“ASK i tepërt”/ Ish-zyrtari i lartë amerikan, Kurtit: Abstenoi bisedimet për Asociacionin, nëse Serbia nuk e bën këtë gjë

Politika

“ASK i tepërt”/ Ish-zyrtari i lartë amerikan, Kurtit: Abstenoi bisedimet për Asociacionin, nëse Serbia nuk e bën këtë gjë

Nga: A.ZH Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 23:06
Albin Kurti dhe David Phillips

Presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ndaj institucioneve të Kosovës po rritet.

Kjo u pa edhe nga vizita e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë dy ditëve në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë gjatë takimeve me autoritetet e Kosovës dhe liderët e opozitës, kanë thënë se nuk do të imponojnë modele për Asociacionin, por se Kosova duhet t'iu përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

“Nuk duhet të jenë ato modele që minojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës. Pra, ne duhet të gjejmë një. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe mund të dakordohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një [model] ose të zgjedhë një, në emër të palëve”, ka thënë Escobar në konferencën e përbashkët me Lajçakun.

Ndërsa, Lajçak ka thënë se askush nuk dëshiron Republikë Sërpska në Kosovë.

“Këshilla ime: Mos kini frikë nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t'ua imponojë. Jini të sigurt në vetvete, të vetëdijshëm për faktin se ju jeni bashkudhëheqës në këtë proces dhe jeni partnerë të barabartë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për t'u frikësuar nga procesi që po zhvilloni me Serbinë dhe ne jemi këtu për të siguruar se çdo vendim që do të merret, do të bazohet në standardet dhe vlerat e normave evropiane”, ka theksuar Lajçak.

Duke komentuar këto zhvillime, drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe është i tepërt, pasi në Kosovë ka edhe masa tjera që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e pakicave.

"Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është i tepërt, sepse Kosova tashmë ka miratuar masa të gjera për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave, duke pranuar parimet e Ahtisaarit si bazë për Kushtetutën e vendit", ka thënë ai për gazetën "Bota sot".

Ish-diplomati ka theksuar se përgjegjesitë e komunave serve duhet të jenë pa kompetenca ekzekutive.

"Përgjegjësitë e komunave duhet të jenë të qarta. Strehimi dhe shëndetësia janë kategori ku janë të mundshme përgjegjësi më të mëdha lokale, pa kompetenca ekzekutive", është shprehur më tej eksperti amerikan për Ballkanin.

Ish-këshilltari në Departamentin e Shtetit, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të abstenojë nga diskutimet e mëtutjeshme për Asociacionin, nëse Beogradi nuk e miraton një qasje të krahasueshme për komunitetet shqiptare në Preshevë.

"Në çdo rast, Serbia duhet të miratojë një qasje të krahasueshme për Asociacion për komunitetet shqiptare në Preshevë, si dhe për pakicat e tjera në Serbi. Nëse Beogradi e refuzon këtë, atëherë Qeveria e Kosovës duhet të abstenojë nga diskutimet e mëtejshme për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe të bëjë të qartë se nuk do të marrë pjesë në diskutimet për Asociacion, përveç nëse Beogradi pranon parimin e reciprocitetit", ka thënë David Phillips për "Bota sot".

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova nuk frikësohet sa i përket zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin, por ai ka thënë se ajo është "e kujdesshme".

“Marrëveshja duhet të arrihet. Jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, të bisedojmë për marrëveshje. Nuk bëjmë dialog për dialog. Jemi konstruktivë, jemi seriozë dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo, për të cilën po pajtohen gjithnjë e më shumë të gjithë faktorët ndërkombëtarë, e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë [edhe] presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke", ka thënë Kurti./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat