“Ka ikur koha e qëndrimeve proserbe”/ Ish diplomati shqiptar: Ja nga kush varet arritja e marrëveshja përfundimtare me Serbinë

Politika

“Ka ikur koha e qëndrimeve proserbe”/ Ish diplomati shqiptar: Ja nga kush varet arritja e marrëveshja përfundimtare me Serbinë

Nga: M.L. Më: 31 janar 2022 Në ora: 17:11
Foto nga bisedimet Kosovë-Serbi

Ish zv/Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Xhevat Mustafa në intervisten për gazetën “Bota sot” ka folur rreth dialogut Kosovë- Serbi dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

Image
Xhevat Mustafa

 

Mustafa ka vlerësuar se ka probleme dhe çështje për të dialoguar mes qeverive të Kosovës dhe të Serbisë, sidomos për raportet ekonomike, arsimore, kulturore, shëndetësore; për çështje admistrative-kadastrale, pronësore; për gjetjen e të zhdukurve etj.

Por, sipas Mustafës, dialogu nënkupton barazi dhe lëshime reciproke.

“Si mund të quhet dialogu i logjikshëm, i sinqertë, i drejtë, që meriton nxitje dhe mbështetje siç ka nisur dhe ka rritur deri këtu, kur Serbia nuk njeh shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, kur e ka me formulimin e kohës së Titos në Kushtetutën e saj; kur mendon dhe përpiqet ta ripërfshijë në hartën dhe shtetin e saj, duke i dhënë ca kocë apo karamele për t’u lëp irë?”, ka thënë ai.

Ish diplomati shqiptar tutje ka bërë krahasimin kur në krye të bisedimeve ishin ish-kryeministrat e kaluar me kryeministrin e tashnishëm, Albin Kurti në raport me dialogun me Serbinë.

“Lidhur me pjesën e dytë të pyetjes, mund të them figurativisht se me Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Ia Mustafën, Avdullah Hotin...presidenti serb Vuçiç është ndjerë si mbi kalë, ndërsa bashkëbiseduesit shqiptarë ecnin në këmbë. Ndërsa tani me Albin Kurtin e ka humbur këtë superioritet, kapadaillëk, rehati, qetësi, ndjesi...Shprehur popullorçe, sikur i ka ngecur sharra në gozhdë”, është shprehur Mustafa.

Ai ka potencuar se deklarata e Ambasadorit të ri të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, se “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se në dialogun me Serbinë nuk do të diskutohet për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës...”, na bën optimist se ka ikur koha e qëndrimeve dhe deklarimeve mëdyshëse dhe proserbe

Sipas opinionit tim, deklarata në intervistën në RTK, më 26. 01. 2022 e Ambasadorit të ri të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, se “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se në dialogun me Serbinë nuk do të diskutohet për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës...”, , na bën optimist se ka ikur koha e qëndrimeve dhe deklarimeve mëdyshëse dhe proserbe të ish zyrtarëve të lartë të DASH, Bolton, Grenell, Palmer... Kjo deklaratë është edhe një përgjigje për qëndrimet e Francës dhe të qeverisë së re të Gjermanisë “për t’i dhuruar Kosovës liberalizimin e vizave në këmbim të pranimit të Asociacionit të komunave serbe, domethënë të autonomisë së tyre brenda shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, propozim që mbart me vete edhe rrezikun e shndërrimit të Kosovës në një Bosnje të dytë”, ka nënvizuar Mustafa. Ish/zv ambasadori ka thënë se është me opinionin e plot politikanëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë që janë shprehur, se Pakoja e Ahtisarit, me një bollëk të drejtash dhe privilegjimesh që u jep serbëve të Kosovës, e bën të tepërt dhe të panevojshëm asaciacionin e komunave serbe në Kosovë".

Ai ka shtuar se arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë varet vetëm nga pala serbe.

“Sipas gjykimit tim, kjo varet vetëm nga pala serbe. Domethënë nga Vuçiqi. Në qoftë se ai heq dorë nga qëndrimi i deri sotëm, nga sofizmat, kundërshtimet dhe kërkesat e deritanishme, krejt absurde, jam i bindur se do të gjejë mirëkuptim nga pala shqiptare, nga qeveria e sotme e Albi Kurtit. Nuk mund të ketë marrëveshje të drejtë e të pranueshme përfundimtare, nga pala shqiptare, në qoftë se pala serbe këmbëngul të mos heqë “malin” e mosjohjes së Kosovës si shtet i pavarur e sovran, me integritet të pacënueshëm; në qoftë se pala serbe vazhdon të bllokojë njohjet e reja të Kosovës, integrimin e saj me të drejta të plota e të barazvlefshme me vendet e tjerë, në OKB, BE dhe në institucione të tjera ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ish diplomatit Xhevat Mustafa, roli i BE-së dhe SHBA-së në këtë drejtm pritet të jetë shumë më i madh dhe tejet më i ndjeshëm dhe vendimtar se sa deri më sot.

“Por, e përsëris: SHBA dhe BE, me figurat e tyre më të larta apo si të deleguar, si mediatorë apo vëzhgues, duhet të punojnë shumë më tepër të bindin palën serbe, të thyejnë kundërshtimet e Vuçiçit dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, që ose i nënshtrohen si pula e lepuj, ose janë më serboshovenë se ai. Krahas qeverisë franceze, me shekuj sllavofile, ia kam frikën edhe qeverisë së re të Gjermanisë. Si e majtë dhe si e varur nga gazi rus, ashtu siç po lë të kuptohet edhe këto ditë të vringëllimit të armëve në kufijtë e Ukrainës, për hirë të Rusisë, mund të tregohet më dashamirëse ndaj Serbisë edhe në rastin e bisedimeve të saj me Kosovën. Nuk mund të harrohet se e majta gjermane, SPD, që qeveris tani Gjermaninë, ka nxjerrë si kancelar edhe një nga bosët e Gazpromit rus, Gerhard Schröder. Ky fakt, në mënyrë figurative, mund të krahasohet me një këmbanë të fortë paralajmëruese për këtë rrezik apo realitet!”, është shprehur Mustafa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat