Mundësia e infiltrimit të terroristëve talebanë në Kosovë, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë rreziqe

Politika

Mundësia e infiltrimit të terroristëve talebanë në Kosovë, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë rreziqe

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 gusht 2021 Në ora: 07:55
Afganët në Kosovë

Situata alarmante në Afganistan ka prekur shumë vende të botës, ku disa prej tyre edhe kanë shprehur gatishmërinë që të pranojnë refugjatë nga ky shtet. 

E gjithë kjo ndodhi, si pasojë e rebelimit të talebanëve dhe kapjes së shtetit (Afganistanit), të cilët ditë më parë edhe realizuan sulme terroriste ndaj civilëve dhe disa ushtarëve amerikanë. 

Duke parë gjendjen e jashtëzakonshme, tash e disa ditë po bëhet evakuimi i banorëve nga Afganistani, ku strehë e tyre po bëhen shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria. 

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”. 

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një numër afganësh që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja. 

Mirëpo, krahas këtyre zhvillime dhe kësaj gatishmërie të Kosovës për pranimin e refugjatëve afganë, është vënë në pikëpyetje edhe mundësia e ‘fshehjes’ së ndonjë talebani terrorist në mesin e tyre. 

Në këtë rast, me mundësinë e strehimit të pavetëdijshëm të ndonjë talebani, është vihet në pikëpyetje siguria e vendit dhe mundësia për ndonjë sulm eventual. 

E lidhur me këtë çështje për gazetën “Bota sot” kanë folur ekspertët e sigurisë, të cilët treguan se sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë. 

Ata treguan edhe sfidat dhe detyrat të cilat e presin Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të drejtësisë. 

Ardhja e refugjatëve afganë, Tërnava: Policia e Kosovës duhet të jetë vigjilente  

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë dhe ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar ardhjen e refugjatëve afganë në Kosovë dhe rrezikun që mund t’i kanoset vendit me strehimin e tyre. 

Fillimisht, ai kujtoi kur shumë shqiptarë të Kosovës u dëbuan dhe u detyruan që të largoheshin nga vendi, shkaku i luftës nga Serbia dhe gjetën ‘paqe’ në vendet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

“Kosova tani e ka përvojën e saj të gjatë me migrime dhe përndjekje që u janë bërë qytetarëve të saj, dhe jo rastësisht vlerësohet se që nga vitet 1990 e deri më tani në shtete të botës, sidomos në shtetet e BE-së dhe të SHBA-së gjenden edhe mbi një milion banorë të migruar nga ato përndjekje që iu bënin serbët, e kur dihet që në Kosovë mbretëronte në ato kohëra një luftë e dëbimeve me politikat speciale që i bënte Serbia për dëbimin e shqiptarëve”, deklaroi eksperti i sigurisë. 

Tërnava u shpreh se duke pas parasysh mikpritjen që shumë shtete të botës ia bënë shqiptarëve në kohën e luftës, tani është radha që ne si popull i përvuajtur dhe i persekutuar të i gjendemi në ndihmë refugjatëve afganë. 

“Numri i banorëve sipas natalitetit që ka ekzistuar më parë nuk po rritet, dhe po mbetet si ai i viteve të 80 që ishin rreth 1800000 sipas regjistrimit të atyre kohërave që janë mbajtur në Kosovë. Prandaj marrë në tërësi dhe përvojën që e ka shteti i ynë, me ato mikpritje të atyre shteteve ku kanë migruar qytetarët tonë, sikur i ceka më lartë, që na i kanë bërë ato mikpritje qytetarëve tonë, deri në çlirimin e vendit tonë nga armiqtë shekullor, ku edhe për këtë çlirim tonë kontribut të posaçëm kane këto shtete që i përmenda më lartë. Prandaj, nëse ne jemi një popull i përvuajtur dhe i persekutuar, gjithsesi se duhet t’iu gjendemi pranë edhe refugjatëve afganë, e sidomos kur për ardhjen e refugjatëve afganë, insistojnë miqtë tonë të përbetuar që atyre iu kemi shumë borxhe, sikur në këtë rast Amerikës”, theksoi ai. 

Në vazhdim, ish-zëvendësministri i MPB-së komentoi situatën aktuale në Afganistanë dhe sulmet terroriste që po bëhen ndaj afganëve të pafajshëm. Duke u nisur nga kjo, ai kërkoi nga institucionet shtetërore që pavarësish pikëpyetjeve se a do të qëndrojnë shkurtë apo gjatë, t’i ofrojnë afganëve kushtet e nevojshme për jetesë. 

“Situata e krijuar tani në Afganistan, që mbretëron një panikë në popull, sidomos të atyre që ishin liberal ndaj të huajve që e qeverisën atë vend mbi 20 vite, e që tani talebanët-terrorist, ata i llogarisin si tradhtarë. Kjo panikë e tanishme në mesin e tyre e ka një arsye, sepse qe disa ditë të gjendjes së jashtëzakonshme që është krijuar ndaj tyre, janë përdorur armët ndaj tyre dhe një numër janë edhe të vrarë. Shteti ynë që i ka dhënë premtimet për pritjen e tyre, dhe vendosjen në vende adekuate të banimit për të jetuar, duhen ta mbajnë fjalën, pavarësisht të pikëpyetjeve se a do të qëndrojnë shkurt apo gjatë, ne e kemi për detyrë t’iu gjendemi pranë qoftë edhe nëse në vitet e ardhshme do të shndërrohen në banorë të përhershëm të Kosovës”, nënvizoi ai. 

Kurse, tutje Tërnava nuk e përjashtoi mundësinë që në mesin e refugjatëve afganë të gjendet edhe ndonjë talebanë terrorist. Ndonëse, sipas tij gjasat nuk mund të jenë shumë të mëdha që një gjë e tillë të ndodhë, edhe po që se ka persona të tillë, policia e Kosovës do t’i evidentojë dhe do marrë masat e duhura. 

“Kur është në pyetje numri i madh i refugjatëve që vijnë në shtetin tonë, gjithçka është e mundur, por gjasat janë shumë të vogla apo të pamundshme që në mesin e tyre të përfshihen talebanë-terrorist. Në fund, këta që janë radhitur në ato kolona që ta shpëtojnë kokën e tyre nga ata terroristët vendorë, vështirë se munden të përvidhen ndonjë terrorist taleban, sepse edhe atje bëhen kontrolle të ndryshme për personat që kërkojnë strehim në shtete tjera. Sikur të ndodhet dikush nga ata i tillë, dhe të tentonte ndonjë akt terrorist, dihet se çfarë mund ta pret atë person nga shteti nikoqir i vendit ku janë strehuar afganët. Policia e Kosovës duhet të jetë vigjilente në ruajtjen dhe jetësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjeve të Kosovës, dhe për çdo gjë të kontribuojnë që ata mysafirë afganë sa të qëndrojnë në Kosovë ta ndjejnë vetën mirë me të gjitha të drejtat ndërkombëtare që iu takojnë mërgimtarëve. Dhe, në të ardhmen kudo që do të jetojnë edhe pas shume viteve t’i kenë mendimet e mira për popullin shqiptar dhe Kosovën”, potencoi eksperti i sigurisë. 

Ish-zëvendësministri i MPB-së beson se Kosova ka ligjet e duhura që me njerëzit e saj të sigurisë, qoftë policia dhe të tjerët  të përkujdesen në nivelin më të lartë për sigurinë e afganëve. 

“Prandaj për këtë çështje të sigurisë së tyre, Kosova i ka ligjet dhe kushtetutën e saj që i jetëson ditë e për ditë, përmes  MPB, me njerëzit e saj të sigurisë qoftë policinë dhe të tjerët do të përkujdeset në nivelin më të lartë që liritë e tyre të garantuara me ligjet pozitive. Është e kuptueshme se çdo person që vjen në shtetin tonë nga shtetet tjera duhet t’i nënshtrohet kontrollit të dokumentacionit të tij dhe shkakut të ardhjes në Kosovë, e sidomos kur bëhet fjalë për afganët që dihet shkaku i ardhjes së tyre”, vlerësoi ai. 

Në fund, eksperti i sigurisë tregoi edhe masat që institucionet e caktuara të Kosovës do t’i ndërmarrin në rast se zbulohet që ndonjë taleban terrorist ka ardhur në Kosovë. 

Ai përmendi edhe mundësinë e dëbimit dhe arrestimit të tyre në përputhje edhe me institucionet ndërkombëtare. 

“Meqë tani e kemi një polici dhe institucionet tjera të drejtësisë së Kosovës, ashtu të suksesshme që i kryejnë punët e tyre konfrom ligjeve të shtetit, gjithsesi se ata do të përkujdesen për verifikimet e identitetit të tyre dhe të kaluarën e tyre. Dhe nëse konstatojnë apo krijojnë dyshime për të kaluarën e tij, ai person do të ndodhet në vështrim për 24 orë, dhe sikur të verifikohej se ka të kaluar kriminale terroriste ai dhe të tillët do të largohen nga shteti i ynë, dhe dëbimi i tyre do të ndodhë mes institucioneve ndërkombëtare dhe të vendit tonë. Sikur se si do të merren vesh për dëbimin e tyre për në cilat vende duhet të ndodhë dëbimi apo burgosjet e mundshme e të tillëve”, përfundoi Hajrullah Tërnava. 

Shala: Institucionet e Kosovës duhet që të jenë vigjilente në procedurat e pranimit e refugjatëve  

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala
 
Edhe eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala paralajmëroi rrezik nga ardhja e refugjatëve afganë në Kosovë. 

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” përmendi edhe situatën kaotike dhe të pa menaxhueshme në Kabul, duke shtuar se ka mundësi që ndonjë talebanë të infiltrohet si refugjatë. 

“Ardhja e refugjatëve nga Afganistani në veti përbënë rrezik për arsye që gjendja e sigurisë në aeroportin e Kabulit është kaotike dhe jo e menaxhueshme mirë nga forcat e sigurisë ndërkombëtare.  

Dhe kjo e mundëson që persona nga strukturat e sigurisë se talebanit dhe terroristët të infiltrohen duke ja vjedhur identitetin e atyre personave që janë në listë për largim”, deklaroi Shala.  

Gjithashtu, eksperti kërkoi nga institucionet e Kosovës që të bëjnë kontrolle dhe intervista të detajuara gjatë pranimit të refugjatëve afganë, në mënyrë që të shmanget strehimi i ndonjë talebani.  

“Institucionet e Kosovës duhet që të jenë vigjilente në procedurat e pranimit duke i marrë në pyetje/intervista më të detajuara që me vërtetu identitetin dhe ndonjë lidhje të tyre me talebanët”, përmbylli Drizan Shala, përcjell “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat