lumir Abdixhikut në këtë pozicion. Krerët e këtij subjekti politik, kanë bërë me dije se LDK-ja në kuvend duhet të jetë opozitë konstruktive.

Nënkryetarja e angazhuar së fundi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka deklaruar se partia e saj duhet të ketë edhe rol mbikëqyrës.

Mjekiqi ka thënë se me LDK-në në opozitë do të sigurohen që Kosova të shënojë progres në fusha të ndryshme.

“Lidhja Demokratike duhet të bëjë një opozitë konstruktive, e cila nënkupton diskutime, shqyrtime të ligjeve e propozimeve të cilat vijnë nga Qeveria e re. Pra, duke u bazuar në argumente, në fakte, në prova. Pra, të luajmë rol mbikëqyrës, të sigurohemi që Kosova do të shënoj progres në fusha të ndryshme”, ka thënë nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se kjo parti në opozitë do të prezantojë një alternativë të re, duke prezantuar kështu edhe ide të reja qeverisëse, por, asnjëherë duke i bllokuar proceset.

Kurse, njohësit e politikës janë të mendimit se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të bëjë opozitë reale, të fortë, e të pakompromisë, si e vetmja mënyrë që të rikthehet përsëri.

Hoxha: Do të bëjmë opozitë duke prezantuar idetë

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Hoxha, ka folur për rolin që do të ketë partia e tij në opozitë.

Image
Alban Hoxha

Hoxha në një bisedë për “Bota sot”, është shprehur se opozita në legjislaturën e tetë do të jetë të jetë e fortë.

“Do të jemi opozitë e fortë, por konstruktive, pra ndërtuese”, tha Hoxha për “Bota sot”.

Ai madje ka treguar se Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë kohës sa do të jetë në opozitë do të prezantojë ide të reja për zhvillimin e vendit.

“Do të bëjmë opozitë duke prezantuar idetë tona për zhvillimin e vendit dhe duke prezantuar alternativat tona qeverisëse, e jo duke bllokuar proceset”, ka thënë anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj.

Gaxherri: Do mundohemi të japim shembull dhe zgjidhje të problemeve

E, anëtarja tjetër e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka bërë me dije se situata aktuale në vend është e vështirë, andaj ajo mendon se në këtë kohë nga partitë politike duhet të ketë reflektim, maturi e veprim konkret.

Image
Besa Gaxherri

“Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 e kanë dërguar LDK-në në opozitë. Një gjë duhet ta kuptojnë partitë politike e më theks të veçantë Lëvizja Vetëvendosje, se në demokraci një votë bën diferencën, si dhe në sistemin demokratik është e pashëndetshme që një subjekt politik t’i ketë të gjitha vendet e pushtetit në posedim, e sidomos kur është në pyetje një parti si VV-ja me prirje të larta diktatoriale, por kur analizojmë situatën në vend që për një vit kemi tri qeveri, në kushte të pandemisë, me probleme shëndetësore, ekonomike, sociale, politike e diplomatike, atëherë padyshim se kërkohet reflektim, maturi e veprim nga të gjitha partitë politike për t’i krijuar stabilitet vendit. E kush mbetet për të ofruar ketë stabilitet”, është shprehur Gaxherri, për “Bota sot”.

Gaxherri është e mendimit se partia e saj mbetet përsëri subjekti i vetëm si në pozitë dhe në opozitë, alternativa e vetme në vend.

“Vetëvendosje kurrë se ka ofruar potencialin e saj për stabilitet të vendit. PDK-ja kalkulon si gjithmonë elektoralisht. AAK-ja gjithmonë kërkon të përfitojë nga procesi dhe LDK-ja mbetet prapë subjekti i vetëm që kudo qoftë, në pozitë apo opozitë, të jetë alternativë e vetme që t’i ofrojë vendit, stabilitet politik, duke venë standarde për rrugëtimin e Kosovës përpara”, tha ajo.

Zyrtarja e lartë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka theksuar për “Bota sot” se partia e saj gjithmonë në rend të parë do ta ketë Kosovën, kurse, ka potencuar se në opozitë do të mundohen t’i japin zgjidhje të problemeve.

“Ne gjithmonë e patëm dhe do ta kemi Kosovën në rend të parë, por askush mos të mendojë apo pretendojë se mund ta nënshtrojë, shantazhojë apo përdorë LDK-në. Do mundohemi të japim shembull dhe zgjidhje të problemeve, por do të jemi gjithmonë të gatshëm, edhe për zgjedhje të cilat mund të provokohen nga papërgjegjësia e fituesit të zgjedhjeve”, ka theksuar Besa Gaxherri për “Bota sot”.

Shahu: LDK në opozitë do të ngulmojë fortë

Kurse, analisti politik, Rexhep Shahu, është i mendimit se partia e Lumir Abdixhikut në opozitë duhet të ngulmojë fortë, e të gjejë veten e saj.

Image
Rexhep Shahu

“Unë shpresoj se LDK në opozitë do të ngulmojë fortë të gjejë veten, do të jetë rëndë fortë të gjejë veten e saj. LDK në opozitë, nuk duhet të vajtojë me tradhtinë e braktisjen që ia bëri Vjosa Osmani me grupin e saj për hir të karrierës së saj, as nuk duhet të vajtojë të tjerët që e poshtëruan ndër vite pasi iku presidenti Rogova”, ka thënë fillimisht analisti Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Shahu ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës është shkollë politike për partitë tjera, gjersa është shprehur se në këtë legjislaturë LDK duhet të bëjë opozitën reale, të fortë, të pakompromisë, pasi ai mendon se ky është rasti që kjo parti të tregojë veten e saj.

“LDK gjithashtu besoj se nuk do ta mbajë kokën pas. Ajo është parti që ka shtatin kombëtar, nuk është parti si OJQ, është parti e shpirtit të Kosovës, nuk është parti stinore, është e përhershme, është anija e politikës së Kosovës, është shkolla e politikës së Kosovës, të gjithë janë nxënës të LDK-së, disa mirënjohës e disa mosmirënjohës, disa janë në politikë në poste fale rastësive banale e disa se e meritojnë. LDK duhet të bëjë opozitën reale, të fortë, të pakompromisë, duhet ta djegë me akull qeverinë që din veç me shitë fjalë. LDK ka rastin të tregojë se si duhet të jetë edhe shkolla e opozitës, pa gazlotsjellës, pa bombola, pa shkatërrime të makinave të ndërkombëtareve e qeveritarëve”, tha me tej Shahu.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve politike ka potencuar se elektorati që ka sot qeveria aktuale nuk është stabil, pasi sipas Shahut, ësh elektorat stinor, elektorat inati dhe pragmatist.

Ai ka bërë me dije për krerët e LDK-së në sa se dëshirojnë të rikthehen fuqishëm, duhet të shihet me elektoratin sy me sy.

“Çdo pasuri që ka djegë opozita e popullit është, dhe LDK do të jetë një lloj opozite besoj unë që nuk do të fajësojë makinat e politikanëve, por do të kritikojë ashpër politikanët që fshanin makinat me xhama të zi dhe i kanë vet tash me xhama të zi. Elektorati që ka sot qeveria nuk është stabil. Elektorat i saj, është elektorat stinor shumica, elektorat inati, pragmatist. Unë nuk besoj se mund të arrijë ndokush ndonjëherë të ketë elektorat stabil si LDK-ja, e cila sot e ka të përgjysmuar e më pak, por besoj se do ta arrijë. LDK do të ngrihet nëse do të shalojë kuajt e ndershmërisë, nëse do të shihet sy më sy me qytetarin dhe me gjithë anëtarësinë e saj, me gjithë figurat e saj që rrinin në hije, por janë histori e Kosovës”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat