“Shkelje e Kushtetutës dhe tradhti ndaj Kosovës”/Vjen thirrja për Prokurorinë, ja si të veprojë për Thaçin e Mustafën

Politika

“Shkelje e Kushtetutës dhe tradhti ndaj Kosovës”/Vjen thirrja për Prokurorinë, ja si të veprojë për Thaçin e Mustafën

Nga: G.B Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 12:06
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Edhe pse ata tashmë nuk janë në skenën politike të Kosovës, veprimet politike të bëra vite më parë po bëjnë që ata të jenë mjaft aktualë dhe të përmenden për ato se çfarë kanë nënshkruar.

Ish kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan marrëveshje në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, për asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili ka ndikuar dhe në dialogun Kosovë-Serbi.

Derisa ai është shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, krerët e shtetit shprehen kundër formimit të tij, ndërsa që në anën tjetër Serbia me ngulm kërkon që të formohet.

E së fundi presidentja Osmani tha se fajtorë për këtë asociacion janë ish kryeministrat Thaçi dhe Mustafa, të cilët i bënë dëm Kosovës me atë se çfarë nënshkruan në Bruksel.

Duke qenë kështu, çfarë mund dhe duhet të bëjë presidentja lidhur me ta dhe me veprimet politike që kanë bërë në dëm të Kosovës?

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike Gani Qarri, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Thaçi e Mustafa nënshkruan kokë më vete në dëm të Kosovës, pa u konsultuar me askënd.

“Me ndryshimet politike në vend, ish pushtetarëve të shantazhuar, të korruptuar e të inkriminuar për mese dy dekada me radhë, përfundimisht po u çjerrën të gjitha maskat e ndyta, pas të cilave ata fshiheshin në mandatet e tyre të kaluara, duke i shkaktuar dëmet më të tmerrshme shtetit dhe popullit të Kosovës, si renegatët Thaçi e Mustafa të cilët në bisedimet me Serbinë, u treguan aq të nënshtruar, sa që pa asnjë konsultim me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë nga shtetet mike, kokë më vete firmosën çdo gjë që u kërkua nga Vuçiqi dhe Serbia, në dëm të Kosovës. Për aq më tepër, siç po dëshmohet edhe në këto momente delikate nëpër të cilat po kalojmë si shtet i ri dhe popull i vogël, fryma e tradhtisë së ish udhëheqësve të vendit; Thaçi e Mustafa dhe disa politikanëve aktual të partive të inkriminuara, ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, edhe sot nuk ka të ndalur”, është shprehur ai.

Image
Gani Qarri

Sipas Qarrit, Osmani me të drejtë ka thënë se Amerika nuk kërkon ndarjen e Kosovës e as formimin e asociacionit por fajtorë janë ish kryeministrat.

“Prandaj me shumë të drejtë, Presidentja e nderuar e Republikës, zonja Vjosa Osmani ka sqaruar për të gjithë qytetarët e vendit, se nuk është Amerika ajo që kërkon ndarjen e shtetit tonë, as formimin e asociacionit kundër-kushtetues një etnik serb me kompetenca ekzekutive në Kosovë, por fajtor për nënshkrimin e marrëveshjes për një ngrehinë të tillë të trishtë antiligjore në kundërshtim me 23 nene të Kushtetutës së Kosovës janë pikërisht nënshkruesit e saj, ish kryeministrat renegat Hashim Thaçi e Isa Mustafa”, ka vlerësuar analisti.

Ai përmend Ramë Bujën dhe Vlora Çitakun që tani publikisht po dalin pro ndarjes së Kosovës.

“Për aq më keq, sikur mos të mjaftonin veprimet kuislingë të Thaçit e Mustafës, bashkë ideatorët dhe pasuesit e të njëjtëve njerëz të cilët vranë ardhmërinë e shqiptarëve, tani janë ngritur për ta vrarë edhe shtetin e Kosovës, duke dalë mu në pragun e vizitës së Përfaqësuesit Special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, siç vepruan Vlora Çitaku e Ramë Buja, duke kërkuar publikisht dhe pa fije turpi, ndarjen e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

Qarri vlerëson se prokuroria do të duhej të ngritë padi ndaj Thaçit e Mustafës për shkelje të Kushtetutës, derisa asociacioni është antikushtetues dhe po ashtu keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tradhti të lartë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.

“Prandaj, pasi që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa janë ata të cilët nënshkruan marrëveshjet më të dëmshme për popullin dhe shtetin e Kosovës, përfshirë edhe marrëveshjen kundërkushtetuese të asociacionit një etnik serb me kompetenca ekzekutive, të cilat mjerisht tani nga faktorët e huaj po kërkohet të zbatohen, edhe pse Kosova e kundërshton një ngrehinë të tillë shtet-shkatërruese si “zajednica” serbe, që do ta bënte bosnjëzimin e Kosovës, prokuroria e vendit që edhe posedon të gjitha provat e nevojshme, urgjentisht duhet të ngritë padi kundër renegatëve Thaçi e Mustafa për shkelje të Kushtetutës, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tradhti të lartë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka potencuar ai për ”Bota sot”.

Analisti ka shtuar se masa duhet të ndërmerren edhe ndaj atyre që janë pro ndarjes së Kosovës e që vijnë nga PDK, pasi mund t’i shkaktojnë dëme të mëdha Kosovës.

“Madje duke pasur parasysh faktin se tradhtia si fenomen as që mund të ketë pamje më të errët dhe shije më të hidhur, se sa mënyra e sjelljes dhe veprimit anti-Kosovë, edhe të eksponentëve aktual, të shitur të PDK-së te Serbia, të cilët edhe pas burgosjes së kuislingut Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale, vazhdojnë të mbeten në shërbim të Aleksandër Vuçiqit dhe vijojnë t’i bëjnë argatin më të keq vijimësisë së shtetit të Kosovës, e shërbimin më të madh Serbisë okupatore, siç vepruan Vlora Çitaku e Ram Buja duke kërkuar publikisht, mu në prag të vizitës së z. Eskobar dhe Lajçak, ndarjen e Kosovës, shteti po ashtu, duhet të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për vendosjen e tyre para drejtësisë dhe dhënien e dënimit të merituar për tradhti kombëtare dhe rrezikim të tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës, kur dihet se PDK është partia më e madhe opozitare e cila me qëndrime të tilla, anti-shtetërore mund t’i shkaktojë dëme edhe më të mëdha e të pariparueshme Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat