Çfarë pritet nga takimi në Bruksel ku merr pjesë dhe SHBA, a do të ulen tensionet në veri të Kosovës

Politika

Çfarë pritet nga takimi në Bruksel ku merr pjesë dhe SHBA, a do të ulen tensionet në veri të Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 shtator 2021 Në ora: 08:08
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq, foto ilustrim "Bota sot"

Kryeministri Albin Kurti, ditë më parë kishte deklaruar se janë të gatshëm për dialog, por që Serbia nuk kishte pranuar.

Ai tha se me Aleksandër Vuçiq nuk do të ketë takim para datës 6 tetor.

Por kësaj radhe thirrja e BE-së ishte e prerë, e cila vendosi që do të ketë takim mes dyja vendeve.

Këtë të mërkurë do të takohen ekipi nga Kosova dhe ai nga Serbia në Bruksel, konkretisht Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, pas tensioneve që po vazhdojnë akoma në veri të Kosovës. Në këto bisedime pritet të marrë pjesë edhe Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.

Të gjitha këto erdhën pas vendosjes së reciprocitetit me targa për Serbinë. Përderisa dy vendet duhet të trajtohen të barabarta.

Gruda: Takimi i së mërkurës do t’i ulë tensionet në veri

Juristi dhe njohësi i çështjeve politike, Përparim Gruda, ka thënë se në këtë takim BE do të kërkojë që situata në veri të Kosovës të qetësohet dhe kjo çështje të adresohet përmes dialogut.

Image
Përparim Gruda

“Takimi i së mërkurës, siç e dimë, ka vetëm një temë për diskutim: çështjen e reciprocitetit të përdorimit të targave të automjeteve. Sigurisht, Bashkimi Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe Serbia që situata në veri të Kosovës të qetësohet dhe kjo çështje të adresohet përmes dialogut. BE do të provojë t’i bind palët për një zgjidhje të shpejt të kësaj çështje. Kjo pasi situata në veri është shumë e ndjeshme dhe sa më shumë kohë që kalon pa gjetur një zgjidhje aq më rrezik është që të ketë incidente atje”, është shprehur ai.

Sipas Grudës, BE do të kërkojë nga Kosova të heq dorë nga reciprociteti në targa deri në gjetjen e një zgjidhje tjetër përmes dialogut në Bruksel.

“Marrë parasysh përvojat e deritanishme, unë besoj që BE do të ushtrojë më shumë presion tek pala kosovare, duke i kërkuar asaj të heq dorë nga reciprociteti në targa deri në gjetjen e një zgjidhje tjetër përmes dialogut në Bruksel. BE nuk ka strategji si të ecë me procesin e dialogut drejt marrëveshjes përfundimtare. Në këto kushte, ajo do të angazhohet vazhdimisht që të gjejë zgjidhje të përkohshme me synimin e vetëm për ta mbajtur gjallë procesin e dialogut me shpresën që një ditë palët do të ndryshojnë qëndrim dhe të arrijnë një marrëveshje finale, diçka krejt iluzione sipas meje, sepse Serbia nuk do ta pranojë kurrë një marrëveshje finale që parasheh njohjen e Kosovës, nëse mbi të nuk ushtrohet presion i fortë nga bashkësia ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Në fund, ai ka shtuar se ky takim do të ulë tensionet mes dy vendeve, duke vënë theksin se problemi i veriut zgjidhet vetëm në koordinim me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe me një politikë të mençur që nxjerr në sipërfaqe problemin e vërtetë atje, e që është instrumentalizimi i serbëve lokalë nga ana e Serbisë.

“Unë besoj se takimi i së mërkurës do t'i ulë tensionet në veri. Por ajo qe ka ndodhur dhe po ndodh atje do të ketë ndikim në krijimin e një dinamike tjetër të dialogut. Qëndrimi i Kosovës në këtë pikë është shumë i drejtë dhe ligjor, por kjo duhet bërë gjithnjë në koordinim me aleatët tanë në mënyrë që, siç e tha bukur Kryeministri Rama, të mos ndodh njëjtë si me taksën 100%, që të kthehet nga një klithmë ndaj një padrejtësi në një litar për Kosovën. Problemi i veriut zgjidhet vetëm në koordinim me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe me një politikë të mençur që nxjerr në sipërfaqe problemin e vërtetë atje, e që është instrumentalizimi i serbëve lokalë nga ana e Serbisë, instrumentalizim që i mban peng ata për interesa të Vuçiqit, por që dëmton të tashmen dhe të ardhmen e tyre”, përfundon Përparim Gruda për “Bota sot”.

Mehazi: Vetëm Eskobar mund ta hesht Serbinë e kurrsesi Borrellat e Lajçakat e Evropës

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se takimi do të jetë i kotë, vetëm ka një shpresë, e që sipas tij është pjesëmarrja e Ndihmës Sekretarit amerikan, Gabriel Eskobar, i cili do të jetë më i arsyeshëm ndaj Kosovës.

“Vetë deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ambasadorët e QUINT-it "se Serbia nuk do pranojë poshtërimin", na bën me dije se takimi i 29 shtatorit (mërkurë) i shefave të grupeve të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, Bislimi e Petkoviq, në Bruksel jo që do jetë i kotë, por mund të elektrizohet dhe më për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve dialoguese. Shpresa e takimit të ditës së mërkurë do të jete pjesëmarrja e Ndihmës Sekretarit amerikan, Eskobar, i dërguari special i SHBA-së, i cili do jetë më i arsyeshëm ndaj Kosovës sesa të dërguarit e dyshimtë evropianë, Borrell dhe Lajçak”, ka thënë profesori.

Më tej, shton se vetëm Eskobar mund ta hesht Serbinë e kurrsesi Borrellat e Lajçakat e Evropës, të cilët vijnë nga shtetet që përkrahin Serbinë e jo Kosovën.

Për takimin, profesori thotë se do të ndikojë vetëm për të qetësuar situatën e forcave ushtarake e policore serbe e atyre të Kosovës në veri.

“Vetëm ndihmës sekretari amerikan, Eskobar mund ta hesht Serbinë e kurrsesi Borrellat e Lajçakat e Evropës, të cilët vijnë nga shtetet që përkrahin Serbinë e jo Kosovën. Nuk ka gjë prej të birit politik e kriminel të Millosheviqit, Vuçiq, i cili nuk kënaqet me dialogje paqësore, pasi gjaku i kriminelëve është i mësuar me dhunë e luftë, këta mposhten vetëm me forcë e kurrsesi ndryshe. Takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të mërkurën, në Bruksel, do ndikojë vetëm për të qetësuar situatën e forcave ushtarake e policore serbe e kosovare në veri të Kosovës, do bisedohet për largimin e forcave serbe nga kufiri i Kosovës dhe largimin e njësive speciale të policisë së Kosovës nga Veriu, kaq”, ka vlerësuar Mehazi.

Sa i përket bisedimeve për targa, ai parashikon që në takim qeveria e Kurtit do të pajtohet për largimin e forcave ushtarake serbe-kosovare, kurse për targat serbe, Kurti nuk do të heq vendimin, në takim do të humb politika e dhunshme serbe.

“Reciprociteti i targave serbe në Kosovë do vazhdojë, pra, në Bruksel do bisedohet vetëm për uljen e tensioneve ushtarake e policore e assesi për targat serbe në Kosovë, qeveria e Albin Kurtit do të pajtohet për largimin e forcave ushtarake serbe-kosovare, kurse për targat serbe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do ta heq vendimin e reciprocitetit të makinave serbe në Kosovë. Në Bruksel do të humb politika e dhunshme serbe e jo vendimet e ligjshme qeveritare të Kosovës ndaj reciprocitetit të targave serbe”, ka përfunduar profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat