Gashi: Pa Kosovën “Ballkani i Hapur” nuk është i ‘hapur’

Politika

Gashi: Pa Kosovën “Ballkani i Hapur” nuk është i ‘hapur’

Nga: A.M. Më: 31 janar 2022 Në ora: 21:14
Samiti ne Tirane

Pak ditë më parë, Maqedonia e Veriut ka formuar qeverinë e re, pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Zoran Zaev.

Tani, kryeministër i RMV-së është Dimitar Kovaçevski, i cili për formimin e qeverisë mori mbështetje edhe nga partia shqiptare Alterantiva, me kryetar Afrim Gashin.

Lidhur me situatën politike në shtetin maqedonas për gazetën “Bota sot” foli Afrim Gashi.

Krahas kësaj, ai tregoi edhe qëndrimin e qeverisë së re për projektin “Ballkani i Hapur”.

Image
Kryetari i Partisë Alterantiva, Afrim Gashi

Gashi tha se edhe kryeministri Kovaçevski do ta mbështet “Ballkanin e Hapur”, njësoj si ish-kryeministri Zaev.

Mirëpo, kryetari i Partisë Alternativa beson se ky projekt ka kuptim vetëm nëse në të përfshihen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja, përndryshme nuk ka prespektivë.

“Besoj se edhe kryeministri i ri do të ecë hapave të paraardhësit të tij, duke e mbështetur nismën “Ballkani i Hapur”.

Unë mendoj se asnjë projekt tjetër nuk duhet të jetë zëvendësim për integrimin evropian të rajonit. Por, ashtu siç ka kërkuar i dërguari special i SHBA-së, Escobar, “Open Balkan” ka kuptim vetëm nëse në të përfshihen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. Në të kundërtën, kështu siç është me vetëm këto tri shtete, nuk shoh se ka perspektivë”, deklaroi ai.

Mirëpo, Gashi potencoi se pa Kosovën, si shtet i pranuar e sovran, brenda, “Ballkani i Hapur” nuk është ‘i hapur’.

“Megjithatë, jam i bindur se popujt tanë kanë nevojë të komunikojnë më shumë, të kenë marrëdhënie më të sigurta ekonomike dhe kulturore, andaj ne duhet të gjejmë zgjidhje që mos të jetë historia pengesë e zhvillimit të Ballkanit. Nëse e fokusojmë edhe pak këtë objektiv, do të thosha se pa Kosovën, si shtet i pranuar e sovran, brenda, “Ballkani i Hapur” nuk është “i hapur””, theksoi Afrim Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat