Sinjale të shuarjes së konkurrencës së brendshme në LDK – ja pse Përparim Rama u kandidua për kryetar të Prishtinës

Politika

Sinjale të shuarjes së konkurrencës së brendshme në LDK – ja pse Përparim Rama u kandidua për kryetar të Prishtinës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 qershor 2021 Në ora: 14:16
Lumir Abdixhiku dhe Përparim Rama

Zgjedhjet lokale po afrohen, kësisoj të gjitha partitë politike janë mobilizuar për të zgjedhur kandidatët e tyre më të duhur, për komunat e vendit.

E vëmendja më e madhe e natyrisht që jetë te kryeqyteti, Prishtina, ku secila parti do të synojë të dalw fituese. Pasi që dihet rëndësia e madhe e Prishtinës në zhvillimin ekonomik, shoqëror të vendit, ku si vendi me popullsinë më të madhe, ka edhe qarkullimin më të madh të bizneseve dhe veprimtarive të ndryshme.

E për një parti si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila pësoi goditje të madhe në zgjedhjet parlamentare, natyrisht që do të ishte sfidë përzgjedhja e një kandidati të duhur për Prishtinën.

Kryetari dhe kryesia e kësaj partie, befasuan me emrin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, ku doli të jetë arkitekti Përparim Rama. Ky i fundit, u përzgjedh jashtë partisë, duke aluduar në një mënyrë se po ka mungesë të konkurrencës së brendshme në LDK.

Njoftimin për kandidaturën e Përparim Ramës e bëri kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Ju njoftoj me kandidatin e LDK-së për Prishtinën. Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqiptar - i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komunitetit profesional e shoqërisë në përgjithësi - brenda e në diasporë padallim. Gjatë muajve të fundit kam takuar Përparimin disa herë. Kemi folur shtruar e qartë për problemet më bazike të Kryeqytetit. Për ngufatjen, ndotjen, ngarkesën e për dhënien e shpirtit të qytetit - të pamjes e përvojës, të hapësirës e komunitetit, të organizimit të vet jetës - të ndërtimit të Prishtinës në qytetin që e duam të gjithë. Kemi folur dhe për LDK-në e rrugëtimin që duam të ndërtojmë përpara. Bindjet e tij politike e ideologjike, me gjithë vullnetin e tij të madh për ndryshim, kanë kryqëzuar rrugët tona. Si profesionist i fushës, si emër ndërkombëtar, si aset i Prishtinës, kandidimi i tij për Kryetar të Kryeqytetit është përputhje natyrale e vizioneve tona”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

E njohësit politik në prononcimet për gazetën “Bota sot”, e vlerësuan lartë kandidaturën e Përparim Ramës, mirëpo ato hodhën dyshime se LDK po përballet me mungesa të kuadrove të brendshme.

Kapiti: Nuk ka konkurrencë të brendshme në LDK!

Image
Njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar kandidaturën e Përparim Ramës për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas tij, kjo kandidatura e Ramës nuk duhet të shihet me xhelozi nga anëtarësia e LDK-së, pasi kjo edhe tregon se LDK-ja si parti politike kërkon kandidatë jashtë radhëve të veta.

“LDK ka zgjedhur që arkitektin e njohur Përparim Rama ta kandidojë për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale. Këtë nuk duhet ta shohin me xhelozi anëtarësia e LDK-së, pasi kjo edhe tregon se LDK-ja si parti politike kërkon kandidatë jashtë radhëve të veta, edhe nga ata të paangazhuarit në politikë”, deklaroi ai.

Kapiti aludoi se kjo kandidaturë erdhi edhe si pasojë e mungesës së individëve të përshtatshëm për ta qeverisur Prishtinën.

Madje, ai tha është shuar edhe konkurrenca e brendshme të cilët mund t’i sjellin me shumë dëme sesa dobi LDK-së.

“Kjo ndoshta edhe pasi nuk ka individë të përshtatshëm për të drejtuar e qeverisur Prishtinën e trashëguar nga një keqqeverisje e papërgjegjshme e mëparshme ku Prishtina sot ka fizionominë e një katrahure urbane. Por arsyeja tjetër për këtë zgjedhje nga LDK-ja besoj se është për të shuar edhe konkurrentët e konkurrencës se brendshme të cilët mund t’i sjellin me shumë dëme sesa dobi LDK-së, nëse do të kishte një kandidaturë partiake”, theksoi Kapiti.

Tutje, analisti këtë veprim e cilësoi edhe si tentativë e kryetarit Abdixhikut për t’i hapur dyert e Lidhjes Demokratike të Kosovës për individë nga jeta civile, të aftë profesionalisht dhe të përgjegjshëm moralisht para detyrës e ligjit.

“Nga ana tjetër kjo shihet edhe si orvajtje e liderit të ri LDK-së, Z. Abdixhiku, për ta hapur LDK-në dhe për të ftuar që të angazhohen edhe për hesape politike të LDK-së së rinovuar individë nga jeta civile, të aftë profesionalisht dhe të përgjegjshëm moralisht para detyrës e ligjit, gjë që për këto cilësi vuan dhe është deficitare e madhe Kosova si në qeverisjet qendrore ashtu edhe në ato lokale”, nënvizoi ai.

Në fund, Kapiti tha se duke parë tkurrjet e elektoratit në zgjedhjet e fundit parlamentare, LDK me këtë shembull kandidimi kërkon që edhe ta rifitojë besimin e elektoratit.

“Pra nuk është e thënë se kusht për të kandiduar për deputet, por edhe për krye kuvendar të jetë domosdo anëtar politik i një partie. LDK-ja duke parë tkurrjet dhe rrjedhjet e elektoratit në zgjedhjet e fundit parlamentare me këtë shembull kandidimi kërkon që edhe të ftojë e të fitojë besim te elektorati dhe votuesit”, përfundoi Skënder Kapiti.

Qarri: Përparim Rama përzgjedhja e duhur e LDK-së, për kryetar të Prishtinës

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Kurse, analisti tjetër politik, Gani Qarri tha se partitë politike duke parë afrimin e zgjedhjeve lokale kanë filluar që të vendosin kandidaturat më të mira të tyre, madje edhe duke sjellë risi brenda partisë, si në rastin e Përparim Ramës në LDK.

“Duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale, po afrohen, partitë politike qysh tani, kanë filluar me caktimin e kandidatëve të tyre më të mirë, madje ndonjëra prej tyre, duke importuar figura të shquara dhe me emër të madh ndërkombëtar edhe nga jashtë partisë, si LDK, e cila është përcaktuar për arkitektin e shquar Përparim Rama, me gradën magjistër i shkencave të urbanizmit dhe arkitekturës botërore”, deklaroi ai gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”.

Qarri përmendi edhe përvojën dhe shkollimin e Përparim Ramës, dukë theksuar se LDK ka bërë përzgjedhjen të duhur.

Ai beson se Rama, është kandidatura më e mirë dhe figura më meritore e mundshme, që kryeqendra jonë dhe mbarë vendi.

“Përparim Rama aktualisht është anëtar i nderuar i Asociacionit të Arkitektëve të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe ligjërues në universitetet më të mirënjohura evropiane e botërore si në "Nottingham University School of Architecture", ‘University of East London’ etj, prind i mrekullueshëm i tre fëmijëve dhe qytetar i devotshëm i lindur dhe rritur në Prishtinë, ndaj lirisht mund të thuhet, se përzgjedhja e LDK-së, është kandidatura më e mirë dhe figura më meritore e mundshme, që kryeqendra jonë dhe mbarë vendi, ka kohë që e kërkonte dhe kishte nevojë ta kishte në krye të Prishtinës dhe udhëheqës të kryeqytetit”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, analisti shprehi pritshmëri të jashtëzakonshme ndaj Përparim Ramës, duke thënë se ai mund t`ia kthejë shkëlqimin e merituar dhe perspektivën që për mbi dy dekada i ka munguar Prishtinës.

“Vetëm me njerëz të tillë si Përparim Rama, profesionist i shquar i fushës, arkitekt i dalluar ndërkombëtar, i shpërblyer edhe me shumë çmime botërore, ish fëmijë i Prishtinës dhe përfaqësues i denjë i gjithë komunitetit profesional e shoqëror të shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, i dëshmuar e laureuar edhe në diasporë, i cili bashkon të gjitha arritje epike më sublime me emrin e tij, mund t`ia kthejë shkëlqimin e merituar dhe perspektivën që për mbi dy dekada i ka munguar Prishtinës”, theksoi Qarri.

Ai e përgëzoi kryetarin Lumir Abdixhiku për përzgjedhjen e tij të qëlluar, ku një person si arkitekt Ramën do të donin ta kishin të gjitha partitë politike.

“Ndaj thënë shkurt e shqip, emri të cilin Lumir Abdixhiku ka përzgjedhur, kësaj radhe ta kthej nga Londra, si arkitekti sublim Përparim Rama është përzgjedhja më e mirë dhe më e qëlluar, që me shumë dëshirë, do të dëshironte ta kishte për kandidat të vetin, secila parti dhe jo vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës.

Udhëheqës që do ta bënte krenar kryeqytetin dhe mbarë komunën e Prishtinës, duke filluar nga kandidimi i tij në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në vjeshtën e këtij viti në Kosovë, prej kur dhe pritet të fitojë dhe rrugëtimin e tij nëpër botë, ta vijojë me suksese të njëjta rrezatuese edhe në vendlindjen e vet dhe kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë”, potencoi ai.

Qarri përmendi edhe kaosin, ngufatjen dhe stagnimin e Prishtinës që nga paslufta, duke thënë se tani është moment i duhur që të bëhet një nismë e mirë dhe e mbarë për ti dhënë kryeqytetit pamje evropiane.

“Në mënyrë që pas stagnimit dy-dekadësh kaosit dhe ngufatjes edhe në kryeqytetin e Kosovës të fillohet me ndonjë nismë të mirë e të mbarë për ti dhënë kryeqytetit pamje evropiane, me projekte të reja zhvillimi, planifikim e ndërtim profesional dhe vizionin bashkëkohor të organizimit të jetës, që secili ta gjejë dhe ndjejë veten sa më mirë në kryeqytetin e vendit tonë, ashtu siç duan dhe ëndërrojnë, tash e sa kohë, prishtinasit dhe të gjithë ne, duke i dhënë fund kaosit e ngufatjes dhe problemeve të deritanishme kronike të qytetarëve në Prishtinë”, deklaroi analisti.

Në fund, ai tha se një model i ri dhe emër i duhur duhej të zgjidhej shumë më parë për kryetar të Prishtinës, në mënyrë që kryeqyteti të mos zhytej në një kaos të tillë, ku e kanë futur tash e mbi dy dekadat Ismet Beqiri, Isa Mustafa dhe Shpend Ahmeti.

“Përzgjedhje vërtetë shumë e qëlluar, të cilën ka ditur ta bënte vetëm LDK, një profesionist i shquar me emër të madh ndërkombëtar dhe zgjedhja më e natyrshme e mundshme që mund të bëhej, të cilës jo vetëm që nuk mund ti bëhet kurrfarë vërejtje, por edhe duhet duartrokitur si model i ri dhe emër që nuk besoj se mund ti bëjnë konkurrencë të denjë asnjë nga kundër kandidatët i cilësdo parti, që në fakt do të duhej të importohej shumë kohë më herët, në mënyrë që të mos zhytej kryeqyteti i shtetit tonë të brishtë në një kaos të tillë, ku e kanë futur tash e mbi dy dekadat Ismet Beqiri, Isa Mustafa dhe Shpend Ahmeti”, përfundoi Gani Qarri, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat