Bekë Berishës i pengon Vetëvendosja, jo uji i Serbisë, por Kuvendi duhet të heqë dorë nga konsumimi i produkteve serbe

Politika

Bekë Berishës i pengon Vetëvendosja, jo uji i Serbisë, por Kuvendi duhet të heqë dorë nga konsumimi i produkteve serbe

Mimozë Lakna, Bota Sot Nga Mimozë Lakna, Bota Sot Më 19 nëntor 2021 Në ora: 14:09
Pamje nga Seanca e Kuvendit, 19.11.2021

Çështja e produkteve nga Serbia u bë temë diskutimi në Kuvendin e Kosovës. Janë këto rastet kur na kujtohet se sa shpejt i kemi “mbyllur sytë” duke harruar se kush ishte dhe kush vazhdon të jetë Serbia për ne.

Ishte deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ai i cili ngriti zërin duke u ankuar se në bufenë e Kuvendit të Kosovës, shërbehen pije të prodhuara nga Serbia.

Por, Berisha më shumë se sa kundër ujit të Serbisë në Kuvendin e Kosovës, ishte kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe retorikës së saj ndër vite, për të mos konsumuar produkte serbe.

Ai i kërkoi krye-parlamentarit Glauk Konjufca që produktet serbe të cilat shërbehen në byfenë e Kuvendit të largohen, ndërsa ia vendosi atij dhe kryeministrit Kurti tek ulësja një produkt serb.

“Në byfe të kuvendit shërbehen pije të prodhuara nga Serbia. I kërkova kryetarit Konjufca që të mos lejoj të shërbehet kjo pije meqë si parti kanë qenë shumë të zhurmshëm kundër prodhimeve serbe. Dhe kanë qenë këmbëngulës për bashkimin e troje shqiptare”, tregoi Berisha.

Thënë të drejtën, Lëvizja Vetëvendosje ka vetëm dy vite (duke llogaritur edhe qeverinë Kurti 1) që ka ardhur në krye të vendit.

Pra, produktet nga Serbia, Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetët shumicë të kësaj partie i gjetën në Kuvendin e Kosovës.

Andaj, më shumë se sa Vetëvendosje, për këtë duhet të fajësohen partitë që për vite me radhë ishin në pushtet, mes tyre edhe Aleanca e Bekë Berishës.

Edhe Bekë Berisha e di këtë gjë, por për marketing politik “shtiret” se po brengoset për praninë e produkteve të Serbisë në Kuvendin e Kosovës.

Kur flasim për këto raste, nuk kanë se si të mos na kujtohen edhe raste të tjera ku politikanët e Kosovës, ndër vite jo vetëm që kanë qenë shumë të afërt me Serbinë e me përfaqësues serbë në Kosovë dyshohen edhe për krime nga më të ndryshmet.

A i kujtohet Bekë Berishës, Milan Radoiçiq, i dyshuar se është i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, i cili ishte takuar më shumë se njëherë me ish kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe me zyrtarë tjerë të lartë në Prishtinë?.

Qytetarët e dinë se “shqetësimi” i sotëm i Bekë Berishës është për të shprehur ironinë dhe inatin ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, e jo për të kundërshtuar konsumimin e produkteve nga Serbia.

Në ekonominë e tregut të lirë askush nuk ka të drejtë ta ndalojë dikë që të mos konsumojë një produkt të caktuar dhe zgjidhja mbetet që ai produkt të mos blihet.

E sa politikanë në Kosovë nuk blejnë produkte serbe nuk mund ta dimë, por e dimë se afërsia e disa prej tyre me vet Serbinë nuk është edhe aq e vogël!

Megjithatë, brenda institucioneve të Kosovës, më shumë se kudo tjetër do të duhej t`i thuhej jo produkteve nga Serbia. 

Kjo është një nga ato "armët" e shtetit që duhet ta përdorim kundrejt vendit që vazhdon të na bëjë keq edhe 22 vjet pas luftës! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat