Vjen parashikimi/ Bazuar në deklaratat e Simmonsit, ky del të jetë burimi i skandaleve në Kosovë

Politika

Vjen parashikimi/ Bazuar në deklaratat e Simmonsit, ky del të jetë burimi i skandaleve në Kosovë

Nga: A.Morina Më: 13 korrik 2021 Në ora: 21:19
Malcolm Simmons

Gjatë ditës së djeshme, ish-kryegjykatësi, Malcolm Simmons deklaroi se EULEX-i është cytur që t’i largojë nga skena politika disa persona që cilësoheshin si “peshqit e mëdhenj".

Simmons gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, tha se për të dënuar politikanë të rangut të lartë, bëhej presion nga ndërkombëtarët dhe jepeshin decidivisht kërkesa specifike.

“Më kanë thënë se misioni ka synuar të largojë nga jeta politike persona që quheshin peshqi të mëdhenj. Më thanë se presin të shohin gjykatësit e EULEX-it t’i dënojnë ata”, tha Simmons, shkruan "Bota sot".

Ai përmendi rastin e politikanit tashmë të ndjerë serb, Oliver Ivanoviq.

Këtë deklartaë të Simmonsit e ka komentuar profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Ai këto deklarime të ish-kryegjykatësit i cilësoi të vonuara, duke ngritur pyetjes se “pse kur ka qenë në detyrën e kryetarit të gjykatës së EULEX-t Simmons ka heshtur e nuk ka treguar asgjë?”.

“Ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, shumë me vonesë i tregoi të gjitha këto skandale njëzetvjeçare, pse kur ka qenë në detyrën e kryetarit të gjykatës së EULEX-t Simmons ka heshtur e nuk ka treguar asgjë?, vetë thotë se "erdhëm të vendosim ligje në Kosovë, por drejtësi jo", erdhën për krimet e luftës, mirëpo askush nuk u dënua. Normale se Kosova pas çlirimit nuk i kishte gjyqet e veta dhe EULEX-i erdhi për drejtësi në Kosove, por drejtësia askund, nëse Simmons thotë se EULEX-i është skandalizuar, atëherë koka e skandalit të EULEX-it ka qenë vetë ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons”, deklaroi Mehazi.

Në vazhdim, profesori u befasua se si pas 22 viteve përmendenkrimet, rastet "Kleçka" e "Drenica", vrasja e Oliver Ivanoviqit, e shumë tema të tjera.

Ai tha se duke u bazuar në këto shkelje të ligjit, atëherë mund të thuhet se drejtësia është mbushur me skandale korruptive.

“Tani, pas 22 viteve të kaluara ish-kryetari i gjykatës ndërkombëtare EULEX përmend, krimet, Gjykatën Speciale, Oliver Ivanoviqin e vrarë, tani përmenden rastet, "Kleçka" e "Drenica" si abuzimet më të mëdha të këtij misioni, po ku ishte ish-personi më i autoritetshëm i gjykatës së EULEX-it, Simmons pse nuk veproi ai me drejtësinë, më e keqja thotë se ligje sjellëm në Kosovë, por drejtësi jo. Sipas teorisë juridike, nëse ligji nuk i përmbahet drejtësisë, atëherë drejtësia zëvendësohet e mbushet me skandale korruptive, skandalet korruptive e kanë kuptimin e kaosit juridik”, vlerëoi ai.

Tutje, Mehazi tha se nëse qëllimi ka qenë largimi i “peshqve të mëdhenj”, atëherë kjo gjë është dashur të ndodhë menjëherë pas luftës.

“Nëse cytja e EULEX-it ka qenë dhe është për të larguar nga skena politika “peshqit e mëdhenj”, atëherë është dashur që pas luftës e çlirimit të Kosovës nga Serbia, të burgoseshin "peshqit e medhenj" politik e jo pas njëzet e dy vitesh ish-gjykatësi Simmons i është kujtuar të tregojë misionin e EULEX-it në Kosovë. Krimet, vrasjet, varrezat masive, "peshqit e mëdhenj" nëse nuk zbulohen me shpejtësi me kalimin e kohës harrohen, harresa është e kundërta e kujtesës, me humbjen e kujtesës humbin edhe dëshmitë juridike”, theksoi profesori.

Krejt në fund, ai potencoi se duke u bazuar në deklaratat e Malcolm Simmons, atëherë mund të vijmë në përfundim se EULEX-i ka qenë burimi i skandaleve të "peshqve të mëdhenj" politik të Kosovës

“Sipas dëshmive të ish-kryetarit të gjykatës së EULEX-it Malcolm Simmons në komisionin për legjislacion në Kuvendin e Kosovës del se EULEX-i paska qenë burimi i skandaleve njëzetvjeçare së bashku me "peshqit e mëdhenj" politik të Kosovës”,përmbylli Sulejman Mehazi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat