Letra e 16 kongresistëve amerikanë për Serbinë, deputetja e LDK-së tregon strategjinë që duhet përdorur

Politika

Letra e 16 kongresistëve amerikanë për Serbinë, deputetja e LDK-së tregon strategjinë që duhet përdorur

Nga: G.B Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 16:59
Valentina Bunjaku-Rexhepi

16 kongresistë amerikanë i kanë shkruar letër presidentit amerikan Joe Biden, në favor të Serbisë.

Përmes kësaj letre lobi serb ka ndezur motorët, duke tentuar të afrohet sa më shumë me administratën Biden.

Në këtë letër ata i kanë shkruar presidentit Biden në favor të Serbisë, ani pse kjo e fundit njihet për luftëra të shkaktuara, gjenocid e spastrim etnik në Kosovë dhe në Ballkan.

Lidhur me këtë, deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi thotë për gazetën “Bota sot” se MPJ-ja duhet të merret me lobim dhe me shtetet që nuk janë pro liberalizimit të vizave, ndërsa që në SHBA lobimi duhet të jetë prioritet gjithmonë.

“MPJ-ja do të duhej të merrej jo vetëm me lobimin në SHBA, por veçmas edhe në shtetet që hezitojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, siç është Holanda dhe Franca; në pesë shtetet evropiane që kundërshtojnë njohjen e Kosovës. Në SHBA duhet të jetë kryeprioritet dhe lobim i përhershëm, sepse është superfuqi dhe miku më i mirë i Kosovës. Pa SHBA-në nuk ka pavarësi. Lobimi duhet të mos ketë shkëputje, pavarësisht ndërrimit të qeverive të Kosovës. Duhet rindërtuar marrëdhëniet edhe me republikanët, të cilat i cenuan sidomos LVV-ja me sulmet ndaj Grenellit. Ne e kemi jetik raportin me SHBA-në. Serbia vazhdon lobimin në aleatin tonë kryesor. Ambasada e Kosovës në SHBA duhet të jetë proaktive në lobim e me aktivitete”, është shprehur ajo.

Bunjaku-Rexhepi thotë se gjithmonë duhet lobuar fuqishëm dhe ka treguar strategjinë që duhet përdorur nga Kosova.

Ajo përmend edhe faktin se kryeministri Kurti ende nuk ka qenë për vizitë në SHBA.

“Gjithmonë është koha, e veçmas kur Kryeministri i Kosovës ende nuk e ka vizituar SHBA-në, duhet lobim edhe më i fuqishëm. MPJ-ja duhet të bëjë strategji me aktivitete politike, diplomatike e kulturore në promovim të Kosovës. Lobimi me karakter permanent. Divizion i veçantë brenda MPJ-së veç për lobim. Duhet mbajtur relacione të përhershme me dyja kampet në SHBA. Duhet kërkuar mbështetje nga diplomatë të SHBA-ve, që kanë vepruar në Kosovë ose që e njohin vendin tonë. Duhet forcuar lidhjet me mërgatën shqiptare, e cila duhet të jetë pjesë e MPJ-së, në shumë aktivitete lobuese. Kemi shqiptaro-amerikanë të shkëlqyer, patriotë të mëdhenj, ekonomistë të shquar, të cilët mund të krijojnë lidhje me kongresistë amerikanë”, thotë deputetja e LDK-së për ”Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat