“Kujdes!”/ Vjen paralajmërimi për Qeverinë Kurti: Ja si po tenton PAN-i t`i shmangen hetimit e krimeve

Politika

“Kujdes!”/ Vjen paralajmërimi për Qeverinë Kurti: Ja si po tenton PAN-i t`i shmangen hetimit e krimeve

Nga: A. Morina Më: 2 korrik 2021 Në ora: 08:28
Qeveria e Kosoves

Qeveria Kurti me rastin e 100 ditëshit, u përballë me kritika dhe akuza të shumta nga kundërshtarët e saj politik, kryesisht nga subjektet opozitare.

Kritikat këtë qeveri e shoqëruar që nga votimi i saj me 22 mars, siç duket partitë të cilat ishin mësuar me pushtetin, iu erdhi rëndë, pozicionimi në opozitë, sa që për asnjë moment nuk u ndalën së reaguri kundër vendimeve të Qeverisë Kurti.

E lidhur me këtë, analisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar përballjet e kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe krye diplomates Donika Gërvalla me palën serbe dhe akuzat që u janë bërë nga partitë opozitare.

Image
Idriz Zeqiraj

Ai theksoi se këto akuza që po iu bëhen udhëheqësve shtetëror nga opozita janë të qëllimshme dhe nuk kanë asnjë bazë faktike.

“Përballjet e deritashme të presidentes Osmani, kryeministrit Kurti, ministres të jashtme Gërvalla, me palën serbe, kanë qenë në nivel dhe dinjitoze. Akuzat e opozitës janë të qëllimshme, shpifëse, pa asnjë bazë faktike dhe as logjike. PAN-istët të familjarizuar me krimin, hulumtojnë se çfarë kanë thënë qeveritarët aktualë, vite më parë, për krimin dhe kriminelët. Dhe, kërkojnë kërkim-falje nga qeveritarët sot! Po, sikur familjarët e të vrarëve politikë, t`u kërkojnë vrasësve dhe mbrojtësve të krimit: "I duam njerëzit tanë, baballarët dhe djemtë, të gjallë!" Atëherë, shtrohet pyetja, çfarë do të bënin kriminelët dhe mbrojtësit e tyre, tashmë, pjesë e krimit?!?”, deklaroi analisti.

Zeqiraj krahas këtyre akuzave përmendi edhe protestat e paralajmëruara nga OVL e UÇK-së dhe skandalin e organizuar nga Serbia, për të cilin ish-gjykatësi Malcolm Simmons po kërkon të raportojë në Kuvendin e Kosovës. 

“OVL e UÇK-së, me pompë e bujë, shpërndante dosjet, të Gjykatës Speciale, të sjellura nga Serbia, përmes agjentëve të tyre në Kosovë, për ta sabotuar Gjykatën Speciale, me denoncimin dhe devalvimin e dëshmitarëve të mbrojtur, për t`i frikësuar ata dhe cytje hakmarrëse kundër tyre. 

Në vijim të këtij skandali, të organizuar nga Serbia, ish-kryetari i Gjykatës të Eulexit Malcolm Simmons, i paguari i dyfishtë, kërkoi raportim në Kuvend, për shkeljet e Eulex-it dhe Gjykatës së tij. Ai, për të justifikuar pagesën e majmë të marrë, nuk priti as përgjigje. Por, vazhdoi me shpalosjen e rrëfimeve të tij, të cilat EULEX-i demantoi trillues e gënjeshtar, që shpifë me pagesë”, theksoi ai.

Gjithashtu, njohësi i çështjeve politike përmendi edhe anketat dhe sondazhet e shumta, të cilat kërkojnë hetimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të viteve të fundit. Ai po beson që kjo qeveri ka guximin e veprimit, për ta goditur të keqen, që po e mban peng Kosovën.

“Sondazhet, anketimet publike në Kosovë, madje, të përsëritura, në masën tej 85 % kërkojnë hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e kriminelëve. Sepse, pavarësisht viteve, krimit nuk i skadon afati, aq më pak, krimit politik, i bërë i ngeshëm, paraprakisht, i listuar dhe me ekzekutim nga bandat e PAN-it. 

Një dallim i madh, në mes të qeverive të kaluara dhe të qeverisë aktuale, është ligji i aprovuar për hetimin e pasurive të vjedhura, abuzimi me paranë zyrtare, si dhe sekuestrimi, konfiskimi i pasurisë pa mbulesë faktike. Këtë ligj, as në ëndërr nuk e kishin parë qeveritë e shkuara korruptive, hajnore. Sepse, krye qeveritarët ishin në krye të listës abuzive, përvetësuese, vjedhëse. Dhe, mund të rendisim shumë shembuj, lista e epërsisë absolute e kësaj qeverie, me të gjitha qeveritë e mëparshme. Sepse, kjo qeveri ka guximin e veprimit, për ta goditur të keqen, që po e mban peng Kosovën”, nënvizoi ai.

Gënjeshtra kolektive e pushtetarëve:  "I kemi plotsuar kushtet për liberalizim të vizave!?" 

Në vazhdim, Zeqiraj nuk harroi ta cek edhe mos liberalizimin e vizave, të cilin e sheh si një dështim total të qeverive të kaluara, ku udhëheqësit e mëparshëm gënjenin se liberalizimin e lehtëson Asociacioni, Demarkacioni, etj.

“Çështja e liberalizimit të vizave, ishte një provë, që përtoku dinjitetin dhe patriotizmin të zyrtarëve më të lartë shtetërorë, pushtetarë dhe të pjesës absolute të deputetëve. Ishin të gatshëm ta këmbenin Demarkacionin, me liberalizimin e vizave. Ishte e turpshme dhe tradhti. Edhe populli heshti, para kësaj maskarade.  

Edhe ndërkombëtarët e kuptuan se shtetarët e Kosovës, janë gati për çfarëdo kompromisi, vetëm të bëhet liberalizimi i vizave. Madje, edhe një zyrtare e BE-së, së fundi, tha se liberalizimi i vizave, lehtëson Marrëveshjen për Asociacionin! Qeveritë e kaluara, pa përjashtim dështuan. Duhet pranuar se Vetëvendosje, ishte e vetme në mbrojtje të Republikës të Kosovës. Dhe, ky është dallimi epëror në mes qeverive paraprake, me qeverinë aktuale”, potencoi analisti.

Ai përmes disa pyetjeve ia rrëzoi hipotezat pushtetarëve të kaluar se "Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, për liberalizimin e vizave!".  

“Shtetarë dhe pushtetarë të Kosovës, bashkohen në gënjeshtrën e madhe dhe klishe: "Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, për liberalizimin e vizave!"  

Mjaftojnë disa pyetje:  

a) Sa krime të vrasjeve politike ka zbuluar drejtësia e Kosovës? 

b) Sa makro-hajna zyrtarë janë zbuluar e dënuar në Kosovë? 

c) Sa pasuri të paluajtshme, të uzurpuara ose të blera nga APK, me çmime qesharake, ua keni kthyer brezave   shqiptarë, shtetit të Kosovës? 

d) Sa vjedhje e tenderime korruptive janë hetuar, zbuluar dhe dënuar?”, renditi ai.

Tutje, Zeqiraj tha se përmes mashtrimit shefat e PAN-it, po duan të hedhin mjegull dhe t’i shmangin hetimet. Ai përmendi edhe fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo për krimin edhe korrupsionin, ku beson që kjo do të ndihmojë në avancimin e Kosovës drejt njohjeve të. 

“Mashtrimi, gënjeshtra e turpshme dhe kriminale e shefave dhe kuadrove të partive-banda të PAN-it, nuk befason askënd, sepse janë brenda "lojës" së krimit dhe të korrupsionit galopant. Ata duan mjegull, t`i shmangën hetimit dhe ndëshkimit. 

Fushata e koalicionit LVV-Lista -GUXO-, është prirë me premtimin: "Luftë krimit të organizuar vrastar dhe hajnisë zyrtare", për ta vendosur drejtësinë e permjerë, për t`ia kthyer dinjitetin e përbaltur shtetit të Kosovës. Rrjedhimisht, për ta përmbushur kërkesën bazë të BE-së dhe më gjerë. Dhe, liberalizimi do të realizohet, natyrshëm, por, edhe avancimi i Kosovës drejt njohjeve të reja dhe bërja pjesë e organizatave ndërkombëtare”, u shpreh analisti.

Ai tha se ka një tendencë që edhe koalicioni LVV dhe Lista -GUXO-, t`i bashkohet mashtrimit dhe gënjeshtrës të opozitës, se, kinse, Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet. 

“Përndryshe, nëse krerët dhe kuadrot e koalicionit aktual qeverisës, pranojnë se janë përmbushur kushtet, atëherë, demantojnë vetën, se kanë mashtruar e gënjyer elektoratin, popullin.  

Për keqardhje, ka një tendencë që edhe koalicioni LVV dhe Lista -GUXO-, t`i bashkohet mashtrimit dhe gënjeshtrës të opozitës, se, kinse, Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet, përfshirë edhe atë të luftimi të krimit të organizuar vrastar dhe të korrupsionit, përkatësisht, të hajnisë zyrtare. Presidenti disident çek, Vaclav Havel, miku i mirë i Presidentit Rugova, thoshte: "Kurrë nuk e kam gënjyer popullin tim dhe as që do ta gënjej ndonjëherë!"”, deklaroi Zeqiraj.

Krejt në fund, analisti nga Gjermania paralajmëroi se nuk është në dorën e presidentes Osmani që të bëhet liberalizimi i vizave, por që shteti i Kosovës duhet t’i kryej detyrat e tij.

Gjithashtu, ai kërkoi nga Qeveria Kurti të qëndrojë me këmbë në tokë dhe mendje të kthjelltë, si Dr. Rugova. 

“Askush nuk mund të japë garanci, madje as presidentja Vjosë, se, nëse me liberalizimin e vizave, do të këtë largime masive nga Kosova. Por, shteti i Kosovës duhet t`i kryejë detyrat e tij. Ndërkohë, shtetet e BE-së, lë t`i zbatojnë ligjet e tyre, ndëshkimin e shkelësve të afateve të përcaktuara, ndalim hyrje për 3,5, 10 vjet në atë shtet. Dhe, kjo i disiplinon edhe malësorët e Ballkanit, përkatësisht, të Kosovës. 

Fundazi, nisma drejtuese e qeverisë Kurti, është premtuese, në rrugë të mbarë. Kthim prapa nuk ka. Ecja para, qoftë edhe me pengesa, duhet vazhduar. Bota u përket guximtarëve reformatorë. Qëndroni me këmbë në tokë dhe mendje të kthjelltë, si Dr. Rugova, në gjallje të Tij. Fitorja do t`ju buzëqeshë!”, përmbylli Idriz Zeqiraj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat