“Pavarësia u arrit falë presidentit Ibrahim Rugova”/Deputetja e LDK-së flet për progresin dhe ngecjet e Kosovës

Politika

“Pavarësia u arrit falë presidentit Ibrahim Rugova”/Deputetja e LDK-së flet për progresin dhe ngecjet e Kosovës

Nga: G.B Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 16:43
17 Shkurt 2022, Prishtinë

Sot janë bërë 14 vjet që kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj.

Një shtet i ri e vogël si Kosova, padyshim që ka pasur shumë punë për të bërë, vështirësi e shumë sfida, për ta ndërtuar shtetin si të fuqishëm.

Natyrisht se përgjatë këtyre viteve ka pasur progres por edhe ngecje.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, thotë për gazetën “Bota sot” se për këto vite Kosova ka shumë arritje, ku Pavarësia u arrit falë arkitektit të saj, presidentit Ibrahim Rugova.

“Për 14 vjet ka shumë arritje. Vetë Pavarësia është arritja më e çmuar. Falë arkitektit të saj, Presidentit Historik Ibrahim Rugovës dhe shumë sakrificave të mijëra jetëve tona. Arritje të tjera: mbi 100 njohje, vendimi pozitiv i GJND-së, ndërkombëtarizimi i sportit dhe filmit kosovar, medaljet e arta olimpike etj”, është shprehur ajo.

Gjërat pozitive dhe ngecjet

Deputetja përmend disa nga gjërat pozitive për tërë këto vite.

“Si gjëra pozitive janë: forcimi i lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit, rritja e standardit jetësor si infrastrukturë e re publike, shtëpitë e bukura private, barazia më e madhe e grave kosovare në të drejta e prona, arritjet e mëdha në sport, filma e muzikë...”, vlerëson Bunjaku-Rexhepi.

Ndërsa, flet për ngecjet, ajo padyshim që përmend vizat, dialogun, lobimin e dobët, ikjet e qytetarëve nga Kosova, varfërinë e të tjera.

“Ngecjet: Kosova është izoluar shumë. Pa liberalizim të vizave. I vetmi shtet i izoluar në Evropë. Kemi qeverisje populiste, që flet me ironi dhe nuk kryen punë. Kemi zvarritje në dialog me Serbinë, lobim të dobët në SHBA e te vendet e tjera. Kemi politizim të çdo bordi, ikje masive të qytetarëve të Kosovës drejt BE-së dhe jo ikje të përkohshme, por të përhershme, pas pak muajsh, marrin edhe familjarët e tyre. Kemi izolim diplomatik. Pak vijnë në Kosovë e që çojnë peshë sot në diplomacinë ndërkombëtare. Kemi rritje çmimesh, thellim të varfërisë, shëndetësi të dërmuar dhe pa asnjë progres në arsim dhe ekonomi”, ka deklaruar deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat