Milionerët e akuzuar për vrasje/ Albin Kurtit i vjen thirrja që ta shpërbëjë fondin për Specialen

Politika

Milionerët e akuzuar për vrasje/ Albin Kurtit i vjen thirrja që ta shpërbëjë fondin për Specialen

Nga: P.R Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 20:11
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe të tjerët, po qëndrojnë që nga 5 nëntori i vitit 2019 të burgosur në Hagë të Holandës, pasi Gjykata Speciale ndër të tjerash i akuzon edhe për vrasjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëpunëtorë të ish presidentit Ibrahim Rugova.

E që të gjithë kanë zgjedhur që të paguajnë avokatët e tyre përmes ndihmës financiare që ua ofron Qeveria e Kosovës, pra nga buxheti i caktuar për këtë kategori, ku deri më tani janë shpenzuar mbi 4.5 milionë euro.

Po ashtu, përveç të akuzuarve, ligji në Kosovë u mundëson edhe kompensimin shpenzimeve që bëjnë familjarët kur vizitojnë të akuzuarit në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pra familjarëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u paguhen edhe shpenzimet e tyre të udhëtimit, ani pse të gjithë këta njihen si ndër personat më të pasur në Kosovë dhe posedojnë pasuri milionëshe. Po ashtu, për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin janë krijuar edhe dy fonde private, të cilat synojnë të mbledhin para për ta.

Kritika për këtë ka analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike, Faton Mehmeti. Sipas tij, një fond që mbulon shpenzimet e të akuzuarve të Speciales, është një fyerje për viktimat e vrasjeve politike.

Image
Faton Mehmeti

“Miliona euro që jepen për të akuzuarit që janë milionerë të gjithë, do të ishte shumë më mirë që të shkonin për skamnorët, për të sëmurit, dhe shumë fusha të tjera për të cilat qytetarët kanë më shumë nevojë. Në këtë kuptim, ekzistimi i një fondit të tillë, për të akuzuarit, është edhe fyerje e të gjithë viktimave”, thotë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Krejt kjo sipas Mehmetit, është e pakuptimtë kur kihet parasysh milionat e të akuzuarve.

“Duke nisur nga Hashimi e të tjerët, pothuajse të gjithë janë milionerë, e habitshme është se si një shtet i varfër jep miliona euro për milionerët, kjo s’ka logjikë dhe as sens. Jam pro, që në fund të procesit gjyqësor, nëse dikush shpallet i pafajshëm të shpërblehet me një shumë të parave, mirëpo jo që në start të paguan. Si mundet shteti tu arsyetohet familjeve të viktimave nëse qoftë dhe një prej tyre shpallet fajtor për krimin në fjalë”, shprehet analisti Mehmeti.

Ai i bën thirrje qeverisë Kurti që ta shpërbejë fondin për të akuzuarit e Gjykatës Speciale.

“Albini duhet të nis këtë gjë, pa frikë, por me besim se e drejta është ajo që duhet bërë, dhe ku ka më të drejtë për momentin e të shpërbehet një fond i tillë, shto këtu faktin se të dyshuarit kanë hapur edhe fonde private. Patjetër se po, vendi është në krizë ekonomike, shpërbërja e një fondi të tillë do të ishte infuzion për shoqërinë dhe shtetin”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat