Rrjedhja e informatave/ Shala: AKI-ja të hetojë çdo lidhje dhe bashkëpunim me strukturat e sigurisë së Serbisë

Politika

Rrjedhja e informatave/ Shala: AKI-ja të hetojë çdo lidhje dhe bashkëpunim me strukturat e sigurisë së Serbisë

Nga: A.Z Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 22:00
Foto ilustrim

Në Mitrovicën e Veriut ka pasur disa aksionet policore, por jo të gjitha u realizuan me sukses, kjo për faktin se kishte rrjedhje të informacioneve. Kështu deklaroi kryeshefi ekzekutiv i IPKS-së Kushtrim Hodaj, i cili u shpreh se ka pasur rrjedhje të informacioneve. 

Kjo, për shkak se në momentin që ka arritur policia në lokacionet për të cilat ata kanë qenë të destinuar të bastisen, del që informacionet kanë qenë paraprakisht te personat e dyshuar dhe nuk janë gjetur në vendin e caktuar. 

Lidhur me këtë eksperti i sigurisë Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, deklaron se hetimi që është duke u zhvilluar nga IPK-ja, tregon se ka individë zyrtarë, që për përfitime personale apo të shantazhuar, të cilët detyrohen të dekonspirojnë operacionet. 

 “Në lidhje me hetimin që është duke e zhvilluar IPK-ja nga deklarimet që kanë dalur nga shefi i PK-së dhe MPB-së që ka rrjedhje të informacioneve në njërin nga operacionet e zhvilluara në veri të vendit, kjo tregon që: 1. Ka individ që janë zyrtar të shtetit dhe që për motive qofshin nacionaliste (zyrtar nga komuniteti serb). 2. Individ të cilët për përfitime personale materiale (zyrtar shqiptar dhe serb) apo 3. Individ që janë të shantazhuar nga strukturat e sigurisë së shtetit të Serbisë dhe që punojnë në institucionet e sigurisë të Kosovës që nëse nuk bashkëpunojnë do të mund të dekonspirohen nga ata”, thotë ai. 

Sipas tij, edhe AKI-ja duhet të hetojë çdo lidhje bashkëpunimi, pra që në këtë rast lidhjen e mundshme me strukturat e sigurisë së Serbisë. 

Image
Drizan Shala

“Pra, në lidhje me këtë dukuri pavarësisht rezultatit të hetimeve penale nga IPK- ja do të duhej që edhe AKI-ja të jetë e involvuar në analizimin e situatës dhe të hetojë në aspektin informativë çdo lidhje apo bashkëpunim të mundshëm në mes individëve apo grupeve të interesit, që në rastin e Kosovës është lidhja e mundshme me strukturat e sigurisë së Serbisë të zyrtarëve policorë apo prokuror/gjykatës të procedurës paraprake që kanë zhvilluar operacionin. Dhe kështu të dihet se sa ka dëmtuar ndoshta edhe operacionet tjera në vend”, theksoi Shala. 

Tutje propozoi që edhe Qeveria të hartojë një ligj për agjencinë e kundërzbulimit, sepse kështu mund të bëhet edhe verifikimi i strukturave të sigurisë. 

“Si masë reaguese afatgjate është mirë që Qeveria, por edhe komisionet e sigurisë brenda Kuvendit të hartojnë një ligj për një agjencion të ri të kundërzbulimit, siç e kanë shumë shtete demokratike dhe që punën primare ta kenë luftimin e spiunazhit brenda Republikës së Kosovës. Dhe kështu të mund të bëhet edhe verifikimi, por edhe pastrimi më i lehtë brenda strukturave të sigurisë së vendit”, përfundon Drizan Shala. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat