Duhanaj: Këto interesa i ndjekë Putnini

Politika

Duhanaj: Këto interesa i ndjekë Putnini

Nga: A.M. Më: 18 mars 2022 Në ora: 15:55
Leon Duhanaj

Rusia po e vazhdon pushimin e Ukrainës.  Ndërkaq, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin po vazhdon me politiken e tij për t`i arsyetuar veprimet.

Po ashtu, ai nuk ka lënë pa e përmendur rastin e Kosovës, duke e krahasuar me vendet ukrainase që u ka aneksuar Rusia.

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se çfarë interesa po ndjek Putini duke e përmendur Kosovën.

“Kur flasim për krizën, përkatësisht luftën, agresionin ushtarak rus mbi Ukrainën dhe krahasimin që Putini vazhdimisht i bën me Kosovën dhe me regjionet e aneksuara, duhet patur parasysh se Putini i ndjekë interesat ekspansioniste duke u munduar ta marrë si precedent rastin e Kosovës, në mënyrë që ta përdor karshi komunitetit ndërkombëtar”, vlerëson ai.

Sipas Duhanajt, Putini kishte për synim ta përhapte konfliktin edhe në Ballkan.

“Për mendimin tim, Rusia me përgatitjen për këtë luftë kishte plane shumë më të mëdha se sa që duken tani në horizont, por që fatmirësisht i dështuan.

Pra, plani sipas analizave del të ketë qenë pushtimi i shpejt i Ukrainës dhe shtrirja më pastaj e konfliktit edhe në pjesën tjetër të Europës, përfshirë këtu edhe Ballkanin, në të cilin në një rast të volitshëm do të depërtonte përmes territorit rumun. Një zhvillim i tillë do ta kthente Ballkanin, Europën dhe botën në luftë”, thotë ai.

Por, Duhanaj shprehet se planet e Putinit kanë dështuar.

“Fatmirësisht këto plane i dështuan. Rusia tanimë po e humbë luftën konvencionale ndaj Ukrainës. Do të bëjë përpjekje ta nxjerrë disi fytyrën nga kjo katrahurë që e ka shkaktuar, por gjithnjë nën kërcënimin e një lufte bërthamore si mjet presioni ndaj botës perëndimore”, thekson ai.

Po ashtu, ai ka treguar se për çfarë qëllimesh  mund të shfrytëzohet kjo situatë e krijuar.

“Arsyeja pse e merr Kosovën si rast krahasues dhe shqiptarët si vullnetar, fletë shumë për qëllimin minimal të tij, e që mendoj që është aneksimi i plotë i "republikave" tashmë të njohura të rajonit të Donbasit duke e shfrytëzuar rastin e Kosovës si precedent.

Po mendoj që kjo çështje as nuk mund të krahasohet, e as të pranohet, megjithatë mendoj që për Kosovën nuk do të ketë ndonjë ndikim të veçantë, pasi që për ne edhe ashtu mendimi dhe vendimet ruse nuk janë të favorshme.

Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë klimë antiruse që të lëvizim përpara në përafrimin gjegjësisht, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kosova e ka një shans të mirë të aplikoj për anëtarësim në Këshillin e Europës, prandaj kishte me qenë mirë ta shfrytëzojë këtë”, deklaron ai.

Në fund, ai ka shtuar se Kosova nuk duhet që t`i orientojë politikat varësisht nga qëndrimet e shteteve të ndryshme.

“Ne duhet të fokusohemi duke qenë  proaktiv në projektet tona e jo të t'i orientojmë politikat varësisht nga qëndrimet e shteteve të ndryshme, e aq me pak shteteve të cilësuara jo mike siç është Rusia”, thekson Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat