Zhvillimet në prapaskenë/ Për çfarë po e përgatitin Kosovën dhe Serbinë Escobar dhe Lajçak?

Politika

Zhvillimet në prapaskenë/ Për çfarë po e përgatitin Kosovën dhe Serbinë Escobar dhe Lajçak?

Nga: P.R Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 20:20
I dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak gjatë një takimi të përbashkët në Prishtinë më 31 janar.

Dje dhe sot, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë, ku kanë zhvilluar takime me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, e liderët e partive opozitare në Kosovë.

Në të gjitha këto takime, temë kyçe ka qenë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku Escobar dhe Lajçak dhanë mesazh shumë të qartë, Bashkimi Evropian dhe SHBA punojnë krahë për krah.

"Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja, sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së, sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik, ku ju tashmë jeni pjesë dhe ky dialog do t'ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar.

Kurse Lajçak deklaroi se kjo vizitë e përbashkët tregon se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë ngushtë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për vizionin e së ardhmes dhe planet në javët dhe muajt e ardhshëm.

"Jam në Prishtinë që të vazhdoj diskutime me kryeministrin dhe presidenten. Kjo është vizita ime e shtatë si përfaqësues i BE-së për dialog, por ne jemi këtu kësaj here së bashku me kolegun Escobar për të dhënë një mesazh shumë të qartë se BE dhe SHBA punojnë krahë për krah dhe kanë vizion të njëjtë për Kosovën, për procesin e dialogut, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për të ardhmen e rajonit”, u shpreh Lajçak.

Për të folur për vizitën dhe mesazhet që përcollën Escobar dhe Lajçak, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

“Në konferencën për media që mbajtën Escobar dhe Lajçak paraqitën qëndrime koherente duke siguruar qytetarët e Kosovës që sovraniteti dhe integriteti i Republikës janë të pacenueshëm. Këto deklarata mund të interpretohen si një mesazh që kanë filluar diskutimet për një marrëveshje përfundimtare për normalizim marrëdhëniesh dhe paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por që në tavolinë të diskutimeve nuk bëhet fjalë për statusin e Kosovës, pasi një gjë e tillë është vendosur me 17 shkurt 2008”, shprehet Kuçi.

Sipas tij, SHBA dhe BE po synojnë një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të presidentit Biden.

“Vizita e përfaqësuesve nga SHBA-ja dhe BE-ja si duket po koordinojnë mundësitë e arritjes së një marrëveshje dhe këtë po e shfrytëzojnë pikërisht para zgjedhje në Serbi, potencialisht ata janë duke e përgatitur Kosovën dhe Serbinë për një kuadër të pikave që do të shtynin drejt një marrëveshje përfundimtare më së largu deri në fund të mandatit të Presidentit të SHBA-së, Biden”, thekson Kuçi.

Ky koordinim, sipas Kuçit mund t’i ndihmojë edhe Aleksandër Vuçiqit.

“Ky është potencialisht edhe një rast që ky koordinim t’i mundësojë edhe Vuçiqit që në fushatën zgjedhore në Serbi të ofrojë një lloj mesazhi që të rizgjidhet për t’i dhënë fund problemit me Kosovën”, shpjegon Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Ai thotë se Qeveria Kurti e ka fuqinë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Në anën tjetër Qeveria e Kosovës e ka potencialin dhe fuqinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare, e në një interes të tillë janë edhe subjektet politike opozitare dhe ka edhe një momentum popullor”.

Për fund, Kuçi e mirëpret angazhimin e SHBA-së në dialog, pasi BE e kishte humbur in integritetin pasi doli hapur pro Serbisë.

“Angazhimi i SHBA-së po e bënë çështjen më serioze pasi BE-ja e humbi integritetin në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e sidomos në sytë e Kosovës, pasi kësaj të fundit më shumë i dha shkopinj se sa karrota, përderisa Serbisë i dha vetëm karrota, edhe pse si shtet ka regres në aspiratat me BE-në duke anuar shumë nga Rusia e Kina, duke bërë regres në demokraci dhe veprime që janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian”, përfundon për gazetën “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare Gurakuç Kuçi.

Kujtojmë se Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak pas vizitës dhe takimeve në Kosovë, të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat