“Gjergj Dedaj e ka personale me presidenten”/ Kjo është arsyeja pse e kërcënoi Osmanin

Politika

“Gjergj Dedaj e ka personale me presidenten”/ Kjo është arsyeja pse e kërcënoi Osmanin

Nga: A.M. Më: 18 janar 2022 Në ora: 23:33
Gjergj Dedaj

Gjergj Dedaj ka thënë se ndihet i rrezikuar nga siç e ka quajtur ai “Klani i Osmani” ku ka përmendur presidenten Vjosa Osmani dhe bashkëshortin e saj, Prindonin. 

Ai ka thënë se nëse dikush e shkel ose e vret, do ta vret edhe ai. 

“Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse me shkel dikush, me vret dikush ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, ka thënë Dedaj. 

Pas kësaj deklarate, Dedaj është denoncuar për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj. 

Analisti politik, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot” komentoi kërcënimin e ish-ambasadorit Gjergj Dedaj për presidenten Vjosa Osmani. 

Fillimisht, ai përmendi shkarkimin e ambasadorëve nga presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla, ku pjesë e shkarkimit ishte edhe Gjergj Dedaj. 

Image
Analisti politik, Skënder Mulliqi

“Diplomatët e dërguar nga qeveritë e kaluara duke mos përjashtuar këtu edhe ish-ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj kanë dështuar në misionin e tyre diplomatik. Kanë dështuar se janë emëruar pa kritere të caktuara që kërkohet për diplomatët e karrierës. Jemi dëshmitarë se diplomacia nuk ka arritur që t’i përfaqësoj interesat e Kosovës në shtetet ku ata kanë qenë në mision”, deklaroi analisti. 

Krahas kësaj, Mulliqi përmendi reagimet që erdhën pas shkarkimit të këtyre ambasadorëve dhe mërzitjen e Dedajt. 

“Nuk kanë sjellë njohje të reja dhe nuk i kanë kryer as punët tjera si duhet, më shumë kanë shkuar atje veç për të marrë paga të majme nga buxheti i varfër i Kosovës. Dhe, natyrisht se ndryshimet janë pritur nga Qeveria e re, që të bëhen në diplomacinë e jashtme. Kanë qenë shumë të logjikshme ndërrimet të cilat janë bërë në disa shtete, duke i emëruar ambasadorët e rinj, për ta kthyer diplomacinë tonë në binarët normal të përfaqësimit. Në këto ndryshime është përfshire edhe Dedaj, dhe nuk ka çka të mërzitet fare duke u sjellur sikur postin e ambasadorit ta këtë marrë më tapi”, theksoi ai. 

Më tej, analisti vlerësoi se Dedaj e ka marrë shumë personale këtë gjë, prandaj edhe ka reaguar në këtë mënyrë ndaj presidentes Osmani. 

“Sigurisht se presidentja Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Gërvalla kanë pasur informacione të sakta se si e ka kryer misionin secili edhe zoti Dedaj, ku edhe ka ardhur deri te largimi i tij. Duket se Dedaj, e ka  marrë këtë punë si shumë personale, që nuk besoj se mund të jete. Policia siç është raportuar në disa media po e kërkojnë Dedajn për shkak se nuk ka dorëzuar tabelat zyrtare diplomatike që është shembull eklatant për një shtet. Dedaj e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka problem me ligjin, dhe se presidentja Osmani ka bërë krim ndaj tij me vendim për largim. Ky e ka shumë të qartë, se shkarkimi i ka ardhur nga organet më të larta të shtetit, dhe kjo duhet respektuar nga secili”, shpjegoi Mulliqi. 

Në fund, ai tha se ish-ambasadori duhet që të gjithë dyshimet t’ia drejtojë organeve të drejtësisë, pasi Kosova ka ligjet e saj dhe nuk funksionon me Kanun. 

“Nuk ka lidhje më krim mbi të dhe familjen e tij siç e ka cilësuar ai shkarkimin nga zonja Osmani. Manipulimi më targat e veturave të shtetit nuk i lejohet askujt, edhe pse Dedaj pohon së ato janë private. Dedaj thotë se ndihet i rrezikuar, dhe se këtë gjë duhet rregulluar edhe me Kanun, që është diçka shumë e pa pranueshme. Kosova ka organet e saj të drejtësisë dhe ka ligjet e saj, që secili person nëse i bëhet ndonjë padrejtësi të drejtohet aty, e jo që gjërat të rregullohen siç pretendon Dedaj me Kanun.! Nuk jemi në mesjetë që me u marrë me Kanune, që dihet për dëmet që na i ka shkaktuar historikisht. Vetë fakti se është përmendur Kanuni nga Dedaj mund të cilësohet kërcënim ndaj çiftit Osmani. Edhe Dedaj edhe opozita duhet të mësohen më verdiktin e popullit që ka sjellur edhe verdikte te reja në pushtet, si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtëm”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat