Serbia u armatos me armë moderne nga Rusia/ Vjen kundërpërgjigjja e Amerikës: Ky është plani për ndaljen e sulmeve!

Politika

Serbia u armatos me armë moderne nga Rusia/ Vjen kundërpërgjigjja e Amerikës: Ky është plani për ndaljen e sulmeve!

Nga: A.M. Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 17:55
Forcat amerikane në Shqipëri

Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale për Evropën (SOCEUR) do ta vendosë një shtab, që funksionon me rotacion, në Shqipëri.

Gjeneralmajori David Tabor tregoi arsyet se pse Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën përzgjodhi Shqipërinë për të ngritur një shtab të bazës së Forcave Operacionale Speciale.

Krahas kësaj, gjenerali amerikan tha se kjo do të jetë një bazë ushtarake relativisht e vogël, afërsisht 10 deri në 15 vetë, që priten të vendosen në Shqipëri në ndihmë të angazhimit që SHBA-të kanë jo vetëm këtu, por edhe në vende si Kosova, Bosnja, Serbia, Kroacia dhe në të gjithë rajonin.

Ndërsa, opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se vendosja e kësaj baze ka rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare për të dyja shtetet shqiptare.

Krahas kësaj, ai u shpreh se me këtë gjë, Amerika tregoi se e vlerëson Shqipërinë, por edhe Kosovën si aleat besnik të NATO-s.

Image
Opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti

“Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale në Evropë (SOCEUR) ka vendosur të ngrejë një shtab pararojë në Shqipëri. Ky fakt i vendosjes së selisë në Shqipëri ka një rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare dhe të dy shteteve shqiptare si dhe të një bashkëveprimi esencial të dy shteteve shqiptare me aleatin e madh e jetik të shqiptarëve me SHBA-në, si dhe më gjerë me NATO-n. Kjo tregon se SHBA-ja e vlerësojnë Shqipërinë, por edhe Kosovën si aleat besnik të NATO-s”, deklaroi opinionisti.

Gjithashtu, Kapiti beson se ngritja e kësaj baze ka rëndësi jetike për mbrojtjen dhe sigurinë rajonale, ku dihet se Rusia dhe Serbia tash e një kohë po përpiqen ta destabilizojnë rajonin e Ballkanit.

Po ashtu, ai konsideron se duke parë forcimin e shtetit serb me mjete ushtarake moderne nga Rusia, ky shtab i shërben shumë shteteve shqiptare, të cilat nuk kanë shumë fuqi ushtarake.

“Ky vendim është shumë i rëndësishëm dhe përbën një zhvillim mjaft domethënës e me rëndësi të përmasave jetike të sigurisë e mbrojtjes rajonale në një kohë kur Rusia dhe Serbia vazhdimisht përpiqen për destabilizimin e rajonit të Ballkanit. Kjo përbën dhe i shërben pothuajse kryesisht si Shqipërisë dhe Kosovës, pasi të dyja shtetet shqiptare nuk kanë potenciale ushtarake dhe as fuqi mbrojtëse për të përballuar një situatë kur Serbia nga ana tjetër është e armatosur me armët më moderne të marra nga Rusia. Rëndësinë e vendosjes së këtij Shtabi në Shqipëri e thotë komandanti i Komandës së Operacioneve Speciale në Evropë. “Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal, ashtu dhe global””, theksoi ai.

Më tej, opinionisti potencoi se Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale për Evropën ka për qëllim që të ndërtojë ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve të ndryshme.

“SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien shqiptare me aleatët dhe partnerët për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulme”, nënvizoi Kapiti.

Në fund, ai tha se vendosja e kësaj baze ushtarake është bërë me qëllim që t’i kundërvihen çdo kërcënimi apo sulmi në rajon, gjë që jep garanci edhe për Kosovën.

“Pra, kjo do të thotë se vendosja e këtij Shtabi në Shqipëri bëhet për t’ju kundërvënë veprimeve keqdashëse, kundër kërcënimeve e sulmeve të mundshme në rajon, pra që do të thotë se vendosja e këtij shtabi në Shqipëri është siguri dhe garanci edhe për Kosovën pasi SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien shqiptare me aleatët dhe partnerët", përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat