“Asnjë Asociacion nuk mund ta sfidojë Kosovën”/ Publicisti nga Shqipëria tregon mesazhet nga Escobar dhe Lajçak

Politika

“Asnjë Asociacion nuk mund ta sfidojë Kosovën”/ Publicisti nga Shqipëria tregon mesazhet nga Escobar dhe Lajçak

Nga: P.R Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 21:19
I dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak gjatë një konference të përbashkët për media në Prishtinë më 31 janar.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë, ku kanë takuar krerët e institucioneve shtetërore, si dhe kryetarët e partive opozitare, ku në të gjitha këto takime temë kyçe ka qenë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

"Ne nuk kemi ardhur këtu me recetë propozimesh që do të donim t’i impononim. Në fakt, ne po kërkojmë nga të dyja palët [Kosova dhe Serbia] që të jenë konstruktive, t’i ofrojnë vizionet e tyre se si duhet të duket Asociacioni dhe pastaj të negociojnë prej aty, në kuadër të dialogut. Nuk duhet të jenë ato modele që minojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës. Pra, ne duhet të gjejmë një. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe mund të dakordohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një [model] ose të zgjedhë një, në emër të palëve", deklaroi Escobar.

Kurse Lajçak tha se askush nuk dëshiron Republikë Sërpska në Kosovë.

"Nëse duam t'i japim fund ekzistencës së strukturave paralele [serbe në Kosovë], nëse duam transparencë në rrjedhat financiare, nëse duam rregulla të qarta në veri, këto mund të bëhen të gjitha brenda sistemit kushtetues dhe juridik të Kosovës. Këshilla ime: Mos kini frikë nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t'ua imponojë. Jini të sigurt në vetvete, të vetëdijshëm për faktin se ju jeni bashkudhëheqës në këtë proces dhe jeni partnerë të barabartë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për t'u frikësuar nga procesi që po zhvilloni me Serbinë dhe ne jemi këtu për të siguruar se çdo vendim që do të merret, do të bazohet në standardet dhe vlerat e normave evropiane”, u shpreh Lajçak.

E sipas analistit politik dhe publicistit, Rexhep Shahu, Kosova duhet të veprojë ashtu siç i kërkon Amerika dhe asgjë tjetër.

Image
Rexhep Shahu

“Eskobar dhe Lajcak vetëm duhet të nënshkruajnë vetë për Kosovën pasi nuk gjejnë në Prishtinë aktualisht burrështetas që nënshkruajnë për Kosovën me Serbinë. Traseja është e shtruar nga Amerika, ajo trase do ndjekë, nga ajo trase nuk del dot Kosova. Politikanët aktualë i japin rëndësi vetes sikur ata përfaqësojnë Kinën apo Japoninë dhe bëhen qesharake kur njerëzit e dinë se ata duhet të bëjnë çfarë iu thotë Amerika”, thotë Shahu.

Sipas tij, asnjë lloj asociacioni serb nuk mund të mbijetojë brenda shtetit të Kosovës.

“Kosova duhet ta paguajë një çmim, e kam patur gjithmonë këtë mendim, një çmim për ekzistencën e saj, për krijimin e shtetit të ri të dytë shqiptar. Po flitet se kërkohet Asociacioni i komunave serbe. Jam shprehur dhe mendoj se asnjë asociacion as i dreqit e jo i serbit, nuk mundet te sfidojë e të mbijetojë e të diktojë shtetin e shqiptarëve në Kosovë. Kosova të shuan, ka fuqi asgjësimi të çfarëdolloj asociacioni apo organizmi serb sepse Kosova ka fuqi asimiluese. Sepse për një shekull nën pushtim e sundim serb Kosova, qenia shqiptare nuk u shua dot, nuk u asimiluan shqiptarët pasi kanë fuqi të madhe mbijetimi”, thekson Shahu për “Bota sot”.

Ai hedh kritika ndaj udhëheqëseve shtetërorë të Kosovës, siç thotë ai për mosveprimin e tyre në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ndaj brenda Kosovës nuk mundet të mbijetojë të mos shuhet çfarëdolloj asociacioni. Asociacioni nuk mund të jetë shtet në shtet në shtetin e shqiptarëve. Çdo hezitim nga politikanët aktualë apo çdo fajësim i të mëparshmëve tregon vogëlsi. Amerika po tregon durim të madh me Prishtinën, por besoj se një ditë do t’i thotë mjaft është mjaft. Ka një kontradiktë në mënyrë e stil drejtimi mes evropianëve e amerikanëve, evropianët janë të fjetur si uji i Bunës, amerikanët janë Amazonë”, deklaron Shahu,

“Shpresoj që vrulli i amerikanëve të jetë fati i Kosovës edhe për marrëveshjen finale. Por duket se tani po kërkohet një burrë për një firmë. Nuk është firmë që e kthen Kosovën nën Serbi ndaj nuk duhet të bëjë strucin askush në Prishtinë”, shton analisti Shahu,

Për fund, Shahu thotë se për fajin e politikanëve shqiptar, Serbia arriti që ta rifitojë simpatinë e disa shteteve që e sulmuan në luftë për Kosovën, dhe 5 shtete të Evropës nuk e njohin ende Kosovën.

“Dy dekada pas luftës për Kosovën, pas dëbimit të Serbisë prej Kosove nga Amerika dhe gjaku i derdhur nga shqiptarët, pasi Kosova u njoh shtet i lirë e i pavarur nga fuqitë e mëdha të botes dhe mbi 100 shtete, edhe pasi nënshkroi kapitullimin Serbia, ende palët në tavolinë nuk kanë nënshkruar njohjen mes dy shteteve. Fatkeqësisht për faj të politikanëve amatorë dhe anonimë shqiptarë në Kosovë që iu ra hise të diskutojnë për Kosovën pa qenë të aftë të diskutojnë për shtëpitë e tyre, Serbia arriti të rifitojë simpati nga disa shtete që e sulmuan në luftë për Kosovën dhe 5 shtete të Evropës nuk e njohin ende Kosovën. Kjo për faj të politikanëve te paaftë shqiptarë në Kosovë, për zvarritjen e zhagitjet e tyre. Kjo qe them nuk zvogëlon asgjë nga arritjet madhështore që kanë ndodhë në dy dekada në Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, publicisti  Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat