“BE e padrejtë”/Deputetja e LDK-së tregon rrugën drejt liberalizimit të vizave

Politika

“BE e padrejtë”/Deputetja e LDK-së tregon rrugën drejt liberalizimit të vizave

Nga: G.B Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 15:43
Ilustrim

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njihet për qëndrimet e tij kundër Kosovës dhe për disa skandale që ka bërë duke qenë kundër shtetit tonë e duke i mbajtur anën Serbisë.

Mirëpo, ai duket se ka qëndruar qëndrim ndaj Kosovës dhe madje vlerëson se është padrejtësi mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Kështu deklaroi ai gjatë vizitës së fundit në Kosovë, ku tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se “nuk është çështje dialogu, kërkon konsensus të 27 shteteve anëtare. Sa herë i informoj ministrat unë, e ngris këtë çështje. Është e dhimbshme kjo çështje. Shpresoj që Kosova të marrë sa më shpejt liberalizimin e vizave”.

Image
Rrezarta Krasniqi

Lidhur me këtë, deputetja nga radhët e LDK-së, njëherësh kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, thotë për gazetën “Bota sot” se BE-ja po tregohet e padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Është argument i pathyeshëm se Kosova e meriton liberalizmin e vizave dhe se ka përmbushur tash e sa kohë të gjitha kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Në këtë kontekst mendoj se BE-ja është duke u treguar e padrejtë me qytetarët e Kosovës”, është shprehur ajo.

Por, pse Kosovës nuk po i liberalizohen vizat derisa thuhet se i ka përmbushur kriteret?

“Edhe për ne si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës është e paqartë arsyeja për të cilën qytetarët e vendit tonë mbahen të izoluar padrejtësisht. BE-ja duhet që sa më parë t’i heq vizat për popullin më pro-evropian”, vlerëson deputetja Krasniqi.

Ajo tregon se si duhet vepruar që sa më shpejt të arrihet liberalizimi i vizave.

“Angazhimi ynë si deputetë, por edhe i institucioneve tjera duhet të jetë konsistent në raport me çështjen e liberalizimit të vizave, në mënyrë që sa më parë të arrihet një gjë e tillë”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi për ”Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat