Skandalet e Hashim Thaçit që ndikuan në njohje/ Akuza për Ramë Bujën, Vlora Çitakun dhe Enver Hoxhajn

Politika

Skandalet e Hashim Thaçit që ndikuan në njohje/ Akuza për Ramë Bujën, Vlora Çitakun dhe Enver Hoxhajn

Nga: P.R. Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 16:06
Vlora Çitaku, Hashim Thaçi dhe Ramë Buja

Mungesa e njohjeve të reja, është shndërruar në një problem për Kosovën, shtetin më të ri në Evropë.

E së fundi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar një angazhim edhe më të madh të diplomacisë të përqendruar në sjelljen e njohjeve të reja.

Takim javor koordinues për politikën e jashtme me Kryetarin Konjufca, Kryeministrin Kurti dhe Zëvendëskryeministren Gërvalla. Diskutuam për nismat për fuqizim ndërkombëtar të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe angazhimin tonë në dialogun e përqëndruar në njohje”, ka shkruar Vjosa Osmani, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla.

Sipas analistit politik, Gani Qarri, mungesa e njohjeve për Kosovën vijë për shkak të vendimit skandaloz të Hashim Thaçit, i cili pranoi vendosjen e fusnotës për Kosovën.

Image
Gani Qarri

Në fakt zhvlerësimi i pavarësisë së Kosovës, me vendosjen e fusnotës nga kuislingu Hashim Thaçi, qysh në qershor të vitit 2011, dhe shndërrimi i shtetit të pavarur të Kosovës praktikisht në "krahinë" të Serbisë, më pak se një vit pas vendimit pozitiv dhe vulosjes së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shkaktoi tërmet shkatërrimtar ndaj njohjeve të vendit tonë, proces i cili, mjerisht nga ajo kohë, ka filluar të bjerë në mënyrë drastike dhe të zbehet çdo vit e më tepër, siç është edhe sot”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Ai thotë se Thaçi është fajtor edhe për pozicionimin pro Serbisë të pesë vendeve të BE-së, kundër njohjes së Kosovës.

Madje duke parë se, nga ajo kohë, Kosova edhe në bisedimet me Serbinë në Bruksel, nuk shkonte si shtet i pavarur, por si ngrehinë e pozicionuar në rolin e Nënë Terezës, për plotësimin e oazës së dëshirave të Serbisë, duke i lejuar Aleksandër Vuçiqit, të bëjë, jo vetëm përcaktimin e agjendës së dialogimit, por edhe të bisedohej vetëm për çështjet dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës, ka bërë që edhe pesëshja e shteteve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta betonojnë edhe më tepër qëndrimin e tyre anti-Kosovë, të bindur se Kosova edhe vet nuk sillet si shtet por si krahinë e Serbisë, e katandisur në këtë gjendje katastrofale nga kuislingu Hashim Thaçi”, thekson Qarri.

Ai thotë se PDK dhe Thaçi me paratë e taksapaguesve të Kosovës kanë lobuar për ndarjen e shtetit të Kosovës.

Për aq më tepër, sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, Thaçi ndërmori hapin tjetër të radhës, për fundosjen e njohjeve të pavarësisë, dhe në forumin e shteteve ballkanike në Aplbach të Austrisë, në korrikun e vitit 2018, parashtroi në mënyrë publike edhe kërkesën për ndarjen e Kosovës, dhe pothuajse njëkohësisht me kërkesat e tij, nga ministrja e PDK-së Dhurata Hoxha, filluan edhe pagesat prej 168 mijë eurove, firmës franceze Majorelle Pr & Events, që me parat e taksapaguesve të Kosovës, të lobonte për ndarjen e vendit tonë, edhe në botë”.

Kurti të bëjë ndryshime

Sipas tij, gjitha këto zhvillime quan në fillimin e ç’njohjeve të Kosovës.

Ndaj të gjitha këto akte klandestine renegate, bënë, jo vetëm që të ndalonin njohjet e mëtejme, por filluan edhe ç’njohjet e shtetit të Kosovës, nga vende të ndryshme të Afrikës dhe Oqeanisë. Me këtë rast duhet cekur faktin se edhe diplomacia aktuale, megjithëse kalo gati një vit në detyrë, ende nuk po tregohet efekase sa duhet, për ripërtëritjen e procesit të njohjeve për Kosovën”, shprehet Qarri.

Më tej, ai i bën thirrje kryeministrit Kurti që urgjentisht të bëjë ndryshime në diplomaci, pas shkatërrimit nga qeveria e PAN-it.

Kështu që përveç luftimit më të shpejtë e efektiv të krimit të organizuar brenda vendit, Qeveria e re, duhet të bëjë ndryshime edhe në diplomaci dhe dikasterin e punëve të jashtme, dhe sipas nevojës, të zgjedh kuadrot më të mirë dhe përforcoi me ekspert dhe këshilltar profesional veçanërisht Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Për aq më tepër, Kosova pa e kaluar testin e pjekurisë, se në dialog, nuk shkon për të biseduar për rregullimin e çështjeve të brendshme të saj, me Serbinë, por si shtet sovran dhe i pavarur, për mbrojtjen e interesave të veta shtetërore e nacionale, dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, ndërmjet të dy vendeve, pesëshja evropiane nuk pritet të ndryshojë qasjen, ndaj statusit të Kosovës”, deklaron analisti Qarri.

PDK synon ndarjen e Kosovës

Sipas Qarrit, ekpsonentët e PDK-së edhe sot po tentojnë ndarjen e shtetit të Kosovës, duke dal kështu edhe kundër qëndrimeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Madje veçanërisht kur shërbëtorët besnik të Aleksandër Vuçiqit dhe bashkëpunëtorët e brendshëm të Serbisë si eksponentët renegat të PDK-së, Ramë Buja, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj etj, të cilët mu në prag të vizitës së Përfaqësuesit të lartë amerikan Gabriel Eskobar dhe ndërmjetësuesit të BE-së në bisedime, Mirosllav Lajçak, dalin edhe kundër qëndrimeve të SHBA-së dhe publikisht, dy të parët kërkojnë ndarjen e Kosovës, kurse ky i fundit edhe krijimin e asociacionit kundër kushtetues një etnik serb, me kompetenca ekzekutive, para një kaosi të tillë politik brenda vet Kosovës, jo vetëm që nuk mund të ndodhë ndryshimi i qëndrimit të pesë vendeve mos njohëse në BE-së, për Kosovën, por ky akt i paprecedent, bëhet shumëproblematik edhe për vet vendet tona mike dhe mbështetëse të Republikës së Kosovës”, shpjegon më tej Qarri.

Ai thotë se Ramë Buja, Vlora Çitaku dhe Enver Hoxhaj po qojnë ujë në mulli të Serbisë.

Prandaj përderisa shteti i brishtë i Kosovës mbetet në luftë të përhershme diplomatike, jo vetëm me Serbinë okupatore, por edhe me bashkëpunëtorët e saj besnik, brenda PDK-së etj, njohjet e reja, është vështirë të sigurohen, me një kaos të tillë të brendshëm politik, pa distancimin e qartë të të gjitha segmenteve që veprojnë në Kosove prej renegatëve e kuislingëve të tillë, si Ramë Buja, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, i cili deklaronte nga Vjena, se nëse në Kosovë fiton UÇK ai do të kërkonte azil në Serbi, etj, të cilët qojnë ujë në mulli të Serbisë, irritojnë vendet mike dhe dezorientojnë gjithë faktorin ndërkombëtar”, nënvizon Qarri.

Dhe për rrjedhojë të gjithë kësaj, vetëm dalja me një zë, e mbarë spektrit politike në vend, para qytetarëve të Kosovës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare, se mbajnë qëndrim të përbashkët e janë të vendosur të gjithë, për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe kufijve të shtetit të Kosovës, në të cilët është vulosur pavarësia nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dhe mbi gjysma e shteteve të OKB-së, e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur e sovran, në këta kufij, mund t’i ndryshojë raportet jo vetëm me Serbinë okupatore, por t’i vejë në lëvizje edhe vendet e BE-së, për njohjen e pavarësisë së shtetit tonë, si dhe të ri startojë procesi i njohjeve të reja për Kosovën”, përfundon për “Bota sot” analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat