Demarkacioni me Malin e zi, rishikimi do të tregojë kush e tradhtoi Kosovën

Politika

Demarkacioni me Malin e zi, rishikimi do të tregojë kush e tradhtoi Kosovën

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 29 maj 2021 Në ora: 18:57
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës më 21 mars 2018, me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, kishte ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar kategorikisht këtë marrëveshje me Malin e Zi, sa që kishte marrë veprime të ndryshme për mos lejimin e votimit të saj në Kuvend.

Vetëm më 21 mars 2018, deputetet e VV-së kishin hedhur katër herë gaz lotsjellës.

Ndërkaq, 3 vite më vonë është ri-aktualizuar kjo temë. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë raportimit para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka treguar se është duke u rishikuar marrëveshja e Demarkacionit me Malin e zi.

“Ekziston mirëkuptimi me Malin e Zi dhe është vetëm çështje formale pjesa e ratifikimit nga ana jonë. E kemi në rishikim që të shohim të gjitha rrethanat dhe jo vetëm përmbajtjen por të gjitha rrethanat anësore”, ka deklaruar Gërvalla para deputetëve të Komisionit.

Rishikimi i demarkacionit me Malin e zi është mirëpritur nga ekspertët, ata shprehen se nëse arrihet rishikimi i marrëveshjes me shtetin fqinjë, atëherë duhet të ngrihet padi penale tradhti të lartë shtetërore.

Mehazi: Haradinaj ia cungoi një histori të lavdishme Kosovës

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e Gërvallës për rishikimin e demarkacionit me Malin e zi, ku ka përmendur edhe ish kryeministrin Ramush Haradinajn, i cili kishte premtuar një gjë të tillë.

“Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, me deklaratën e saj "se demarkacioni me Malin e Zi është duke u rishikuar" ka ringjallur ndjenjat plagosë se penduese të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, sot e kësaj dite nuk u mor vesh se pse zotëri Haradinaj pjesën më të ndjeshme të ngjarjeve heroike ia shkëputi Kosovës, ia cungoi një histori të lavdishme, Çakorrin dhe Zhlebit, e ia dha Malit të Zi. Tokën më vitale të heronjve të mbjellë me gjak ia dha Malit te Zi, pse? Pikërisht, humbja e Çakorrit ishte shkaku kryesor i humbjes së autoritetit të Haradinjat para qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori ka treguar se çfarë do të ndodhte nëse Gërvalla arrin një mirëkuptim me qeverinë e Malit të Zi .

“Këtë shkëputje historike e heroike nga trupi i Kosovës mundohet ta rikthejë e bija e dëshmorit të Jusuf Gervallës, Donika. Nëse me të vërtetë ministrja e diplomacisë gjen mirëkuptim me qeverinë e Malit të Zi të Driton Abazoviqit të rishikojnë demarkacionin për të rikthyer Çakorrin brenda Kosovës, atëherë ky veprim i Gërvallës do jetë edhe një satisfaksion shërues i plagëve politike të gabuara të Ramush Haradinajt”, ka potencuar Mehazi.

Ai ka theksuar se këtë gabim të Haradinajt mund ta përmirësojë ministrja Gërvalla.

“Rishikimi i demarkacionit me Malin e Zi e ka kuptimin e gabimeve politike të Haradinajt gjatë qeverisjes së tij, problemi është se a do pajtohet Mali i Zi, edhe nëse pajtohet qeveria e Malit të Zi me siguri do kërkonte kompensime territoresh, ua kthejmë Çakorrin na jepni territor tjetër. Gabimin politikë të Haradinajt rëndë mund ta përmirësojë Donika Gërvalla”, ka vlerësuar Mehazi.

Qarri: Padi panele për udhëheqësit dhe për deputetët e asaj kohe

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Rishikimin e demarkacionit e ka mirëpritur edhe analisti politik, Gani Qarri, duke përmendur kundërshtimet e Lëvizjes Vetëvendosje për demarkacionin me Malin e zi.

“Më në fund ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla gjatë raportimit para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë dha lajmin e shumëpritur se Qeveria e re e vendit, disa vite pas miratimit bizar në Kuvend, do ta rishikojë serish nga fillimi, demarkacionin dubioz me Malin e Zi. Në fakt Lëvizja Vetëvendosje ishte ajo, që e ka kundërshtuar fuqishëm që nga fillimi demarkacionin e formës dhe mënyrës së tillë tinëzare, për faljen e 8300 hektarëve tokë të Kosovës, Malit të Zi, siç vepruan e manipuluan partitë e inkriminuara deri sa realizuan qëllimin e tyre renegat”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Qarri ka risjellë në kujtesë veprimet të cilat i kishte ndërmarrë vetëvendosja për ta kundërshtuar demarkacionin me Malin e zi.

“Madje edhe në kohën kur insistohej të bëhej votimi në Kuvend, në përpjekje për ta penguar miratimin e tij, deputetët e VV-së, në vazhdimësi kanë hedhur edhe gaz lotsjellës, për çka vazhdojnë të përballen edhe sot me procese gjyqësore, në vend se para gjyqit dhe drejtësisë, të vendoseshin ata që bënë pazare me tokat e Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”

Më tej, Qarri ka potencuar se nëse rishikohet çështje e demarkacionit, atëherë Qeveria Kurti 2 duhet të ngritë padi penale për veprime antikombëtare e antishtetërore dhe tradhti të lartë shtetërore ndaj vendit kundër Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt.

“Ndaj vërtetë gëzon pa masë fakti, se vetëm pak kohë pas ardhjes në pushtet të binomit LVV-GUXO e Dr. Vjosa Osmanit, e bija e heroit të kombit Jusuf Gërvalla i cili u vra për çështjen madhore të atdheut, nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla deklaron publikisht se kjo çështje për rishikimin e përmbajtjes dhe rrethanave anësore të demarkacionit me këtë shtet, është ri aktualizuar dhe pjesa e ratifikimit ka ngelur vetëm çështje formale. Ndaj nëse vërtetë ky lajm i madh qëndron, dhe ky shtet fqinj tregon mirëkuptim, ashtu siç thuhet, për rishikimin dhe korrigjimin e gabimeve të bëra gjatë demarkacionit dhe 8300 hektarët e falur nga udhëheqësit shqipfolës, vendoset, që ashtu siç edhe ishin para këtij votimi të turpshëm, të mbeten toka të Kosovës, brenda kufijve të Republikës sonë, Qeveria e re duhet të ngritë urgjentisht padi penale për veprime antikombëtare e antishtetërore dhe tradhti të lartë shtetërore ndaj vendit kundër Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Murat Mehajt me bashkëpunëtor dhe të gjithë atyre që përmbi 21 vite shitën dhe falën tokat e Kosovës, duke u përpjekur deri në ditën që u rrëzuan nga pushteti, edhe për ndarjen dhe copëtimin e tërësishëm të saj”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Qarri ka edhe një sugjerim se çfarë duhet të bëhet me ata deputete të Kuvendit të cilët e votuan në atë kohë demarkacionin me Malin e zi.

“Kurse akti i deputetëve që kanë votuar dhe ngritur dorën për faljen e gjithë kësaj toke të vendit, një shteti fqinj, duhet të dënohet me ligj dhe rezolutë në Kuvend, atyre duhet tu hiqet menjëherë mandati i deputetit, të mos u njihet stazhi i kohës sa kanë defiluar si deputetë në Kuvend, duke i shpallur persona të dyshimtë dhe "non-grata" për faktin se kanë keqpërdorur besimin e votuesve dhe pozitën e përfaqësuesit të popullit për të tradhtuar interesat e vendit, si persona të padenjë, për të qenë më, në punë dhe pozita që kanë të bëjnë me shtetin, çështjet e përfaqësimit dhe interesat e vendit”, ka deklaruar Qarri për “Bota sot”.

Në fund, Qarri ka shtuar se çfarë do të thotë çështja e rishikimit të demarkacionit me Malin e zi për Qeverinë Kurti, si dhe për ata të cilët ishin me pushtet .

“Çështja e rishikimit të Demarkacionit, jo vetëm që është akti më i duhur i Qeverisë së re, por edhe dëshmia më e mirë, se partitë e inkriminuara të cilat gjatë gjithë kohës, patriotizmin e rrejshëm e kishin strehë të tradhtive dhe kamuflimit të shitjes së interesave të shtetit dhe popullit të Kosovës dhe se gjatë dy dekadave të qëndrimit në pushtet ,nuk janë marrë me asgjë tjetër, përveçse me tradhti ndaj vendit dhe shitjen e tokave të Kosovës duke zhvatë e plaçkitë çdo gjë të vlershme të saj e kthyer shtetin tonë në vend të pabanueshëm për shqiptarët dhe detyruar ata që vetëm në 13 vitet e fundit, me qindra mijëra ta lëshojnë Kosovën, më zi se në kohën e okupimit nga Serbia”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat