“Molliqaj po luan lojë të rrezikshme”/ Zbulohet çka po gatuhet në prapaskenë, të përfshirë edhe politikanë tjerë

Politika

“Molliqaj po luan lojë të rrezikshme”/ Zbulohet çka po gatuhet në prapaskenë, të përfshirë edhe politikanë tjerë

Nga: A.ZH Më: 30 janar 2022 Në ora: 19:22
Protesta e djeshme kundër vendimit për shtrenjtim të energjisë elektrike

Profesori shqiptar i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të protestojnë kundër vendimit për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Duke folur në një prononcim për gazetën "Bota sot", ku ka komentuar protestën e djeshme, Bytyçi ka theksuar se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, para se të merrej vendimi për shtrenjtim të energjisë elektrike, do të duhej të konsultohej me grupet e interesit dhe me qytetarët.

Sipas tij, protestat e ditëve të fundit në vend, ishin destabilizuese.

Image
Enver Bytyçi

"Kosova është përfshirë në disa protesta deri diku destabilizuese këto ditë. Eshtë marrë shkas nga mungesa e energjisë elektrike dhe shtrenjtimi i saj, me qëllim që të mobilizohen qytetarët në protestë kundër qeverisë aktuale.  Që në fillim duhet thënë se protestat janë e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve. Ata kanë të drejtë të protestojnë edhe kundër shtrenjtimit të energjisë. Qeveritë duhet të punojnë me dhe për qytetarët. Vlerësoj se në rastin konkret qeveria e zotit Kurti do të duhej të ishte konsultuar me grupet e interesit, me qytetarët dhe të kishte dhënë më shumë transparencë para se të merrte vendimin e saj", është shprehur profesori.

Ai vlerëson se kryeministri Kurti, për çështjen e energjisë ka folur vetëm politikisht dhe jo me shifrat dhe realitetin e krijuar.

"Duhet folur me njerëzit, edhe me opozitën, kur ndërmerr veprime që sensibilizojnë opinionin publik. Kjo i ka munguar zotit Kurti. Ai ka folur, por politikisht, jo teknikisht dhe me aritmetikën e shifrave dhe të realiteteve të krijuara", ka thënë më tej Enver Bytyçi.

Ai ka analizuar protestën e djeshme para Qeverisë së Kosovës, në të cilën kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, goditi me shuplakë policin e Kosovës. Profesori e ka krahasuar Molliqajn me Leninin dhe Guevarën, duke hedhur dyshime se a është trajnuar ai për situatën e krijuar.

"Këto protesta duhen analizuar më thellë. Drejtimin dhe përgjegjësinë për to e ka marrë PSD e Dardan Molliqajt. Ky Dardani është protagonist i dhunshëm kudo dhe mesa shoh dëshiron të duket si Guevara! Apo si Lenini. Por dihet se Leninin e përgatitën dhe e udhëzuan të shkonte në Rusi e të bënte në vitin 1917 ato që bën sot Dardan Molliqaj. Edhe Guevarën e stërvitën që të krijonte situatat revolucionare të kohës së tij. Nuk e di nëse këtë Dardanin, që vetëm Dardan nuk është, e kanë stërvitur apo jo", është shprehur Bytyçi.

Më tej, profesori analizon se Molliqaj ka rikthyer në skenë idenë e treshes Rama-Thaçi-Vuçiq, për shkëmbim territoresh, duke i bërë presion Kurtit, që kryeministri të pranojë ndarjen e Kosovës ose Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Molliqajt për këtë ide, sipas Bytyçit iu bashkuan edhe Ramë Buja dhe Behgjet Pacolli.

"Ne na lejohet t’i mbledhim disa copa, t’i bashkojmë e të krijojmë një lloj modeli, për të dalë me një mendim. Dardani riktheu në politikën e Kosovës idenë e Vuçiqit, Ramës dhe Thaçit për shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. E hodhi këtë ide në funksion të të bërit presion ndaj Albin Kurtit, që ky të pranojë ose ndarjen e Kosovës ose Asosacionin me kompetenca ekzekutive të kërkuar nga Beogradi! Ishte një lëvizje në kohën që Serbia pati interes të madh për këtë. 
Me këtë ide u bashkua edhe Ramë Buja i PDK-së. Ndërsa, Behgjet Pacolli indirekt mbështet çdo lëvizje politike të Thaçit, Vuçiqit e Ramës, pavarësisht nëse këto lëvizje e dëmtojnë interesin e Kosovës",
ka theksuar më tej ai për "Bota sot".

Ai ka paralajmëruar se me ardhjen e zyrtarit amerikan dhe atij evropian në Kosovë, gjatë kësaj jave, Kurti do të detyrohet të pranojë pakon e propozuar nga ta dhe se këtë do ta shfrytëzojnë politikanët tjerë për ta sulmuar kryeministrin.

"Në Prishtinë do të vijnë Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak. Dihet se ata vijnë me një paketë për ta përfunduar dialogun me një marrëveshje midis palëve. Kjo paketë duhet pranuar nga Kurti, mendojnë këta politikanët e Kosovës që e sulmojnë kryeministrin", ka thënë Bytyçi.

Ai më tej vlerëson se Molliqaj po bën një lojë të rrezikshme, duke u gatuar në prapaskenë nga ish-pushtetarët që e rrëzuan Kurtin në mandatin e parë. Sipas profesorit, Molliqajt dhe Prontos nuk i intereson çmimi i energjisë, por destabilizimi i Kosovës, për llogari të Serbisë.

"Të gjitha këto copa po t’i lidhim e t’i bëjmë bashkë, na del se Dardan Molliqaj po luan një lojë të rrezikshme. Pse Dardani? Sepse ai nuk ka qenë në pushtet, por duke qenë gjithmonë shërbëtor i ish-pushtetarëve që e shkatërruan Kosovën, ai është më aktivi kundër qeverisë së zotit Kurti. Me një fjalë, Molliqaj është dukja, pamja e asaj çfarë është gatuar në prapaskenë nga ata që u rrëzuan nga pushteti para një viti. As Dardanit, as Pronto-s, së cilës ai i shërben, nuk i intereson rritja e çmimit të energjisë. Të gjithë këta janë aktivizuar deri në veprime ekstreme për të destabilizuar Kosovën për llogari të planeve dhe projekteve të Serbisë", ka thënë Enver Bytyçi.

Ai ka theksuar se shumë politikanë në Kosovë, janë udhëzuar nga Beogradi që të shfrytëzojnë dështimet e qeverisë Kurti, për të destabilizuar Kosovën.

Në këtë grup, sipas profesorit, bëjnë pjesë edhe gazetarë si Berat Buzhala.

"E di se është e rëndë të arrish në këtë përfundim. Por një gjë është e sigurt: Në politikën e Kosovës janë të shumtë ata që janë aktivizuar me urdhër ose me mbështetjen e Beogradit. Kush mendon ndryshe, gabohet rëndë. Këta politikanë janë udhëzuar që të shfrytëzojnë dështimet e qeverisë për ta destabilizuar Kosovën. Duke shfrytëzuar rritjen e çmimit të energjisë, ata po tentojnë ta shkatërrojnë vendin pikërisht në një moment delikat, kur duhet homogjenitet politik, ekuilibër në qëndrime e veprime dhe përgjegjësi për fatet e vendit.

Këtij grupimi i janë shtuar edhe gazetarë, disa të vetëdijshëm për dëmin që ia shkaktojnë Kosovës. Berat Buzhala p.sh e di se çfarë bën. Por shtrohet pyetje pse atëherë bën veprime të tilla duke nxit dhunën dhe destabilizimin? Kurrkush nuk duhet të dyshojë se për të shlyer një faturë të caktuar! Po ashti Sindikata e arsimit dhe drejtuesit e saj po na dëshmohen në këtë skalion destabilizues", ka thënë Enver Bytyçi.

Ai ka përmendur edhe një arsye tjetër për krizën aktuale.

"Është e turpshme kjo që ndodh. Por ka dhe një arsye tjetër. Pronto dhe politikanët grabitqarë të Kosovës sponsorizojnë veprime të tilla të Molliqajt, Buzhalës, sindikatës së arsimit etj, me qëllim që të mos i lënë qeverisë kohë e mundësi të merret me krimet që ata kanë kryer. Qytetarët e Kosovës duhet të maten kur hidhen në protesta dhe veprime të dhunshme! Edhe nëse Dardani ushtrin dhunë mbi policin, qytetarët duhet të distancohen dhe të mos ndjekin politikanë të tillë të çmendur!", ka shtuar për "Bota sot" profesori Enver Bytyçi.

Në protestën e djeshme, janë lënduar lehtë tre policë, derisa policia ka bërë të ditur se kanë nisur hetimet./Botasot

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat