Zhvillimet dramatike: Dritan Abazoviq kryeministër i ri, ky është skenari që e pret Malin e Zi

Politika

Zhvillimet dramatike: Dritan Abazoviq kryeministër i ri, ky është skenari që e pret Malin e Zi

Nga: P.R Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 08:27
Dritan Abazoviq

Në Kuvendin e Malit të Zi ka dështuar shkarkimi i zëvendëskryeministrit, shqiptarit Dritan Abazoviq, iniciativën për shkarkimin e të cilit e mori kryeministri Zdravko Krivokapiq.

Seanca e djeshme parlamentare zgjati vetëm disa minuta, ku vetëm 20 deputetë kanë votuar për ta shkarkuar Dritan Abazoviqin, ndërsa 46 kanë abstenuar, ndërkohë që 11 deputetë kanë qenë kundër.

Por çfarë do të ndodhë në Mal të Zi, ku pritet të mbahet seanca e radhës për shkarkimin e Krivokapiqit?

Lidhur me situatën e krijuar, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas Bytyçit, po të mos kishte një opozitë anti BE në Mal të Zi, tani ky shtet do të ishte edhe anëtar i Bashkimit Evropian.

Image
Enver Bytyçi

“Mali i Zi është vend anëtar i NATO-s dhe më afër se të gjitha vendet e tjera të rajonit për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Nëse ky vend nuk do të kishte një opozitë anti-NATO e anti-BE, atëherë do të kishte marrë datën e pranimit të BE. Por është fakt se një pjesë e madhe e opozitës ka orientim lindor serbo-rus dhe mbështetet nga këto dy shtete”, thotë Bytyçi.

Ai shprehet se shërimi sekret rus dhe ai serb, kishin tentuar që Malin e Zi ta rikthenin në zonën e lindjes ruse, por që fatmirësisht dështuan.

“Në vitin 2015 në Podgoricë gati sa nuk ndodhën ngjarje të tmerrshme terrorizmi politik me vrasje dhe atentate kundër ish-kryeministrit ose presidentit të sotëm, Milo Gjukanoviç. Forca të shumta të shërbimit sekret rus dhe të Serbisë ishin bërë gati që të ekzekutonin liderët pro-perëndimore, me qëllim që ta kthenin Malin e Zi në zonën e lindjes ruse. Dhe e gjitha po bëhej pasi oligarkët rusë dështuan të shtinë në dorë ekonominë dhe resurset e këtij vendi. Pasi dështuan politikat serbe për ta rilidhur Podgoricën me Beogradin. Më pas Beogradi përdori kishën serbe si kollonë të pestë kundër lirisë dhe pavarësisë së Malit të Zi. Por mësa duket edhe në këtë rast ata dështuan”, deklaron Bytyçi.

Dritan Abazoviq kryeministër i ri

Më tej, Bytyçi tregon edhe arsyet e zemërimit të Dritan Abazoviqit, i cili po e kërkon shkarkimin e Krivokapiqit.

“Në zgjedhjet e fundit opozita pro-serbe e pro-ruse forcoi pozitat edhe për shkak të disa dështimeve të qeverisjes së mëparshme pro-euroatlantike. Mazhoranca humbi shumicën absolute. Opozita ndërkohë nuk mund të sigurojë këtë lloj shumice. Dhe partia politike Ura e kryesuar nga Dritan Abazoviq me tre deputetët e saj diktoi mazhorancën, në të cilën bën pjesë grupi pro-lindor i deputetëve. Ky grup përfaqëson kryesisht serbët që jetojnë në Mal të Zi. Por në vend të merrej me drejtimin e vendit qeveria aktuale u mor me implementimin e politikave të Aleksandër Vuçiq në Mal të Zi. Kjo gjë solli reagimin e zv.kryeministrit, Dritan Abazoviq. Ky reagim shkaktoi zemërim të serbët e këtij vendi, të cilët protestuan kundër politikanit shqiptar në vendin tonë fqinj”, shpjegon Bytyçi për “Bota sot”.

“Dje ata votuan shkarkimin e Abazoviq nga detyra e zv.kryeministrit. Por nuk votoi për shkarkimin e tij as 25 përqind e deputetëve. Diku 20 deputetë votuan sot pro shkarkimit të Abazoviq. Duheshin mbi 40 vota për këtë. Kjo na jep edhe një pasqyrë të elementëve deputetë që Beogradi ka në parlamentin e Malit të Zi. Pra duket se Serbia komandon vetëm 25 për qind të këtij parlamenti. Nuk është pak, sepse për destabilizimin e një vendi mjaftojnë kaq deputetë anti-shtet”.

Sipas profesor Bytyçit, Dritan Abazoviq do të jetë kryeministri i ri i Malit të Zi.

“Megjithatë nuk duhet konsideruar se 20 deputetë të Malit të Zi të munden të ndryshojnë orientimin euro-atlantik të këtij shteti. Abazoviq mori mbështetjen e socialdemokratëve në opozitë të Milo Gjukanovic. Sot votohet shkarkimi i qeverisë dhe kryeministrit aktual dhe emërimi i Dritan Abazoviq në krye të qeverisë së re. Kjo qeveri po emërtohet si qeveri e pakicës, por me mbështetje të opozitës, e cila nuk dëshiron të bëhet pjesë e pushtetit”, shprehet Bytyçi.

Mali i Zi në zgjedhje të reja

Por çfarë do të ndodhë sot në Mal të Zi?

“Ka shumë gjasa që për herë të parë rajoni ynë të ketë tre kryeministra me kombësi shqiptare. Kjo nuk do të thotë se të tre këta janë të përkushtuar aq shumë për shqiptarinë, por nga pikëpamja formale mund të bëhen tre kryeministra shqiptarë. Simbolikisht nëse ndodh kjo do të konsiderohet si mesazh për forcimin e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Duhet të presim deri e të shohim se çfarë do të ndodhë konkretisht. Por ajo që duhet ditur ka të bëjë me përpjekjet e Fuqive të Mëdha për të qenë të pranishme në rajon. Nga pikëpamja gjeopolitike Mali i Zi ka rëndësi të posaçme për Rusinë dhe Serbinë. Përmes këtij vendi ato garantojnë daljen në Detin Adriatik. Mos harrojmë se Luftërat Ballkanike të vitit 1912-1913 e deri diku edhe Lufta e Parë Botërore filluan pikërisht për shkak të konfliktit në rajon dhe të Fuqive të Mëdha për daljen në Adriatik. Rusia e lakmon këtë det për të ndërtuar baza ushtarake e ndoshta edhe atomike në anën lindore të bregdetit Adriatik. Kjo do ta vinte Evropën nën presionin e Rusisë dhe pikërisht për këtë arsye luftohet kaq shumë për Malin e Zi”, deklaron prof. Enver Bytyçi.

Për fund, Bytyçi mendon se edhe nëse Abazoviq zgjidhet kryeministër, Mali i Zi do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Abazoviq është një politikan shqiptar i llojit të veçantë. Ai është ndryshe nga politikanët e tjerë shqiptarë në Mal të Zi. Ka një qasje integruese dhe bashkëpunuese me politikën tjetër në Mal të Zi. Për këtë arsye shihet si pretendent për kryeministër. Nëse do ta marrë këtë post ai mund të ketë sukses të përkohshëm, por mendoj se Mali i Zi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Është vështirë që një qeveri e pakicës ta çojë mandatin e saj deri në fund”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat