I vetmi përfitim nga marrëveshja në SHBA/Këto janë shtetet që mund t’i sjellin Kosovës njohje, thirrje Kurtit, Osmanit dhe Gërvallës

Politika

I vetmi përfitim nga marrëveshja në SHBA/Këto janë shtetet që mund t’i sjellin Kosovës njohje, thirrje Kurtit, Osmanit dhe Gërvallës

Nga: G.B Më: 6 shtator 2021 Në ora: 18:27
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla - Foto ilustrim "Bota sot".

4 shtatori shënon nënshkrimin e Marrëveshjes së Washingtonit, që u quajt historike.

Me ndërmjetësimin e presidentit të asaj kohe, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë u nënshkrua marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pati reagime pro dhe kundër saj dhe 1 vit pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, tashmë Kosova mund të nis fushatën për njohjet e reja, derisa deri tani nuk mund ta bënte një gjë të tillë.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia nuk do të lobonte kundër njohjeve të Kosovës, por që një gjë e tillë nuk ndodhi, derisa ajo nuk e respektoi atë.

Lidhur me këtë marrëveshje, çka fitoi Kosova e çka Serbia dhe lobimin për njohje, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori dhe analisti nga Amerika, Binak Maxharraj, i cili ka thënë se i vetmi përfitim nga marrëveshja është njohja nga Izraeli, derisa thotë se ajo pati autor Richard Grenellin e dështuar.

Image
Analisti nga Amerika, Binak Maxharraj

“U bë një vit nga nënshkrimi i Marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë në Washington midis Kosovës dhe Serbisë, e cila edhe u quajt si Marrëveshje historike por edhe e dështuar, e sidomos kur kjo Marrëveshje e kishte për autor diplomatin e dështuar Richard Grenell, i cili në qëndrimet e tij ishte më shumë një pro-serb i cili në mënyrë tinëzare e shkëputi dialogun nga diplomacia evropiane ani pse e ndërmjetësoi dialogun Kosovë - Serbi pa ndonjë rezultat të theksuar”, është shprehur ai.

Maxharraj ka treguar 2 arsyet pse dialogu kaloi pa pëlqimin e BE-së, ku Gjermani dhe Britani ishin kundër planeve serbe të Thaçit, për ndarjen e Kosovës dhe e dyta që lidhet me ish presidentin Donald Trump.

“Janë dy arsye se pse dialogu kaloi pa pëlqimin e BE-së në Washington! E para, sepse BE e sidomos Gjermania dhe Britania e Madhe, në Samitin e Berlinit i thanë jo planeve pro-serbe të Hashim Thaçit për ndarjen apo copëtimin e Kosovës ku u nxorën edhe hartat për të cilën gjë Thaçi nuk la gur pa luajtur, që kjo gjë te ndodhë. Kancelarja Merkel i tha jo kësaj iniciative. Thaçi mbeti i dëshpëruar pasi që ishte i shantazhuar dhe i zënë rob nga Serbia. Nuk vonoi shumë dhe Thaçi si dinak dhe dhelpërak shkoi tinëzisht në Berlin për tu takuar me ambasadorin problematik amerikan Richard Grenell, i cili bisedoi me të për mundësinë e kalimit të dialogut nga BE në Ëashington. Pas kësaj Thaçi doli me një deklaratë bombastike se është shumë i dëshpëruar nga diplomacia evropiane rreth dialogut dhe se dialogu do të tërhiqet në Washington. E dyta ka te bëjë me pozitën jo të lakmueshme të vetë Presidentit amerikan, Dolad Trump, i cili për çdo ditë e më shumë po humbiste teren brenda vetë SHBA-ve për shkak të protestave raciste që e kishin përfshirë Amerikën, por edhe për shkak të skandaleve te vetë presidentit Trump në arenën ndërkombëtare ku rejtingu i tij politik po bie dita me ditë, sidomos erdhi deri te ftohja e marrëdhënieve me BE-në. Dhe mu për këtë situatë në te cilën gjendej Trump, i duhej të ndërmerrte diçka për të përmirësuar imazhin e tij të rrëzuar e sidomos kur zgjedhjet në Amerikë po afroheshin. Mendohej se ky dialog midis Kosovës dhe Serbisë të bartur arbitrarisht në SHBA për të arritur një marrëveshje do t’i ndihmonte sadopak”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Grenell donte që dialogu sipas tij të kishte sukses por që planet i dështuan kur Albin Kurti u zgjodh kryeministër i Kosovës, qeveria e të cilit më pas u rrëzua nga mocioni i LDK-së, nga Mustafa dhe Thaçi, duke e sjell në pushtet Avdullah Hotin, që do të nënshkruante marrëveshjen pa problem.

“Nën drejtimin e ambasadorit problematik Ricahrd Grenell, i cili jo vetëm në Evropë nuk kishte kurrfarë autoriteti, por edhe brenda vetë SHBA-ve nuk ishte një njeri i dëshiruar. Por, që dialogu të jetë i suksesshëm, Grenell zhvilloi një diplomaci shëtitëse në relacionin Prishtinë-Beograd, për të rënë në ujdi që kjo marrëveshje të këtë sukses. Por, sharra i hasi në gozhdë te kryeministri i përzgjedhur me votën e popullit, Albin Kurti, i cili veç i kishte nuhatur planet e Thaçit me Vuçiqin dhe as se si nuk pranoi të jetë me çetnikun, gjakatarin dhe pjesë e këtij dialogu. Dhe kështu nisi rrethimi dhe ngushtimi i tij në rrethin vicioz. Me ndihmën e njerëzve më të kompromituar në skenën politike të Kosovës, Thaçit dhe të Isa Mustafës, qeverisë së Albin Kurtit po i lidhej laku rreth qafës, i cili së shpejti u rrëzua me mocionin e vetë LDK-së, të iniciuar nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, duke e sjellë në pushtet marionetën Avdullah Hoti, i cili çfarëdo marrëveshje që të arrihet në Washington, nuk do ta kundërshtonte”, ka vlerësuar profesori.

Më tej, ai shton se në SHBA ndodhi ajo që nuk pritej, që një kriminel si Vuçiq të ulej në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, për të nënshkruar marrëveshje.

“Takimi i delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë u vendos të mbahet pikërisht në qendrën e botës, siç thuhej, në zyrën Ovale të presidentit të SHBA-ve Donald Trump. Është singnikative kur bota e pa ulur pra presidentit Trump çetnikun, vrasësin dhe masakruesin e shqiptarëve Aleksandër Vuçiqin, për të cilin SHBA edhe ishte futur në luftë për të shpëtuar Kosovën. Kurrë më parë për këto 40 vitet e fundit asnjë lider serb nuk e kishte pasur privilegjin e as rastin qe të hyjë ne zyrën Ovale të presidentit të SHBA-ve, por tani këtë po e bënte një kriminel serb”, ka potencuar Binak Maxharraj për “Bota sot”.

Ai përmend faktin që Vuçiq kërkoi që të hiqej nga marrëveshja pika ku Kosova përmendej si shtet i pavarur dhe që nga Hoti nuk pati asnjë reagim.

“Për pjesëmarrësit ishte përgatitur një Marrëveshje me premise më të mëdha ekonomike prej 16 pikash. Në fillim bie në sy reagimi i Vuçiq i cili kërkonte që nga teksti të hiqet fjala “Republika e Kosovës”, që jepte përshtypjen se takimi po ndodhte në ndonjë vend që se ka njohur Kosovën, e lëre më në Washington. Por, ajo më e rëndësishmja ku reagoi ashpër Vuçiq bash në zyrën Ovale para krejt botës kur tha se duhet të hiqet pika 10 që kishte të bënte më njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Interesant nuk reagoi askush, as presidenti Trump nuk e hapi gojën, kurse Grenell zgërdhihej me atë qeshjen e tij cinike, ndërsa Avdullah Hoti e kishte ulur kokën si pula dhe “çele guri gojën”, ani pse insistonte se po shkojnë në Amerikë për të na njohur Serbia(sic)”, ka shtuar analisti.

Ai po ashtu veçon dhe faktin që të dyja palët patën dy marrëveshje të ndara.

“Marrëveshja parashihte një varg veprimesh, obligimesh midis palëve për normalizimin e marrëdhënieve midis palëve. Por ajo se çka bie në sy është nënshkrimi i dy versioneve të dokumenteve veçmas për palën e Serbisë e veçmas për atë të Kosovës të nënshkruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e veçmas për palën e Kosovës të nënshkruar nga kryeministri Avdullah Hoti. Çka do të thotë kjo se në juridiksionin ndërkombëtar është një skandal juridik i cili edhe mund të mos pranohet ndërkombëtarisht sepse në versionin, dokumentin e Serbisë nuk qëndron nënshkrimi i Hotit si dhe në versionin dokumentin e Kosovës nuk qëndron nënshkrimi i Vuçiqit, çfarë nuk i bën të obligueshme zbatimin e kësaj marrëveshje. Një gjë e tillë edhe u kritikua ashpër nga çarqet e ndryshme ndërkombëtare e sidomos nga njohësit e juridiksionit ndërkombëtar”, ka deklaruar ai.

Maxharraj ka cekur obligimet që ishin të caktuara në këtë marrëveshje për Kosovën e Serbinë.

“Marrëveshja ashtu siç ishte parasheh një varg veprimesh e obligimesh për të dyja palët siç janë:-Kosova dhe Serbia u zotuan që të respektojnë moratoriumin njëvjeçar, përmes të cilit Kosova nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, kurse Serbia zotohej se nuk do të angazhohet për fushatën për ç’njohjen e Kosovës. Në zotimet e nënshkruara me 4 shtator në Uashington, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste, organizatë kjo e militantëve shiitë të Libanit, që ka mbështetjen e Iranit. Kosova tashmë e kishte shpallur Hezbollahun organizatë terroriste, me 23 qershor të vitit 2020, kurse Serbia jo; “Autostrada e paqes” Prishtinë – Merdarë, si dhe linja hekurudhore e relacionit po të njëjtë; nga marrëveshja e Uashingtonit, për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë, me një port në det të thellë në Adriatik deri me tani nuk është ndërmarrë asgjë”, ka thënë ai.

Si skandal ai përmend pjesëmarrjen e Serbisë në Liqenin e Ujmanit.

“Marrëveshja parashihte edhe pjesëmarrjen e Serbisë në Liqenin e Ujmanit, i cili është një ndër skandalet më të mëdha të kësaj marrëveshje, kur dihet se Ujmani është i Kosovës dhe më as gjë nuk i takon Serbisë, nuk është liqe natyror por artificial i ndërtuar me 1972 me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore, por e financuar edhe nga shpallja e huas popullore nga qytetaret e Kosovës, çka Serbia kurrë dhe asnjëherë nuk kishte qasje në këtë liqe. Prandaj, një marrëveshje e tillë edhe nuk mund të zbatohet që Kosova me qeverinë e re po e kundërshton. -Të dyja palët (Kosova dhe Serbia) do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia. Ani pse “mini-shengeni” është paraparë dhe Marrëveshje, kjo po refuzohet ashpër nga Kosova sepse kjo iniciativë e dëmton shumë Kosovën, kurse është krejtësisht në anën e Serbisë për të krijuar hegjemoni në rajon; Çështja e të pagjeturve, gjithashtu ishte një nga temat kryesore në dialogun e zhvilluar në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga Kosova janë edhe 1.600 te pagjetur të cilët janë bartë e varrosur nëpër Serbi. Besohet se nëpër Serbi gjenden edhe 16 varreza masive të shqiptarëve. Në këtë drejtim nuk është arritur pothuajse asgjë sepse Serbia po kundërshton zbulimin e këtyre varrezave masive, bile edhe kërcënohet me vdekje për personat që i identifikojnë këto; Me marrëveshjen e Washingtonit parashihej edhe njohja e Kosovës nga ana e Izraelit. Me 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem, kurse Serbia sot e kësaj dite kundërshton fuqishëm vendosjen e ambasadës se saj nga Tel Avivi në Jerusalem”, është shprehur analisti.

Kështu, ai thotë se këto janë disa nga çështjet e Marrëveshjes, që Serbia nuk i ka zbatuar ato që i ka nënshkruar.

“Këto janë vetëm disa nga çështjet kryesore që parasheh Marrëveshja e Washingtonit e nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë me 4 shtator 2020 në Washington të cilat Kosova disa nga marrëveshjet e i ka zbatuar kurse Serbia, si zakonisht nuk e ka zbatuar asnjë ndër këto zotimet që dalin nga kjo marrëveshje, çka edhe e bën të diskutueshme zbatimin e tërësishëm të kësaj marrëveshje. Këtë e vërteton një pushteti i Serbisë kur thotë se Serbia nuk do ta zbatojë këtë marrëveshje pasi që siç përmend kjo marrëveshje nuk është në përputhshmëri me juridiksionin ndërkombëtar, bie ndesh me të dhe se nuk është obligative për të apo siç thotë njohësi i çështje së Ballkanit dhe këshilltar i dikurshëm i DASH David Philips, kur thotë se Serbia ”nuk e ka për detyrim ta zbatojë marrëveshjen e Washingtonit””, ka vlerësuar ai.

E derisa ka përfunduar afati që Kosova të lobojë për njohje, Maxharraj mendon se tani do të nis një tjetër ‘luftë’ në mes të dyja shteteve.

“Pasi që me datën 4 shtator 2021 ka kaluar afati për moratoriumin njëvjeçar për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për lobimin e saj për njohje të reja do të fillojë një luftë tjetër midis Kosovës dhe Serbisë në fushatën për njohje të reja të Kosovës dhe ç’njohjet nga ana e Serbisë, e cila mund t’i blejë disa vende të brishta që ta ç’njohjen Kosovës”, ka potencuar ai.

Sipas analistit, me Kurtin dhe Osmanin në krye të shtetit dhe Gërvallën, duhet të nis fushatën dhe të veprojë me vendet e fuqishme si SHBA, Gjermania, Britani, Japonia, që të lobojnë për njohje të reja sepse ato mund ta bëjnë atë.

“Kosova pasi që tashti e ka një qeveri të re në krye me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, dy figura mjaft të autoritetshme në botë duhet të nis fushatën e pakompromis për aktivitete të reja në drejtim të anëtarit të saj në organizatat ndërkombëtare. Ajo së pari duhet sa më shpejtë që të jetë e mundur që ta konsolidojë shërbimin e vetë diplomatik në krye me kryediplomaten e njohur Donika Gërvalla, të plotësojë sa më shpejt vendet vakante me ambasadorë të karrierës, jo me ata partiak siç ka ndodhur, t’i konsolidojë shërbimet nëpër ambasadat e Kosovës kudo që janë dhe të nis një juri të papresdan në fushatën për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtar dhe për njohje të reja. Së pari diplomacia e Kosovës duhet të veprojë në kuadër të vendeve më të fuqishme që e kanë njohur Kosovën, si SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Japonia etj., që të lobojnë për njohje të reja sepse këto vende e kanë autoritetin dhe mundësinë që të bëjnë një gjë të këtillë. Të angazhohet dhe përqendrohet maksimalisht te pesë vendet e BE-së që se kanë njohur Kosovën që këtë ta bëjnë duke i gjetur vegëzat dhe lidhjet që kanë me këto vende, duhet të ushtrojë trysni më të madhe te BE që t’i bind këto pesë vende që ta njohin Kosovën, p.sh Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale te Vatikani që ta njohë Kosovën, pastaj Vatikani mund të ndikojë te vendet tjera që ta bëjnë këtë”, ka thënë ai.

Analisti shton se diplomacia e Kosovës duhet të jetë në teren për lobime të reja, ditë e natë, me njerëz të aftë, derisa thotë se misioni i Serbisë është i dështuar, pasi e ka humbur rrugën dhe nuk e di kah po shkon.

“Më fjalë tjera, diplomacia e Kosovës duhet te jetë ditë e natë në teren për lobime të reja, por kuptohet këtë duhet të bëjë me njerëz të aftë, me njerëz te karrierës. Kurse nga ana tjetër Serbia edhe nuk e ka terrenin aq të gjerë për të bërë ndonjë ç’njohje të re, pos në ato vende labile që mund ta shesin veten edhe me para. Lobimin e ç’njohjeve të Kosovës nga ana e Serbisë e shoh si mision të dështuar sepse Serbia e ka humbur orientimin e vetë si brenda vetes po ashtu edhe ndërkombëtarisht sepse ajo ende nuk po e di rrugën se kah po shkon, kah lindja apo kah perëndimi”, ka përfunduar profesori Binak Maxharraj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat