Dialogu me Serbinë, si duhet të veprojë tutje Kosova

Politika

Dialogu me Serbinë, si duhet të veprojë tutje Kosova

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 1 qershor 2021 Në ora: 20:08
Kurti, Palmer dhe Lajҫak

Gjatë ditës së hënë, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak kanë qëndruar në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për rifillimin bisedimeve.

Këta dy përfaqësues janë takuar me krerët më të lartë të shtetit, duke përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti.

Kurti në fillim të marrjes së qeverisjes kishte deklaruar se nuk e ka primare dialogun me Serbinë.

Ai vetëm një ditë pasi kishte marrë detyrën e kryeministrit kishte thënë se parimet e reciprocitetit dhe barazisë duhet të jenë pika fillestare dhe jo vetëm rezultati i bisedimeve.

“Ne duhet të diskutojmë me Serbinë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfitues përfundimtarë. Kjo është arsyeja përse reciprociteti, barazia nuk mund të jetë rezultati përfundimtar (i bisedimeve), duhet të jetë pika fillestare. Dhe, njerëzit duhet të jenë përfituesit përfundimtarë”- pati deklaruar Kurti.

Burjani: Merkel, Borell dhe Lajҫak po bëjnë përpjekje kthimin e dialogut në normale

Njohësit e ҫështjeve në vend vlerësojnë se ҫështja e dialogut me Serbinë është hezituese për këtë qeveri dhe për këtë tashmë ka fakte.

Kështu, Blerim Burjani, njohësi i ҫështjeve juridike, ka thënë se këtë e dëshmojnë tashmë letrat e Marcon, biseda me Merkel, Borell dhe Lajҫak.

Image
Blerim Burjani

“Po kjo ҫështje është pak a shumë hezituese nga kjo qeveri, këtë e dëshmojnë letrat e Macron, biseda me Merkel , Borell dhe Lajҫak, ka një kohë që këta që e përmenda po bëjnë përpjekje që ta kthejnë dialogun në normale, tërë procesi është në heshtje, se me pak fjali nga kjo qeveri aktuale ku thuhet se duhet të ketë dialog të përgatitur mirë dhe të zhvillohet i barabartë, por në anën tjetër nuk ka ndonjë sinjal”, ka deklaruar Burjani për gazetën "Bota sot".

Duhanaj: Dialogu nuk ka alternativë, një qeveri ose i përmbahet, ose bie

Ndërkaq, analisti politik Leon Duhanaj ka vlerësuar se Qeveria Kurti, që nga fillimi duket se prioritet kryesorë e ka qasjen ndaj publikut vendor, përkatësisht ruajtjen e imazhit të brendshëm.

Image
Leon Duhanaj

“Krejt mënyra se si e ka bërë renditjen e prioriteteve, në fakt ka pasur qëllime elektorale, e jo prioritetet reale. Në fakt tema apo çështja e dialogut, nuk ka alternativë dhe se një qeveri ose i përmbahet, ose bie. Z. Kurti, ketë e ka përjetuar në lëkuren e tij në përpjekjen e parë për të qeverisur me vendin. Edhe "shtyrja"e takimit formal me Presidentin e Serbisë, u bë në mënyrë që z. Kurti ta ruajë imazhin e brendshëm, përderisa agjenda e BE-së ka vazhduar e pandërprerë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Kosovës i duhet një dakordim i brendshëm rreth një platforme për këtë proces.

“Nuk është frytdhënëse mënyra se si kosovarët merren me agjenda të llojllojshme rreth zgjidhjes së çështjes. Kosova ka dhe duhet ta ketë një interes dhe një rrugë. Rrugët alternative e dezintegruese nuk na çojnë askund”, ka vlerësuar Duhanaj.

Tutje, ai ka shtuar se pavarësinë e kemi fituar me miqtë ndërkombëtarë dhe bashkëpunimi me ta duhet të vazhdojë.

“Lirinë dhe pavarësinë e fituam në bashkëpunim me miqët tanë ndërkombëtar, përkatësisht SHBA-të dhe shtetet tjera të QUINT-it dhe me ketë bashkëpunim do duhej edhe përfunduar. Shanset janë të mira, koha është për zgjidhje, duhet të merret me seriozitet sepse koha nuk kthehet pas”, përfundon analisti Leon Duhanaj për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat