Dialogu me Serbinë/ Vjen paralajmërimi për kryeministrin Kurti: Njerëz si Skënder Hyseni e Bekim Çollaku, vetëm të …!

Politika

Dialogu me Serbinë/ Vjen paralajmërimi për kryeministrin Kurti: Njerëz si Skënder Hyseni e Bekim Çollaku, vetëm të …!

Nga: A.M. Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 10:36
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot"

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të marrë pjesë në bisedime me palën serbe në kryeqytetin evropian kurdo që Brukseli e fton. 

Kurti u shpreh se janë të përkushtuar për dialog parimor drejt një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke. 

“Sa i përket takimeve të mundshme në Bruksel, ne jemi të përkushtuar për dialog të balancuar, parimor drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme e cila e ka në qendër njohjen reciproke dhe ne jemi përherë konstruktiv. Varet nga lehtësuesi apo ndërmjetësuesi, Brukseli se kur do të jetë takimi i radhës por gatishmëria jonë nuk do të mungojë asnjëherë”, tha ai para gazetarëve. 

ShBA-ja dhe BE-ja kanë angazhuar emisarët e tyre specialë për t’i ulur në tavolinën e bisedimeve Kurtin dhe Vuçiqin.  

Kujtojmë se, emisari i BE-së, Lajçak i shoqëruar nga Emisari i ShBA-së, Escobar kanë qëndruar në Kosovë e Serbi gjatë kësaj jave me synimin për të shtyrë përpara një takim të nivelit të lartë mes dy shteteve. 

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se ishte e pritshme që kryeministri Albin Kurti do të gjendet para një presioni për vazhdimin e dialogut me Serbinë. 

Krahas kësaj, ai u shpreh se me vizitën e Lajçakut dhe Borrellin u mësua se pavarësisht ndërprerjes së takimeve Kurti-Vuçiq, bisedimet Kosovë-Serbi kanë vazhduar në mënyra tjera. 

“Ishte e pritshme që kryeministri i Kosovës, zoti Kurti, të vihej nën presion për vazhdimin e dialogut në Bruksel. Vizita tri ditore në Kosovë e përfaqësuesit amerikan, Grabriel Escobar dhe atij të BE-së, Miroslav Lajçak, do ta kishte efektin e vet. Megjithatë, nga kjo vizitë ne mësuam se pavarësisht kohës së gjatë të ndërprerjes së takimeve Kurti-Vuçiq, këto bisedime kanë vijuar në forma tjera, ekspertësh, siç jemi mësuar të themi. Pra, ato nuk na qenkan ndërprerë. Dhe nuk e qortoj faktin se bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë kanë vijuar. Nuk më le shije të mirë mungësa e informimit të publikut.”, deklaroi ai.

Image
Profesori Enver Bytyçi

Gjithashtu, Bytyçi tha se publiku do duhej të informohej më shumë për negociata në Bruksel, thjeshtë duke bërë të ditur se qeveria është e angazhuar në bisedime dhe kjo po ndodh në grupe ekspertësh. 

Po ashtu, ai tha se nëse kryeministri Kurti do t’i refuzonte bisedimet, atëherë do ta dobësonte pozicionin e Kosovës dhe do ta forconte Serbinë. 

“E di se bisedime të tilla kanë një lloj diskretizmi. Ndryshe dëmtohet procesi. Megjithatë, askush nuk kërkon detaje. Thjesht duhej njoftuar publiku se qeveria është e angazhuar në bisedime dhe kjo po ndodh në grupe ekspertësh. Por as kjo nuk iu tha qytetarëve. Nuk mendoj se në demokraci proceset legjitimohen kur nuk ka transparencë. Një transparencë minimale duhet patjetër të vendoset si standard.  

Megjithatë është mirë që zoti Kurti angazhohet për dialogun. Nuk ka asnjë shans që të ndodhë e kundërta. Nëse ai do ta refuzonte këtë dialog, atëherë do të dobësonte pozicionin e Kosovës dhe do ta forconte pozicionin e Serbisë në raport me bashkësinë ndërkombëtare perëndimore. Kjo do të sillte jo vetëm keqkuptime, por edhe dobësimin e rolit amerikan e evropian në këto bisedime. Serbia do ta shfrytëzonte refuzimin e zotit Kurti për të fajësuar sërishmi Kosovën”, vlerësoi profesori.

Çfarë ka në plan kryeministri i Kosovës? 

Në vazhdim, ai hodhi disa pikëpyetje mbi procesin e mbarëvajtjes së bisedimeve Prishtinë-Beograd, duke bërë pyetje të ndryshme mbi qëllimet dhe planet e Kurtit për takimin e ardhshëm në Bruksel. 

“Por pyetja është: Si do të shkojë në Bruksel zoti Kurti? Me çfarë axhende dhe projekti? A do të qëndrojë në mbrojtje, pra do të presë çfarë kërkesash ka Serbia dhe t'i kundërvihet ose t'i miratojë ato? Apo do të shkojë me një projekt të vetin për zgjidhje përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë dhe njohjen reciproke të të dy shteteve? Pra, çfarë ka në plan kryeministri i Kosovës? Këtë ne nuk e dijmë ende. Nuk dijmë gjithashtu se cilat janë përpjekjet e zotit Kurti për të krijuar një homogjenitet politik pozitë-opozitë në dialogun me qeverinë dhe presidentin e Serbisë! A ka vendosur në stilin e Hashim Thaçit të marrë vetë përsipër zgjidhjen apo refuzimin e zgjidhjes, apo çfarë?! 

Janë shumë dilema dhe enigma, me të cilat ballafaqohet opinioni publik në Kosovë. Pra, çfarë ka ndërmend kryeministri të bëjë në takimin e radhës në Bruksel? Do të kërkojë sërishmi gjetjen e eshtrave të shqiptarëve të masakruar, apo do të ketë një formulë të zgjidhjes së konfliktit me njohje të ndërsjelltë? Do të kërkojë përsëri largimin e Petkoviçit nga delegacioni serb, apo do ta pranojë delegacionin e Beogradit si vullnet të qeverisë serbe?!”, potencoi Bytyçi. 

Më tej, profesori kërkoi që dilemat e ngritura duhet të zgjidhen, duke thënë se edhe opozita duhet ftuar në dialog dhe të marrë përgjegjësitë e saj. 

Mirëpo, ai kërkoi që në dialog të mos përfshihen persona që mbështeten planin e ndarjes së Kosovës ose besojnë se “Kosova nuk bën pa Serbinë”, pasi nuk do të ketë asgjë dobi. 

Nuk është koha për driblime dhe manipulim të dialogut Kosovë-Serbi 

“Unë mendoj se këto dilema tashmë duhen zgjidhur. Nuk është koha për driblime dhe manipulim të procesit. Është koha për përcaktim të qartë, për ide dhe qasje konkrete, të saktë. Është koha për një vendimmarrje historike! Dhe e gjitha kjo nuk mund të ndodhë vetëm si vullnet i mazhorancës. Opozita është aty për të marrë përgjegjësitë e saj. Opozita duhet ftuar të bëhet pjesë e dialogut. Por kurrsesi me përfaqësues të kompromentuar në aferat e ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve. Kurrsesi me përfaqësues, të cilët besojnë se "Kosova nuk bën pa Serbinë"! këta politikanë të opozitës e kanë djegë karrierën e tyre dhe nuk mund e nuk duhet të angazhohen në asnjë rrethanë në dialogun me Serbinë. Nëse ndodh kjo, siç na dëgjojnë veshët nganjëherë, atëherë Kosova do të kthehej në pikën e fillimit, në dialogun e udhëhequr nga Hashim Thaçi. Nuk është tabu të kthehesh te formulat e Thaçit, por ato formula rezultuan si të dëmshme për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj! Prandaj nuk ka dobi angazhimi i njerëzve të Hashimit në dialog. Opozita duhet të delegojë njerëz të besueshëm, jo ata që bënin thirrje për shkëmbime territoresh!”, theksoi ai. 

Në fund, Bytyçi paralajmëroi  se nëse në delegacionin e tij përfshinë njerëz si Skënder Hyseni ose Bekim Çollaku, atëherë vetëm se do t’i prishen punët atij në Bruksel. 

“Edhe Albin Kurti nuk duhet të shkojë në Bruksel me këta njerëz, sepse do t'i prishin punë atij. P.sh, nëse Kurti do ta ketë në delegacionin e tij Skënder Hysenin, Bekim Çollakun apo dikë tjetër të këtij formati, dhe nëse ndonjë zyrtar i Brukselit do të japë një version pro-serb të zgjidhjes, këta do të merrnin anën e atij zyrtarit serb dhe jo të kryeministrit të vendit! Shpresoj që çdo gjë të realizohet bazuar në interesat e Kosovës dhe që formati i bisedimeve t'i përshtatet këtij synimi madhor”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat