Pozitive lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, ku stagnoi Kosova për 14 vjet?

Politika

Pozitive lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, ku stagnoi Kosova për 14 vjet?

Nga: G.B Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 16:57
Qeveria e Kosovës, 17 Shkurt 2022

Krahas gjërave pozitive, Kosovën përvjetori i 14-të i pavarësisë e gjen me shumë gjëra ende të paarritura.

Në shumë fusha ka ende ngecje e shumë punë për tu bërë.

Profesori Muhamet Kelmendi, ka vlerësuar se është një kohë e rëndë nëpër të cilën po kalon Kosova, si në politikë ashtu edhe në ekonomi.

“Kosova ka një trend të njëjtë politiko - ekonomik të zhvillimit! Natyrisht se është një kohë shumë e rëndë që po e kalon Kosova. Problemet janë të mëdha dhe natyrisht se është edhe gjendja shumë e rëndë. Shikuar nga koha që po e lëmë, nga shpallja e Pavarësisë nuk është bërë ndonjë zhvillim i theksuar. Ajo që deklarohet nga kompetentet është vetëm rikthim në gjendjen parapandemike. Këtej kemi edhe përqindje zhvillimore të mirë. Punësimi do të vazhdojë të jetë problemi më i theksuar në Republikë. Nuk priten punësime të veçanta si rezultat i një politike ekonomike zhvillimore. Gjendja e punëtorëve ka mbetur e njëjtë. Nuk ka sigurime sociale, pensionale dhe shëndetësore”, thekson ai për “Bota sot”.

Kelmendi më tej përmend edhe gjendjen në sektorin privat, pagën minimale e gjendjen në arsim.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në sektorin privat mendohet se janë të punësuar 300 mijë veta. Gjendja është e njëjtë. Të ardhurat kanë mbetur në nivel eksploatues. Edhe nëse të ardhurat minimale rriten në 250 euro, përsëri është një rritje jo adekuate me gjendjen dhe kjo nuk e përmirëson situatën sociale në vend. Mbetet si më herët raporti me çmimet. Mbrojtja sociale dhe shëndetësore janë të njëjta. Arsimi ka vazhduar me të njëjtin ritëm, pa ndonjë ndryshim pozitiv në nxënie të mësimit. Madje kemi edhe ngecje në krahasim me vitin 2008”, vlerëson profesori.

Ndërsa, thotë se ka pozitivitet në luftimin e krimit dhe korrupsionit, por që përmend problemet në gjyqësor e prokurori.

“Në fushën e luftimit të krimit dhe të korrupsionit, sikundër edhe të kontrabandës, sigurisht se kemi pozitivitet. Mbetet shumë për të bërë. Gjyqësori ka vazhduar me problemet e njëjta. Kemi zgjatje të procedurave dhe veprime të dëmshme. Kështu e kemi edhe gjendjen në prokurori etj”, thekson Kelmendi.

Ai përmend edhe stagnimin në njohje, rrezikun nga asociacioni dhe jostabilitetin qeverisës.

“Në raportet ndërkombëtare kemi njohje të shtetit tonë. Në kohën e fundit kemi një stagnim. Ka edhe raste të pasivizimit të njohjeve. Dialogu nga çështjet teknike doli në politik. Tash flitet për asociacion dhe natyrisht se janë shtuar rreziqet. Pra, Republika ka anë pozitive dhe ngecje në vend. Si të veçantë duhet theksuar stabilitetin politik dhe qeverisës në vend. Pozitive është edhe lufta kundër pandemisë me koronavirusin. Nuk shoh gjë tjetër”, deklaroi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat