Akuzat e rënda nga Simmons, Mehmeti tregon arsyet pse po ndodhë kjo: Pse Fatmir Limaj...

Politika

Akuzat e rënda nga Simmons, Mehmeti tregon arsyet pse po ndodhë kjo: Pse Fatmir Limaj...

Nga: P.R Më: 14 korrik 2021 Në ora: 20:41
Fatmir Limaj

Ish gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons ka hedhur akuza të rënda ndaj misionit në të cilin shërbeu. Sipas Simmons, EULEX-i ka dashur t’i heq nga skena politike disa “peshqit të mëdhenj”.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka përmendur disa nga skandalet e EULEX-it në Kosovës, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet tek dëshmitarët.

E menjëherë pas akuzave të tij, kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, i cili ishte vetëm njëri nga “peshqit e mëdhenj”, i doli në mbështetje Simmons-it, duke e cilësuar alarmante dëshminë e Malcolm Simmons në Kuvendin e Kosovës.

”Duhet të jetë alarmante për vendin. Nga ajo që dëgjova sot në atë dëshmi mendova me veten: A thua sa njerëz janë në burgjet e Kosovës që janë duke u mbajtur në mënyrë të padrejtë?. Për çfarë shteti të së drejtës po flasim nëse në burgjet e Kosovës ka djem apo vajza janë të dënuara me direktiva dhe jo mbi bazën e provave dhe fakteve. Kjo është alarmante, flitet për jetën e njerëzve. Sa dëmi më është shkaktuar mua personalisht mua dhe disa njerëzve të tjerë, e që nuk riparohen edhe disa jetë me i pasur. Sa herë është përfolur dhe keqpërdorur familja ime. Kush mundet ne me na i riparuar të gjitha ato që kanë ndodhë. Nuk luhet me jetën e njerëzve, autoritetin e njerëzve. Fatkeqësisht, këtu në Kosovë i patëm qit emrat e rrugëve me prokurorë. Në Prishtinë nisën edhe emërtime të rrugëve gjoja ata janë shpëtimtarë”, deklaroi Limaj.

Por sipas analistit politik, Faton Mehmeti, deklaratat nga Malcolm Simmons mund të jenë tentativë për të diskretituar EULEX-in.

Image
Faton Mehmeti

“Paraprakisht duhet të merret në pyetje Simmons, të dihet pse i ka bërë këtë deklarata dhe a janë të vërteta. Nuk duhet ngutur që të krijohet një mendim se e gjithë puna EULEX-it paska qenë që të fabrikojnë dosje. Ka mundësi që të jetë tentativë për të diskretituar EULEX-in, nga një gjyqtar që mund të këtë krejtësisht personale këto deklarata me dikë nga më të mëdhenjtë brenda selisë së EULEX”, shprehet Mehmeti.

Kurse reagimin e Fatmir Limajt, Mehmeti e sheh si viktimizim të tij.

“Reagimi i Limajt ngjante më shumë i një viktime që po sheh triumfin e drejtësisë, pa harruar se Limaj nuk është dënuar nga EULEX-it, edhe pse ishte i përfshirë në rastin "Kleçka". Pra, nëse e gjithë paska qenë fabrikim i dosjeve dhe akuzave, si është e mundur që Limaj nuk është dënuar?!”, deklaron Mehmeti për “Bota sot”.

Më tej, analisti Mehmeti shton se deklaratat nga Simmons vijnë pikërisht në kohen kur në Hagë pritet të nis gjykimi ndaj ish komandantëve të UÇK-së.

“Kështu që këtu ka diçka që nuk shkon, dhe e cila po themi ka shumë mundësi të jetë pjesë e një osketrimi për të diskredituar EULEX-in, pikërisht në kohen kur në Gjykatën e Hagës pritet të fillojë gjykimi ndaj ish komandantëve të luftës, me EULEX që është pjesë e Gjykatës Speciale. Ose, edhe mund të jetë krejtësisht personale e Simmons, për arsyet të cilat duhet të merret ai në pyetje personalisht”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat