Deputeti i VV-së skeptik për qëndrimin e Francës për liberalizimin e vizave për Kosovën

Politika

Deputeti i VV-së skeptik për qëndrimin e Francës për liberalizimin e vizave për Kosovën

Nga: G.B Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 15:22
Ilustrim

Deputeti i VV-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, Agon Batusha, ka thënë se Kosova meriton liberalizimin e vizave nga BE.

Duke komentuar deklaratën e Lajçak, ai thotë se më në fund zyrtarët e BE-së po flasin hapur, atë që e ka thënë edhe Kosova.

“Kjo është ajo çfarë edhe ne e kemi thënë dhe më në fund edhe zyrtarët e BE-së po flasin tani hapur. Ne i kemi adresuar të gjitha shqetësimet shtesë që kanë pasur shtetet skeptike, por vendimi duhet të merret nga përfaqësuesit politik në Këshillin e BE-së”, është shprehur ai.

Image
Agon Batusha

Sipas deputetit, kjo është padrejtësi ndaj Kosovës, por që ai shprehet skeptik sa i përket mundësisë që të ketë lëvizje pozitive nga ana e Francës.

“Kjo është padrejtësi ndaj Kosovës, qytetarëve të saj, sepse nuk ka asnjë arsye racionale për mos miratimin e liberalizimit të vizave. Duke pasur parasysh që shteti më skeptik, Franca është në proces zgjedhor, ku populizmi dhe forcat konservatore janë në ngritje, e bën edhe më të vështirë të besohet që Franca do të lëviz pozitivisht në këtë drejtim”, thekson Batusha.

Për rrugën drejt liberalizimit nga ana e Kosovës, ai vlerëson se duhet të ketë më shumë kontakte me vendet skeptike dhe të ketë riaktivizim të diplomacisë parlamentare.

“Duhet të shtohen kontaktet me shtetet skeptike, të sqarohen të gjitha çështjet dhe natyrisht të riaktivizohet diplomacia parlamentare”, deklaron Agon Batusha për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat