"Sikur ne shqiptarët ta donim Kosovën sa Bob Dole, sot nuk do ta kishim këtë situatë"

Politika

"Sikur ne shqiptarët ta donim Kosovën sa Bob Dole, sot nuk do ta kishim këtë situatë"

Nga: H.O. Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 13:14
Senatori amerikan, Bob Dole

Profesori universitar, Enver Bytyqi duke folur për jetën dhe kontributin e senatorit amerikan, Bob Dole, i cili dje ndërroj jetë, thotë se senatori Dole nuk ishte vetëm senator i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe senator i interesit kombëtar shqiptar.

 “Ai ishte avokati mbrojtës më i përkushtuar në SHBA për Kosovën dhe Shqipërinë. Ai u angazhua fuqishëm në veçanti për Kosovën dhe çlirimin e saj prej pushtimit, okupimit dhe sundimit të Serbisë.

Image
Enver Bytyqi

Me këtë rast kujtoj se ish-ambasadori i SHBA-ve në Beograd në fund të viteve 1980 e fillimin e viteve 1990, Uoren Ziemmerman, shkruan në librin e tij “Burimet e një katastrofe” për vizitën e Bob Dole, Tom Lantoshit dhe senatorëve të tjetë amerikanë në Kosovën e vitit 1990. Ishte vizita e parë që ndonjë prej senatorëve bënte në Prishtinë. Në atë libër Zimmerman përshkruan kiminë e ngushtë të marrëdhënieve midis liderit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe senatorit Dol. Dëshmon se si Rugova i bindi senatorët amerikanë për atë se “serbët janë agresori, kurse shqiptarët janë viktima”, thotë Bytyqi për ‘Bota sot’.

Ai thotë tutje se, Bob Dole u bë nga ky moment interpreti i interesave të shqiptarëve të Kosovës, luftëtari i papepur për t’i çliruar ata nga dhuna e terrori i Serbisë.

“Shumë senatorë dhe kongresmenë ishin angazhuar dhe angazhohen në SHBA për Kosovën dhe për shqiptarët. Por, Bob Dole është më i shquari, më i spikaturi, më vitali, më i suksesshmi dhe më impozanti! Zëri i tij në Kongres dhe nëSenat ishte një zë i fuqishëm, i pakontestueshëm, i padiskutueshëm, kur ishte fjala për mbrojtjen e Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve për vetëvendosje, njerëzore dhe kombëtare!”

Po sikur ne shqiptarët ta donim Kosovën sa Bob Dole

Në vitin 1996 ai kandidoi për president të SHBA-ve në konkurrencë me Bill Clinton-in. Në atë garë Bob Dole i humbi zgjedhjet. Fituesi ishte Clinton. Dhe në shenjë nderimi presidenti Clinton e dekoroi me urdhërin amerikan të lirisë, dekorata më e lartë e shtetit. Kjo dëshmonte për marrëdhënie respekti e nderimi midis dy kandidatëve për president.

Dhe ishte kjo marrëdhënie një nga shtysat pse presidenti amerikan Bill Clinton dy vite më vonë do të urdhëronte bombardimet e NATO-s kundër Serbisë për ta çliruar Kosovën nga regjimi i Milosheviçit dhe sundimi i Beogradit”, thotë ai.

Profesor Bytyqi thotë më tutje se Bob Dole e përkrahu gjithmonëçdo iniciativë, çdo dekret dhe ligj në mbrojtje të Kosovës. Madje inkurajoi vendimmarrësit për të arritur në vendimet e mëdha në dobi të shqiptarëve.

“Rrallë popuj e kombe kanë patur fatin të kishin një mik kaq të spikatur e të madh, si Kosova me Bob Dole në Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Rrallë popuj e kombe kanë mundur të ngjizen me idealet e lirisë amerikane të trupëzuara te senator të fuqishëm si Bob Dole. Rrallë kush ka kontribuar për Kosovën dhe lirinë e saj, për shqiptarët dhe bashkimin e tyre, sa senatori Bob Dole”.

Para pesë ditësh, më30 nëntor 2021 ai shkroi në Tviter: “Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Kosovën”! Bëhej fjalë për një aktivitet për Kosovën që do të zhvillohej më 11 dhjetor në SHBA.

“Vetëm Bob Dole mund ta asoconte bekimin e Amerikës me bekimin e Kosovës! Edhe pse 98 vjec, zemra e tij, mendja e tij ishte te Kosova. Dashuria e tij për Kosovën i tejkalon kufijtë e një dashurie të zakonshme”, thotë ai.

“Shpesh herë ndalem dhe mendoj: Sikur ne shqiptarët ta donim Kosovën sa Bob Dole, sot nuk do të kishim këtë situatë kaotike në zhvillimet e sotme dhe për perspektivën tonë. Sikur ne shqiptarët të kishim ndjenjën e dashurisë për Kosovën, për Shqipërinë, për kombin e atdheun në atë masë sa e kishte senatori Bob Dole për ne, do të kishin marrë fund me kohë e do të ishin harruar vuajtjet dhe zhgënjimet tona! Dhe fabula na con te ajo thënia e famshme se „Shqipëria, dmth edhe Kosova, do të bëhen për inat të shqiptarëve“, thotë profesori Bytyqi.

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria duhet ta shpallin e duhej ta kishin shpallur tashmë një ditë zie në kujtim të emrit, veprës dhe kontributeve të Bob Dole për shqiptarinë. Por mbi të gjitha kërkesa jonë duhet të jetë që liderët politikë në Tiranë, Prishtinë e qendra të tjera ballkanike ku jetojnë shqiptarët së paku në këtë ditë të zymtë e të trishtuar për ne të mos bëhen hipokritë!

“Të mos nxjerrin lot krokodili e të bëjnë hartime të bukura. Por, të reflektojnë dhe të fillojnë ta duan atdheun e kombin, Shqipërinë e Kosovën, së paku në atë masë sa e deshi Bob Dole”, thotë Bytyqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat