Front i përbashkët shqiptar kundër Listës serbe

Politika

Front i përbashkët shqiptar kundër Listës serbe

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 gusht 2021 Në ora: 10:53
Ilustrim

Zgjedhjet lokale po afrojnë. Të gjitha partitë politike kanë bërë të ditur kandidatët me të cilët do të garojnë për kryetar të komunave të Kosovës.

Mitrovica e Veriut aktualisht udhëhiqet nga Milan Radojeviq, pjesë e Listës Serbe.

Por atje, partitë shqiptare Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK dhe AKR, janë bashkuar që të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet e 17 tetorit.

Një gjë të tillë analistët e kanë parë si sinjal pozitiv madje kanë shprehur dëshirën që të fitojë koalicioni autokton vendor.

Duhanaj: Edhe nëse nuk ka rezultat, prezantimi ynë i bashkuar është një fitore e madhe

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj, këtë nismë e ka e parë si tejet pozitive, duke thënë se prezantimi ynë i bashkuar është një fitore e madhe.

“Marrëveshja e partive politike shqiptare për t'u bashkuar në koalicion parazgjedhor në komunën e Mitrovicës është një sinjal tejet pozitiv. Sa i përket rezultatit, nuk besoj që kemi kapacitete për të fituar, megjithatë prezantimi ynë i bashkuar është një fitore e madhe”, ka thënë analisti.

Ai shpreson që ky rast shërbejë si shembull edhe për çështje të tjera politike sidomos në aspektin nacional.

“Uroj që ky rast të na shërbejë si shembull edhe për çështje të tjera politike sidomos në aspektin nacional. Politika, por edhe qytetarët përkrahës të subjekteve politike, duhet ta kuptojnë se është më se e nevojshme të zbuten gjakrat dhe antagonizmat kundërshtues dhe, të filloj një fazë e re ku mbizotëron gara programore politike dhe bashkëpunimi i sinqertë në të mirë të vendit dhe kombit”, përfundon ai.

Qarri: Shpresoj të fitojnë, të mos udhëhiqen më nga segmente të imponuara nga Aleksandër Vuçiqi

Ndërsa analisti politik, Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se unikfimi i partive politike atje është, fat i mirë për qytetarët në Mitrovicë.

“Për fatin e mirë të qytetarëve të këtij vendi, pas më tepër se dy dekadave të sundimit nga udhëheqësit e bandave serbe dhe grupet e krimit të organizuar nga Serbia në Veri të vendit tonë, partitë shqiptare në Mitrovicën e Veriut, përfundimisht kanë vendosur që të garojnë së bashku kundër filialit të Vuçiqit, si "Lista srpska", e cila ka kohë që qeverisë në mënyrë moniste dhe arbitrare në këtë pjesë të qytetit historik të minatorëve, qytet i cili ishte vatër e zhvillimeve kryesore politike dhe e lëvizjeve më të njohura patriotike në kohët më të vështira në Kosovë.

Madje përveç LVV-së, PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe AKR-së, të cilat më në fund arritën të unifikohen dhe të garojnë me një listë të përbashkët duke u dakorduar që bartës i listës së partive shqiptare për Asamblenë Komunale në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të këtij viti, të jetë një kandidatë i përbashkët, kësaj radhe partive shqiptare në garë do tu bashkohen edhe komunitetet jo-serbe, të kësaj komune”, ka thënë analisti.

Sipas tij, nisma e tyre është me qëllim të mirë e largpamës. Ai shton se Lista Serbe si segment i imponuar nga Vuçiqi në Kosovë, ka kohë që ka krijuar një monopol tërësisht monist dhe vetëm për vete në Veri të vendit.

“Kështu që pas një diskutimi të frytshëm ndërmjet partive shqiptare, të cilat jetësuan nismën për bashkimin dhe daljen e tyre me një kandidat të përbashkët përveç PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe AKR-së, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të këtij viti, kësaj radhe atyre iu bashkua edhe Shoqëria Civile, VAKAT dhe komuniteti RAE, koalicion i cili në Asamblenë Komunale, që pritet të dal nga zgjedhjet e 17 tetorit, me qëllim të mirë e largpamës, ka rezervuar vende edhe për serbët liberal që mendojnë ndryshe nga Lista serbe dhe Vuçiqi. Kjo për vet faktin se Lista Serbe si segment i imponuar nga Vuçiqi në Kosovë, ka kohë që ka krijuar një monopol tërësisht monist dhe vetëm për vete në Veri të vendit, ku nuk lejon pjesëmarrjen e serbëve të tjerë që nuk mendojnë si ata, si dhe ka përjashtuar edhe komunitetet jo-serbe, të cilat njëjtë si shqiptarët mbeten të anashkaluar për mbi 22 vite me radhë në këtë pjesë të Republikës së Kosovës”, shprehet ai.

Më tej, analisti shpreh dëshirën për një fitore të atyre partive shqiptare.

Qarri thotë se për dallim nga Lista serbe që përjashtoi krejt të tjerët, ky koalicion ka vend për të gjithë përfshi komunitetin serbë, boshnjakë, romë.

"Unë përveçse e vlerësoj shumë këtë nismë dhe koalicion të unifikuar parazgjedhor, i cili ishte më se i domosdoshëm qysh nga paslufta e veçanërisht nga koha kur Aleksandër Vuçiqi nisi ta imponojë nga Serbia instrumentin e tij politik, të ashtuquajturën "Lista srpska" në territor të Kosovës, shpresoj dhe urojë nga zemra, që partitë e bashkuara shqiptare në union me Shoqërinë Civile dhe komunitetet edhe ta mundin “Listën serbe” apo filialin e Vuçiqit në Kosovë dhe në vend të këtij segmenti të pështirë të huaj politik, të shtetit fqinj hegjemonist si Serbia, të fitojë koalicionin autokton vendor. Ky koalicion duhet të ngadhënjejë edhe për faktin se në përbërjen e tij, për dallim nga Lista serbe që përjashtoi krejt të tjerët, kanë vend të gjithë përfshi komunitetin serb, boshnjak, Rom etj, të cilët janë banor autokton të qytetit të minatorëve, jetojnë në Kosovë e mendojnë për Kosovën dhe dëshmojnë se mbeten qytetarë lojal të komunës së Mitrovicës”, deklaron Qarri.

Në fund, analisti thekson se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që në të gjitha komunat të cilat janë kapur aksidentalisht nga Vuçiq, me “Lista srpska”, të bëhen bashkë të gjitha partitë shqiptare në mënyrë që përfundimisht qytetet dhe komunat e vendit, të udhëhiqen jo më nga segmente të imponuara nga Vuçiqi, por nga parti dhe politikan vendor të Republikës së Kosovës.

“Për aq më tepër, të gjithëve duhet të na gëzojë shumë fakti, se shembullin e Mitrovicës LVV, po përpiqet ta përsërisë edhe në Artanë, ku edhe atje, kryetar tash e 4 vite është një serb i Listës së Vuçiqit, ndaj dhe ka ftuar partitë politike shqiptare që edhe në këtë komunë të dalin me një listë e kandidat të përbashkët dhe jo vetëm ta sfidojnë, por edhe ta mundin edhe aty përfaqësuesin e filialit të Vuçiqit, të ashtuquajturës "Lista serbe" dhe si nismë vendore, ta udhëheqin vet edhe këtë komunë.

Madje për të garuar sa më fuqishëm, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që në krejt komunat të cilat janë kapur aksidentalisht nga segmenti i Aleksandër Vuçiqit,si “Lista srpska”, kudo të bëhen bashkë të gjitha partitë shqiptare në mënyrë që përfundimisht qytetet dhe komunat e vendit, të udhëhiqen jo më nga segmente të imponuara nga Aleksandër Vuçiqi, por nga parti dhe politikan vendor të Republikës së Kosovës, të cilët i fitojnë zgjedhjet me votën e lirë të qytetarëve të vendit, pa imponime dhe ndërhyrje nga Serbia”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat