Kritikat lidhur me reciprocitetin, vjen mbështetja për kryeministrin Kurti

Politika

Kritikat lidhur me reciprocitetin, vjen mbështetja për kryeministrin Kurti

Nga: N. H Më: 26 maj 2021 Në ora: 16:01
Albin Kurti

Qeveria e Albin Kurtit ka hequr dorë nga reciprociteti me Serbinë.

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, dje ka thënë se nuk ka dashur që të aplikojë masën e reciprocitetit për asnjë shtet fqinj, pasi që nuk e shohin si zgjidhje e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Pas këtij vendimi pati reagime të shumta nga krahu opozitar dhe shoqëria civile.

E, në lidhje me këto kritika ka folur analisti Mehazi.

Analisti politik, Sulejman Mehazi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se të kritikohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për lëshimet politike kundrejt Serbisë është shumë e arsyeshme dhe e dobishme, por të kritikohet e të mos përkrahet reciprociteti ndaj Serbisë së Vuçiqit, jo që është poshtërim politik, po dhe gjysmë tradhti.

Image
Sulejman Mehazi

“Mentaliteti politik njëherë e përgjithmonë duhet ndryshuar me një egoizëm pozitiv e favorizues kundrejt Serbisë e kurrsesi nuk duhet shikuar se çfarë do thotë SHBA-ja e BE-ja për fatin e Kosovës. Fati i Kosovës varet prej politikanëve të Kosovës. Sikurse Serbia që është e Vuçiqit e duhet ta mbrojë Serbinë, poashtu edhe Kosova është e Kurtit e duhet ta mbrojë Kosovën, e Kosova nuk mbrohet pa reciprocitete ndaj Serbisë. Nuk mundet Vuçiqi politikisht të jetë mbi Kurtin e Kosovën, kjo varet prej Albin Kurtit e jo prej SHBA-së e BE-së. Njëherë e përgjithmonë duhet ditur se reciprociteti nuk vjen nga jashtë, po nga brenda, nëse Kurti do jetë bindës ndaj Kosovës aq do respektohet edhe ndaj ndërkombëtarëve, SHBA-së e BE-së”, ka thënë Mehazi, për “Bota sot”.

Tutje Mehazi deklaron se nëse Serbia nuk pranon Republikën e Kosovës, pasaportat e Kosovës, mallrat e Kosovës, kushtetutën e Kosovës, krimet e bëra në Kosovë, pse dhe qeveria e Kosovës mos t’i përgjigjet me të njëjta masa politike e ekonomike.

“Fuqitë e mëdha politike kurrë nuk kundërshtojnë reciprocitetet politike ndërshtetërore bilaterale, përkundrazi nënçmojnë e mohojnë inferioritet politike qeverisëse, sikurse që janë mohuar qeveritë e mëparshme të Kosovës aq deri në mos lejimin e vizave të qytetarëve të Kosovës. Nëse Serbia nuk pranon Republikën e Kosovës, pasaportat e Kosovës, mallrat e Kosovës, kushtetutën e Kosovës, krimet e bëra në Kosovë, pse dhe qeveria e Kosovës mos t’i përgjigjet me të njëjta masa politike e ekonomike. Kurrsesi principet shtetërore të reciprocitetit nuk hidhërojnë SHBA-ne e BE-në, po Serbinë, të gjithë ata që do kritikojnë e akuzojnë principet shtetërore të reciprocitetit të Kurtit janë e do jenë kundër Kosovës e kundër vlerave evropiane e amerikane”,tha me tej ai.

Në fund ai shprehet se politika moderne i vlerëson reciprocitetet shtetërore e jo inferioritetet politike të llojeve të Thaçit ndaj Serbisë.

“SHBA-ja e BE-ja çmon burrështetasit me principe reciprocitetesh e kurrsesi ndryshe, raportet amerikane ndaj Kosovës kurrë nuk prishen për shkak barabarësisë së dy shteteve fqinje Kosovë-Serbi. Reciprociteti e ka kuptimin e mëvetësisë së Kosovës ndaj Serbisë”, tha në fund, profesori Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat