“Kurti ia bëri të qartë këtë gjë Vuçiqit”/ Nga Lëvizja Vetëvendosje tregojnë se kur mund të përfundojë dialogu Kosovë-Serbi

Politika

“Kurti ia bëri të qartë këtë gjë Vuçiqit”/ Nga Lëvizja Vetëvendosje tregojnë se kur mund të përfundojë dialogu Kosovë-Serbi

Nga: A.Morina Më: 7 shtator 2021 Në ora: 23:03
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - ilustrimi Bota sot

Kosova dhe Serbia po përgatiten aktualisht për një takim të mundshëm të nivelit të lartë gjatë muajit shtator mes dy udhëheqësve kryesorë politikë, kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq u takuan edhe dy herë më parë në Bruksel, takime këto që nxitën reagime të shumta.

Paraqitjet e kryeministrit Kurti përballë presidentit serb u cilësuan si dinjitoze.

E lidhur me mundësinë e një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, për gazetën “Bota sot”, ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka.

Ai u shpreh se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më afër se kurrë më parë. Pasi, sipas deputetit të VV-së, Serbia e ka kuptuar se më nuk ka lëshime nga kryeministri aktual i Kosovës.

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka dhe kryeministri Albin Kurti

“Konsideroj që fundi i marrëveshjes me Kryeministrin Kurti është më afër përfundimit se asnjëherë më parë. Them kështu, ngase Serbia e Vuçiqit dhe kryeministrave të tjerë serbë, ishte mësuar me lëshimet dhe nënshtrimet e kryeministrave dhe të palës sonë në përgjithësi”, deklaroi Koka.

Në vazhdim, deputeti i Vetëvendosjes përmendi se kërkesat e shtetit serb vazhdimisht rriteshin, shkaku i dobësisë së kryeministrave të kaluar të Kosovës. Dhe, bazuar në këtë ai potencoi se pafundësia kohore e negociatave ishte e bazuar në pritshmëritë e pafunda të Serbisë.

“Duke parë ata këto dobësi dhe rrëshqitjen graduale kah kërkesat e tyre, ata rrisnin numrin e kërkesave me kalimin e kohës. Kështu bisedat bëheshin të pa përfundueshme, pasi në çdo raund të ri bisedash, fitonin nga diçka të re, në dëm të palës kosovare. Këtu mendoj që ishte edhe pafundësia kohore e negociatave apo bisedave. Ishte e bazuar në pritshmëritë e pafunda të Serbisë”, nënvizoi ai.

Në fund, Koka tha se tani më në fund Serbia e ka të qartë se nuk mund t’i realizojë kërkesat e saj, kur ka përballë kryeministrin Kurti, andaj edhe këtu e shoh mundësinë e përfundimit të dialogut.

“Tani kur Serbia e ka të qartë se nuk do të fitojë koncesionet e reja politike, nuk do të realizojë kërkesa të reja, arrin te një fund. Te logjika e nevojës së përfundimit të bisedave. Ndaj këtu e shoh edhe mundësinë e përfundimit të shpejtë të bisedave apo negociatave”, përmbylli Jahja Koka, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat