Caktohet paneli që vendos për lirimin e Hashim Thaçit, juristët komentojnë vendimin e Trëndafilovës

Politika

Caktohet paneli që vendos për lirimin e Hashim Thaçit, juristët komentojnë vendimin e Trëndafilovës

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 29 gusht 2021 Në ora: 11:58
Hashim Thaçi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mbahet në Hagë së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqi, me akuzat për krime lufte. Ata në të gjitha seancat e mbajtura janë deklaruar të pafajshëm.

E së fundi, Gjykata Speciale ka njoftuar se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trëndafilova, ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, për vetëtërheqjen e saj nga detyra specifike e caktimit të panelit të Gjykatës së Apelit, i cili do të vendosë mbi ankesën e ish-presidentit Thaçi për lirimin e përkohshëm.

Këtë kërkesë mbrojtja e ish-presidentit të Republikës së Kosovës, e kishte parashtruar më 16 gusht.

Pas kësaj, përmes vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, është bërë e ditur se kryetarja Ekaterina Trendafilova ka caktuar përbërjen e panelit që do të vendosë lidhur me ankesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Sipas këtij vendimi të Trendafilovës, paneli i Apelit do të përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Emilio Gatti dhe Nina Jørgensen.

Miftaraj: Nëse gjykatësi vepron njëanshëm, cenon pavarësinë e procesit dhe besimin e publikut në vendimin e marrë

Image
Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi (IKD)

Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi (IKD), në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se në Hagë gjykatësit duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm, ata duhet të vendosin në bazë të fakteve.

“Gjykatësit në Hagë supozohet se janë më integritet, të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë gjatë trajtimit të lëndëve në çdo fazë të procedurës gjyqësore. Të njëjtit duhet të vendosin në bazë të fakteve dhe respektimit të procedurës”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse gjykatësi vepron njëanshëm atëherë, cenon pavarësinë e procesit dhe besimin e publikut në vendimin e marrë.

“Në asnjë rrethanë vendimi apo procesi gjyqësor nuk duhet të vlerësohet mbi bazën e faktit se kush është gjykatës, pasi në çdo rast kur gjykatësi mund të jetë i anshëm, cenon rëndë pavarësinë e procesit dhe besimin e publikut në vendimin e marrë. Kjo në Hagë nuk duhet të ndodhë”, ka deklaruar Ehat Miftaraj për gazetën "Bota sot".

Kelmendi: Palët mund bëjnë kërkesë të ndryshme kundër gjykatës dhe prokurorisë

Image
Profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, lidhur me këtë ka thënë se në Gjykatën Speciale duhet të veprohet në bazë të normave të përcaktuara juridike.

Sipas tij, palët mund bëjnë kërkesë të ndryshme kundër gjykatës dhe prokurorisë.

“Gjykata Speciale vepronte në bazë të normave të përcaktuara juridike. Në kuadër të punës së kësaj gjykate mund të paraqiten edhe ankesa të ndryshme. Palët në procedurë bëjnë kërkesë të ndryshme kundër gjykatës dhe prokurorisë. Lidhur me atë mund dhe duhet të paraqesin edhe fakte e dëshmi konkrete për veten e tyre. Në gjykatë kërkohet:

1. Përjashtimi i ndonjë gjykatësi të trupit gjykues ose edhe të Kryetarit të trupit,

2. Përjashtimin e ndonjë prokurori

3. Përjashtimin e kryetares së Gjykatës dhe

4. Nxirren dhe paraqiten dëshmi.

Këto janë anët juridike të çështjes”, sqaron Kelmendi.

Sipas tij, për të gjitha këto që u folën më lart, duhet të paraqiten edhe dëshmi.

“Për këto paraqiten fakte dhe duhet domosdo që gjykata të vendosi. Këtej është edhe kërkesa e palëve në Gjykatën Speciale kundër znj.Trëndofilova dhe natyrisht se gjykata ka vendosur kundër. Faktet për përjashtim janë të ndryshme. Kryesisht anësia politike, urrejtja ndaj palëve dhe vendimet e ndryshme ndikojnë në largim. Sa janë këto çështje prezent në Gjykatën Speciale nuk dihen. Prandaj, është shumë e kapshme kërkesa e bërë në gjykatë”, ka deklaruar profesori Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat