Paralajmërohet Kurti, angazhimi i Surroit dhe Shalës në dialog, me pasoja fatale për Kosovën

Politika

Paralajmërohet Kurti, angazhimi i Surroit dhe Shalës në dialog, me pasoja fatale për Kosovën

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 prill 2021 Në ora: 17:22
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte bërë të qartë qysh para ardhjes në krye të ekzekutivit se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tij, shkruan gazeta “Bota sot”.

Mirëpo, duket se presioni i vazhdueshëm ndërkombëtar, ka bërë që çështja e dialogut të rikthehet ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës. Kjo pasi, zyrtarë të qeverisë raportohet të jenë ngarkuar që të bisedojë me dy publicistët Veton Surroi e Blerim Shala, në mënyrë që t’i ketë në ekipin e tij të dialogut.

Heshtja e pa arsyetueshme e qeverisë, jep indikacione se gjërat po marrin këtë drejtim.

Për këtë nuk pati më shumë sqarime se si qëndrojnë gjërat lidhur me ftesën ndaj të dyve.

Pati zëra të shumtë që ishin kundër idesë së kryeministrit Albin Kurtit që Blerim Shala dhe Veton Surroi të jetë pjesë e delegacionit për bisedime me Serbinë. Prej tyre ishte edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes në legjislaturën aktuale, Haki Abazi, që ka kritikuar haptazi zërat për një angazhim të mundshëm të Blerim Shalës e të Veton Surroit në dialog me Serbinë si pjesë e ekipit negociator.

Njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se nëse shefi i qeverisë aktuale angazhon këto dy figura në këtë proces, bisedimet do të shkojnë në një drejtim të kundërt rreth asaj çfarë Kurti kishte premtuar para se të vije në pushtet.

Kurse, konsiderojnë që për shkak të presionit që do vije nga brenda dhe jashtë, Albin Kurti pritet që të mos i angazhojë Shalën dhe Surroin, mirëpo nëse do të ndodhë e kundërta, paralajmërohen pasoja fatale për vendin.

Mehmeti: Të konsumuar këto dy figura

Image
Faton Mehmeti

Njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, duke folur lidhur me raportimet e fundit, ka dhënë se angazhimi i këtyre dy figurave në procesin e bisedimeve, do të bënte që kjo çështje mos të merrte kahun e duhur.

Për Mehmetin, Surroi e Shala janë personalitete të konsumuara, gjersa për këtë të fundit shprehet se është “argat” i Thaçit.

“Natyrisht se janë të konsumuar këto dy figura, kryesisht Blerim Shala, një argat i Hashim Thaçit. Nëse Albin Kurti angazhon këto dy figura në procesin e bisedimeve, jam i bindur se ato do të shkojnë në një drejtim kundër asaj çfarë Albin Kurti ka premtuar. Blerim Shala, por edhe Veton Surroi, tashmë janë të konsumuar”, ka thënë Mehmeti.

Tutje, Mehmeti thekson se pas presionit që do t’i vije të parit të qeverisë, ka gjasa që të mos e bëjë një veprim të tillë dhe një nismë e tillë të dështojë.

Analisti është i mendimit se me këtë qasje të kryeministrit, veçse vazhdohet rruga e ish-presidentit Thaçi.

“Pas presionit të madh që po e merr edhe nga vet brenda partisë dhe qeverisë, besoj se Albin Kurti s’do t'i angazhojë Shalën dhe Surroin në këtë proces, nëse e bën pasojat do të jenë të mëdha për Kosovën por edhe për vet Kurtin, i cili s’po bën asgjë ndryshe nga Thaçi. Me ketë qasje vetëm sa po vazhdohet rruga e nisur nga Thaçi, e që ka rezultuar dështim total”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Qarri: Surroi nuk mund të zhvillojë si Hashim Thaçi kokë më vete bisedime

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti tjetër politik, Gani Qarri, shprehet se ajo çfarë është me shumë rëndësi për Republikën e Kosovës, është fakti se në tavolinën e bisedimeve nuk do të ketë më tema as teori konspirative, si në kohën e Thaçit, për këmbime territoresh dhe as kërkesa si ato të zëdhënësit të Thaçit, Baton Haxhiut për amnistinë e kriminelëve serb.

Qarri lidhur me çështjen e dialogut ka pohuar se bisedimet me Serbinë do të jenë vërtetë shumë të vështira dhe një sfidë tejet e madhe edhe për qeverinë Kurti.

“Duke pasur parasysh faktin e hidhur, se Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa me nënshkrimin e marrëveshjes kundërkushtetuese për asociacionin një etnik serb dhe miratimin e kësaj marrëveshje edhe në Kuvend, e ngarkuan me një barrë tepër të rëndë Kosovën, bisedimet me Serbinë do të jenë vërtetë shumë të vështira dhe një sfidë tejet e madhe edhe për Qeverinë Kurti, e cila e vetëdijshme për këtë dhe me qëllim të daljes me qëndrim të përbashkët të të gjithë spektrit polik të Kosovës, po përpiqet ta inkorporojë në delegacionin për bisedime edhe opozitën”, ka thënë Qarri.

Mirëpo, ai e konsideron fat për Kosovën që vendi për herë të parë pas 21 vitesh të çlirimit, ka një qeveri vërtetë legjitime dhe me shumicë parlamentare, që sipas tij, nënkupton qeveri të qëndrueshme dhe me mandat të qartë të legjitimuar nga qytetarët me votën e tyre të lirë.

“Përparësi tjetër e Kosovës, sidomos sa i takon çështjes së bisedimeve me Serbinë është fakti se, që nga viti 2011, kur dhe filluan bisedimet, Kosova për herë të parë, në procesin e dialogut, do të përfaqësohet nga njerëz të pa shantazhuar nga Serbia dhe që nuk kanë të bëjnë me akuzat për qindra vrasje të shqiptarëve, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale e Hagës, si Thaçi me shokë. Dhe siç dëshmohet nga të gjitha qendrat relevante ndërkombëtare, në tavolinën e bisedimeve nuk do të ketë më tema për ndryshimin e kufijve, këmbim territoresh apo faljen e Veriut të Kosovës, Serbisë okupatore sipas pazareve të kriminelit Aleksandër Vuçiq me kuislingun Hashim Thaçi”, është shprehur ai.

Madje, ai është i mendimit se ish-presidenti Thaçi kishte tentuar që Kosovën ta ndante në njësi politike, ngjashëm sikurse Bosnja e Hercegovina.

“Nisur nga ngjarjet e zhvilluara për shkatërrimin e ish federatës jugosllave, duhet ta rikujtojmë faktin se ishin ish udhëheqësit e vjetër të ish republikave, të cilët udhëhoqën me suksese vendet e tyre në rrugën e pavarësimit, ku si shembull të vlefshëm duhet ta përmendim Milan Kuçanin i cili me përpjekje të mençura dhe vetëm pak ditë luftë, arriti ta pavarësonte Slloveninë, gjë që nuk ndodhi edhe me republikat tjera, të cilat zhvilluan nga disa vite luftë për tu ndarë nga Serbia, por nuk arritën, krejt ato që u takonin, si bie fjala Bosnja që u nda në tri njësi politike, ku rrezik të përhershëm për ekzistencën afatgjate të saj, përbën e ashtuquajtura “Republika srpska”, e cila iu duk pak Hashim Thaçit dhe tentoi ta bënte një të tillë edhe në Kosovë”, tha analisti politik.

Qarri gjithashtu ka shtuar se Veton Surroi nuk mund të zhvillojë si Hashim Thaçi kokë më vete, mirëpo analisti mendon se ky i fundit do të zhvillojë bisedime vetëm për tema të caktuara.

“Ndaj edhe nëse vërtetë është thirrur Veton Surroi për të qenë pjesë e dialogut me Serbinë, unë personalisht, Surroin nuk e adhuroj si politikan, por e shoh si diplomat të shkathët. Madje Surroi nuk mund të zhvillojë si Hashim Thaçi kokë më vete bisedime për çfarëdo qoftë, por mund të marrë për detyrë dhe obligim të zhvillojë bisedime vetëm për tema të caktuara brenda platformës që pritet të përgatitet nga qeveria e re, për dialog me Serbinë”, tha ai.

Krejt në fund, Qarri ka nënvizuar se presidentja dhe kryeministri i ri do të kërkojnë vendosjen para drejtësisë dhe dënimin e kriminelëve serb, për gjenocidin dhe krimet e shkaktuara në Kosovë.

“Për aq më tepër, ajo që është me shumë rëndësi për Republikën e Kosovës, është fakti se në tavolinë nuk do të ketë më tema as teori konspirative, si në kohën e Thaçit, për këmbime territoresh dhe as kërkesa si ato të zëdhënësit të Thaçit, Baton Stanishiqit për amnistinë e kriminelëve serb. Përkundrazi, që në nismë të rifillimit të dialogut me këtë shtet okupator, siç ka paralajmëruar vet presidentja dhe kryeministri i ri i vendit, do të kërkohet vendosja para drejtësisë dhe dënimi i kriminelëve serb, për gjenocidin dhe krimet e shkaktuara në Kosovë, gjatë viteve të luftës dhe okupimit të vendit tonë nga Serbia hegjemoniste, e cila deri në momentin e fundit,të udhëheqjes së kuislingut Thaçi, nuk ndërpreu asnjëherë tentimet, për grabitjen e veriut dhe tokave më vitale të Kosovës, përfshi edhe vet Trepçën me flotacionet dhe minierat kryesore të saj”, ka deklaruar në fund analisti Gani Qarri për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat