“I ka harruar të bëmat e Hotit kryeministër”, akuzat qesharake të Mustafës për reciprocitetin, ky është “halli” i tij

Politika

“I ka harruar të bëmat e Hotit kryeministër”, akuzat qesharake të Mustafës për reciprocitetin, ky është “halli” i tij

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 30 maj 2021 Në ora: 08:12
Avdullah Hoti, Isa Mustafa

Në konferencën rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari,  ka deklaruar se reciprociteti me Serbinë nuk është zgjidhje e problemeve. Por, më vonë ajo shpjegoi se është keqkuptuar deklarata e saj për reciprocitetin, duke shtuar se nuk ka dashur që t’i vendosin menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë.

Për, këto deklarata të Hajdarit ka reaguar ish kryeministri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryeministri i Kosovës, Isa Msuatafa. Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se reciprociteti me Serbinë ka qenë ndër kauzat kryesore të zgjedhjeve nga ana e të gjithë atyre që kanë garuar me Vetëvendosjen dhe në kuadër të kësaj partie, duke përfshirë kryeministrin Albin Kurtin, presidenten.

“Mund të them se reciprociteti me Serbinë ka qenë ndër kauzat kryesore të zgjedhjeve nga ana e të gjithë atyre që kanë garuar me LV-në dhe në kuadër të LV-së, pra qeverisë së tanishme, presidentes dhe kryeparlamentarit. Të gjithë këta tani formalisht janë në rregull, sepse kanë marrë vota nga qytetarët aq sa iu nevojiten të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan”, ka potencuar Mustafa për media.

Po ashtu, Mustafa e ka akuzuar Qeverinë Kurti për mashtrim.

“Pra, alternativat janë të qarta për qeverinë dhe të tjerët. Ata që iu kanë besuar zotimeve dhe premtimeve të tyre, tani e shohin realitetin. Qeveria po mashtron, por votën e shumicës e ka marrë të mashtrojë, të bëjë çfarë të dojë. Për fat të keq, edhe miratimin e një pjese të opozitës, që i mundësoi Vetëvendosjes konsolidimin e pushtetit absolut”, ka deklaruar Mustafa për mediat vendore.

Analistët për gazetën “Bota sot” kanë komentuar këto kritika të Mustafës, duke shprehur se këto deklarata të opozitës nuk duhet të merren seriozisht.

Lepaja i quan hipokrizi kritikat e Mustafës

Analisti politik, Fadil Lepaja, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se kritikat e opozitës qytetarët nuk i marrin seriozisht.

Image
Fadil Lepaja

“Opozita me  ish lider të rrënuar politikisht dhe politika që kanë pësuar debakël elektoral vështirë se mund të konsolidohet. As kritikat e tyre qytetarët nuk i marrin seriozisht”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu,  Lepaja ka komentuar edhe deklaratën e Msustafës, sa i përket çështjes së reciprocitetit me Serbinë.

“Mendoj se Isa Mustafa duhet të pushojë pak pas rënies së madhe dhe nëse ka ide, të vazhdojë me politikën në çfarëdo forme duhet të nxjerrë mësime nga debakli. Të kritikosh kundërshtarin se nuk po bënë diçka të cilën ti e ke kundërshtuar fuqishëm dikur është përpos hipokrizi, po aq edhe joseriozitet dhe mungesë respekti për elektoratin”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot".

Bytyçi: Mustafa nuk e ka hallin e reciprocitetit

Ndërkaq, opinionisti Adem Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka rikujtuar se Mustafa ishte kundër reciprocitetit të vendosur nga Qeveria Kurti 1.

Image
Adem Bytyçi

“Isa Mustafa më mirë do të ishte për të heshtur kur nuk ka çka thotë për Qeverinë Kurti. Isa Mustafa në mënyrë konstante ka qenë kundër masave të reciprocitetit me Serbinë, tani të jep sugjerime pse Kurti nuk e zbaton këtë masë është tepër qesharake”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas Bytyçit, ish kryeministri Mustafa nuk e ka hallin te reciprociteti.

“Unë nuk them se Isa Mustafa, nuk ka të drejtë të shpreh pikëpamjet e veta politike për cilido fenomen në vend, por sa i përket sugjerimeve se si duhej të veprojë Qeveria Kurti, lidhur me reciprocitetin, nuk e ka hallin të reciprociteti me Serbinë, por mendjen e ka se a do të ndërmerr diçka Qeveria Kurti ndaj terminalin tij doganor?”, është shprehur analisti.

Më tej, ai ka treguar se me cilën parti opozitare LDK-ja është në sinkron.

“LDK-ja, në të vërtetë pas çlirimit aktivitetin e saj politik, e harmonizuar në mënyrë konstante me synimet politike të PDK-së, mbase edhe tani edhe sa i përket qëndrimit kundër qeverisë Kurti është në sinkron me PDK-në”, ka thënë Adem Bytyçi për “Bota sot”.

Mehemti: Kurti e hoqi reciprocitetin

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, për “Bota sot” akuzat e Mustafës i quan mungesë të sinqeritetit pasi që bashkëpartiaki i tij, Hoti, ishte personi që e hoqi reciprocitetin me Serbinë.

Image
Faton Mehmeti

“Duket se Isa ka harruar se "piuni" i tij Avdullah Hoti e hoqi reciprocitetin dhe jo Albini. Andaj, të akuzosh tjetrin për veprimet që të tuat i kanë bërë është mungesë sinqeriteti dhe hipokrizi e pastër”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Në fund, Mehmeti ka shtuar se karriera politike e Mustafës është e vdekur.

“Me karrierën e tij të mbaruar politike, Isa Mustafa po kalon ditë të izolimit nga mediet, me deklarata të tilla kërkon vëmendje. Nuk besoj se ia vlen as të merresh me deklaratat e një njeriu të dështuar politikisht, me karrierën e tij politike tashmë të vdekur”, ka përfunduar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat