Thirrjet e deputetëve gjermanë për vizat, çfarë duhet të bëjë Kosova

Politika

Thirrjet e deputetëve gjermanë për vizat, çfarë duhet të bëjë Kosova

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 maj 2021 Në ora: 22:17
Foto ilustrim “Bota sot”

Shteti i Kosovës është i vetmi vend në Ballkan i cili ende nuk ka liberalizim të vizave.

Bashkimi Evropian i ka vënë kushte për t’i plotësuar Kosovës, që të ndodh një gjë e tillë. Megjithatë, Kosova ka përmbushur kushtet e kërkuara nga BE dhe akoma vendi jonë vazhdon të mbetet jashtë BE-së.

Mirëpo, shteti i cili po bën thirrje vazhdimisht që të liberalizohen vizat për Kosovën është Gjermania. Madje disa deputetë gjerman kanë kërkuar liberalizimi të vizave.

Deputetja gjermane Renata Alt, kujtoi se kredibiliteti i BE-së në Ballkan është prej kohësh në rrezik: “Është komplet e pakuptueshme se përse Kosova ende nuk ka liberalizim vizash"

Ashtu sikurse Alt, edhe Manuel Sarrazin bëri thirrje për liberalizimin e vizave me Kosovën: “Është e papërfaqësueshme që Kosova të mbetet përjashta, edhe pse i ka përmbushur kushtet”, tha si. Sarrazin kërkoi gjithashtu që Gjermania të angazhohet më shumë për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së: “Kosova duhet të njihet si shtet, kjo është e panegociueshme për ne”, tha deputeti i të gjelbërve.

Edhe deputetët e CDU/CSU-së që folën më pas, si Christian Schmidt, CSU; dhe Peter Beyer, CDU; kërkuan liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. “Ne duhet të flasim më shumë me vendet skeptike, sidomos me Holandën dhe Francën: “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që i kemi vënë ne, pra, Bashkimi Evropian. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë tani dhe menjëherë”, tha Beyer.

Por, si komentohen këto deklarata dhe sa mund të ndikojnë që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave?

Mehazi: Shpresat për viza për qytetarët e Kosovës janë te ministrja Donika Gërvalla

Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo kërkesë është shpresëdhënëse, por thotë se këtë kërkesë a do ta marrë parasysh qeveria e Gjermanisë dhe të shteteve tjera evropiane.

Image
Sulejman Mehazi

“Kërkesa e deputetëve gjermanë për liberalizimin e vizave për Kosovën është për t'u përshëndetur e shpresëdhënëse për shkak se vjen nga shteti më i fuqishëm brenda BE-së, Gjermania. Problemi i gjithë kësaj është se kërkesat e deputetëve gjermanë a do t’i marrë parasysh qeveria e Gjermanisë dhe të shteteve tjera evropiane që hezitojnë të plotësojnë dëshirat e kahmotshme të qytetarëve të Kosovës. Nëse kushtet për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës janë përmbushur moti që nga qeveritë e mëparshme atëherë nuk ka arsye pse BE-ja të mos liberalizonte vizat për qytetarët e ngujuar të Kosovës”, është shprehur Mehazi.

Sipas tij, nëse Kosova ka përmbushur kriteret dhe ende nuk ka liberalizim të vizave, kjo tregon se BE-ja nuk ka qenë e kënaqur me qeverisjet e mëparshme të prapshta, të korruptuara të Kosovës.

“Nëse përmbushja e obligimeve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës është plotësuar pikë për pikë e në anën tjetër verifikimi i vizave nga shtetet evropiane askund, kjo tregon se BE-ja nuk ka qenë e kënaqur me qeverisjet e mëparshme të prapshta, të korruptuara të Kosovës. Besojmë se me ardhjen e qeverisë se re në krye me Kurtin do zgjidhet sa më shpejtë ky problem që në fakt duket i vogël, por mjaft serioz për qytetarët e Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Në fund, profesori ka thënë se shpresat për viza për qytetarët e Kosovës janë te ministrja Donika Gërvalla.

“Shpresat e liberalizimit të vizave janë te Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila është grua e gjermanit me poste të larta të Bundestagut, se, për shkak reagimit të burrit të Donikës në parlamentin e Gjermanisë mund të realizohet kjo dëshirë e liberalizimit të vizave të qytetarëve të Kosovës”, përfundon Mehazi.

Mehmeti: Është koha kur Kosova duhet të “rebelohet” për të drejtën e saj, e cila i është mohuar tashmë e shumë vjet

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, për “Bota sot”, ka thënë se krahas Gjermanisë përpjekje për liberalizim duhet të bëjë edhe Kosova dhe Shqipëria, përmes një platforme të përbashkët, e cila do të synonte që qytetarët e Kosovës mos të mbesin të izoluar.

Image
Faton Mehmeti

“Natyrisht se Kosova meriton vizat, sidomos me ardhjen e një qeverie që s’ka synim të vjedh vendin. Gjermania duket se e ka kuptuar këtë gjë andaj po kërkon liberalizim, për të cilin Kosova ka shumë nevojë. Krahas Gjermanisë përpjekje për liberalizim duhet të bëjë edhe Kosova dhe Shqipëria, përmes një platforme të përbashkët, dhe e cila do të synonte që qytetarët e Kosovës mos të mbesin të izoluar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Kosova duhet t’i vë kusht Serbisë që gjatë bisedimeve të hapet tema e vizave, sepse ndryshe s’ka asnjë dialog as me Serbinë dhe as me BE-në.

“Kosova duhet të vë kusht në bisedimet me Serbinë që të hapen vizat, ndryshe s’ka kuptim asnjë dialog as me Serbinë dhe as me BE-në. Është koha kur Kosova duhet të “rebelohet” për të drejtën e saj, e cila i është mohuar tashmë e shumë vjet. Presioni i Gjermanisë është i mirëseardhur, i nevojshëm dhe krejtësisht në favor të Kosovës, për të cilin qeveria dhe qytetarët e Kosovës janë mirënjohës”, ka përfunduar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat