Gazeta “Bota sot” e vlerëson dekorimin e gazetarit të saj Bekim Kastrati dhe truprojës Besim Dajaku në 20 vjetorin e vrasjeve!

Politika

Gazeta “Bota sot” e vlerëson dekorimin e gazetarit të saj Bekim Kastrati dhe truprojës Besim Dajaku në 20 vjetorin e vrasjeve!

Nga: Redaksia e "Bota sot" Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 14:45
Vëllai i Bekim Kastratit, Ismajli, vajza Era (e vogla) dhe Vesa, presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani sot ka marrë një vendim që shënon një pikë kthese në Presidencën e Kosovës, veçmas pas saj të Hashim Thaçit. Ajo sot ka dekoruar për herë të parë një gazetar të vrarë pas luftës, Bekim Kastratin, në një atentat ku mbet i vdekur edhe truproja i presidentit Rugova, Besim Dajaku.

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, familjet Kastrati e Dajaku ndihen ma në fund pak të lehtësuara, sepse shteti ka rivënë një minimum drejtësie, duke çmuar veprat e tyre, të cilët ishin viktima të krimit politik, për të cilin ndodhen në Hagë edhe dy ish drejtues shteti, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Përtej, emocioneve të familjarëve, akti i presidentes Osmani, ka sjellë emocione edhe në redaksinë e “Bota sot”, e cila ka njohur jo vetëm dhimbjen, por edhe ankthin e vrasjeve.

Njëri nga shokët më të afërt atë kohë me Bekimin ishte, gazetari atëherë Idriz Morina, tani kryeredaktor, i cili kishte pasur rastin ta takonte Bekimin, vetëm pak ditë para vrasjes.

Bekimin e kishte parë në një gjendje të rëndë emocionale, e cila thotë se kurrë nuk do t’i shqitet nga mendja, edhe pse kanë kaluar 20 vjet. Prej, vitesh siç thotë Idrizi, ai jetonte në një gjendje emocionale të rënduar, gati ankthioze, nga presioni, kërcënimet, linçimet, izolimet që mundoheshin t’ia bënin, ata të cilët një ditë kishin vendosur edhe ta vrisnin.

Image
Botuesi i gazetës “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj

Edhe Xhevdet Mazrekaj botuesi i gazetës “Bota sot”, ndihet po aq sa falënderues për aktin e presidentes Osmani, ndihet edhe paksa i tronditur, duke ia kujtuar momentet e vështira në të cilat kishte kaluar redaksia e gazetës “Bota sot”, si në Prishtinë edhe në Cyrih, ku vet ai dhe stafi i tij atje, i kishin shpëtuar një sulmi me bombë të kurdisur, për të cilin rast, autori ndodhet në burg, tashmë disa vite, pasi rasti ishte kualifikuar si sulm terrorist.

Botuesi Mazrekaj kujton situatat e dhimbshme edhe të plotë rasteve të tjera, duke filluar me vrasjen e bashkëpunëtorit Enver Malokut gjatë luftës, pas luftës të Xhemail Mustafës, e deri tek atentati i fundit, i vrasjes së gazetarit tjetër të “Bota sot” Bardhyl Ajeti në vitin 2005.

Dekorata më shumë se si vlerësim, është edhe një nderim për gazetarinë dhe fjalën e lirë, të cilën gazeta “Bota sot” e artikulonte fuqishëm atë kohë dhe në vazhdimësi, por që kjo ishte e papranueshme për organizatën, “Ndërmarrje kriminale’ si e kualifikon sot gjykata speciale, e cila ka arrestuar disa nga anëtarët e këtij grupimi.

Dekorimi i Bekimit është edhe një moment satisfaksioni për gazetarinë në Kosovë, respektim i saj, por që kjo dekoratë nuk iu nda për shkak se shoqatat e gazetarëve u interesuan të ndodhte.

Pavarësisht kësaj, gazeta “Bota sot” do të vazhdojë përkushtimin e saj për gazetari të pavarur, respektim të fjalës së lirë dhe mbrojtje të interesave të atdheut dhe humanizmit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat