Ish-qeveritarët dhe partitë e inkriminuara e ngritën në shkallë të rrezikshme korrupsionin dhe krimin i organizuar në Kosovë

Politika

Ish-qeveritarët dhe partitë e inkriminuara e ngritën në shkallë të rrezikshme korrupsionin dhe krimin i organizuar në Kosovë

Nga: M.L. Më: 14 mars 2022 Në ora: 21:48
Foto ilustrim

Sot ( e hënë 14 mars) Policia e Kosovës në një aksion të quajtur “Pika” ka arrestuar 50 zyrtarë policor të cilët dyshohet se ishin përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Hetimet, që nisën një vit më parë, ishin kundër 68 personave. Gjatë ditës në pikat kufitare “Qafë Prushë” dhe “Qafë Morinë” janë arrestuar 50 prej tyre, ndërkaq 18 prej tyre ndodhen në arrati.

Këtë aksion të Policisë e ka komentuar për gazetën “Bota sot” analisti Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Qarri vlerëson se arrestimi i sotëm i 50 zyrtarëve policor është ngjarje shqetësuese dhe tregon se në ç`nivel të lartë dhe shkallë të rrezikshme, ka arritur të depërtojë korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë.

Ai ka përmendur disa aksione të ndërmarra nga Policia e Kosovës kundër trafikimit me drogë duke thënë se shteti ynë, jo vetëm që shfrytëzohet si vendi i parë transit për në shtetet evropiane, por kjo po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme edhe për të rinjtë dhe qytetarët e Kosovës.

“Në fakt duke pasur parasysh rastet e futjes së drogës me kamion, që nga kanabisi e deri te kokaina, në Kosovë, FYROM e Mal të Zi të cilat u regjistruan në këto data dhe sasi, si kamioni me 2.6 ton kanabis, nga Shqipëria, që më 7 nëntor 2020 u kap në Mal të Zi, një kamion tjetër me sasi të drogës në vlerë prej mese 200 mijë eurove u kap rreth orës 0.1 të pas mesnate më 10 qershor të vitit 2021 në FYROM, i futur po ashtu nga Shqipëria që për destinacion kishte Greqinë, apo skandali i kamionit me 400 kg kokainë, i cili nga porti i Durrësit u fut pa asnjë problem në pikën tonë kufitare dhe vetëm pas sinjalizimit nga DEA dhe policia italiane, u kap më18 maj të vitit 2021,në Lipjan të Kosovës, të gjitha këto dëshmojnë se shteti ynë, jo vetëm që shfrytëzohet si vendi i parë transit për në shtetet evropiane, por kjo po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme edhe për të rinjtë dhe qytetarët e Kosovës”, ka theksuar Qarri.

Ai ka potencuar se edhe vet Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin e fundit, për vitin e kaluar, e konsideron Shqipërinë si vend burim të kanabisit dhe bazë për trafikantët ndërkombëtarë të drogave, veprimi i të cilëve shtrihet edhe në Kosovë. .

Qeveria shqiptare sipas DASH, de fakto ua ka dorëzuar kontrollin bandave të krimit të organizuar, të cilat përveçse shpërblehen me postet kyçe qeveritare dhe në administratën shtetërore duke ju ofruar paprekshmëri në aktivitetin kriminal, veprimi i tyre, mjerisht shtrihet edhe në Kosovë, ndaj nisur nga kjo, arrestimet e sotme nuk tregojnë gjë të re për situatën e para një viti në vendin tonë, përveç faktit që Kosova u dashtë të priste ndryshimet në Qeveri për të kryer këto arrestime me kaq vonesë.

Sa i takon veprimtarisë kriminale, sipas raportit të DASH, edhe në Kosovë, gjendja nuk ka dalluar shumë nga ajo në Shqipëri, ku qeveritë e kaluara, kishin kopjuar edhe modelin e qeverisjes në Shqipëri, prandaj grupet mafioze dhe ato të krimit të organizuar të lidhura me politikën dhe nëntokën kriminale kanë vepruar, pothuajse lirshëm në të dy anët e kufirit”, ka potencuar ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, policia dhe institucionet e sundimit të ligjit, duhet të ishin shumë më të vëmendshme në mënyrë që ti asgjësonin me kohë, lidhjet e grupeve të inkriminuara.

“Kështu që duke pasur të gjitha këto parasysh Qeveria e Kosovës, policia dhe institucionet e sundimit të ligjit, duhet të ishin shumë më agjile në mënyrë që ti asgjësonin me kohë, lidhjet e grupeve të inkriminuara, si dhe ta shkatërronin trashëgimin kriminale dhe ndikimin e krimit të organizuar në politikë dhe biznese të dyshimta, nga baza lokale në Shqipëri, me degët e shtrira edhe në Kosovë, që i kanë gjetur pas ardhjes në pushtet”, ka nënvizuar ai.

Sipas Qarrit, bazuar vetëm nga reagimet dhe raportet e përvitshme të DASH për masën e lartë të krimit të organizuar në Shqipëri dhe Kosovë, kjo do duhej ta kishte alarmuar me kohë Qeverinë e Kosovës për t`i shpallë luftë serioze krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.

“Këto fatkeqësisht gjenezën e krijimit e kanë kopje, të huazuar nga Shqipëria dhe shkolla mafioze e krimit të organizuar të Edvin Kristaq Ramës dhe megjithëse vitet kalojnë, vlerësimi i Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, është se Shqipëria mbetet vend prodhues kurse Kosova vendi parë transit i drogës dhe lëndëve narkotike, të cilat për më tepër se 22 e vite, konsiderohen si dy vendet më të korruptuar në Evropë, nëse jo edhe më gjerë”, është shprehur ai.

Qarri vlerëson se arrestimi i sotëm i 50 zyrtarëve policor është ngjarje shqetësuese dhe tregon se në ç`nivel të lartë dhe shkallë të rrezikshme, ka arritur të depërtojë korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë.

“Prandaj vet arrestimi i mese 50 zyrtarëve policor dhe doganierëve të korruptuar, vetëm në dy pika kufitare dhe brenda vetëm pak orëve të paradites së 14 marsit, përveçse është ngjarje shumë shqetësuese për gjithë vendin, mjerisht ajo tregon edhe se deri në ç`nivel të lartë dhe shkallë të rrezikshme, ka arritur të depërtojë korrupsioni dhe krimi i organizuar, brenda vet organeve të rendit dhe mbrojtjes së ligjit në Republikën e Kosovës, akt i cili dëshmon më së miri se ç`luftë e madhe dhe përpjekje e jashtëzakonshme duhet dhe është e nevojshme medoemos të zhvillohet kundër sistemit korruptiv e kriminal të instaluar në polici dhe doganat e Republikës së Kosovës, nga ish qeveritarët dhe partitë e inkriminuara”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat