‘Skema piramidale’ e veteranëve të rrejshëm – Hetimi që tërbon Ramushin!

Politika

‘Skema piramidale’ e veteranëve të rrejshëm – Hetimi që tërbon Ramushin!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 prill 2022 Në ora: 08:06
Ramush Haradinaj

A mund dhe a duhet të mbyllet çështja e listave të veteranëve, ku 60 mijë veta morën statusin e respektuar të luftëtarëve apo të pjesëmarrësve në luftën e Kosovës në vitin 1998-1999, dhe disa vite më parë?!

Një proces shumë i përfolur për shkak tëlëshimeve të mëdha, mashtrimeve edhe më të mëdha, dhe mbase miliona eurove, që janë zhvatur nga të mashtruarit. Mashtruesit vazhduan të pasurohen, por hetimet e përfunduara në mënyrë të shtrembëruar, nuk i nxorën rezultatet e pritura.

Opinioni ishte i shokuar kur kuptoi në vitin 2016 se numri i luftëtarëve doli të ishte mbase edhe katërfish apo së paku trefish më shumë se sa pritej me lëshime minimale.

Vetë organizatat e luftës, organizatat ndërkombëtare si IOM-i, pastaj TMK-ja dhe institucione tjera që kishin mbledhur shënime nuk jepnin më shumë se rreth 16 mijë veteranë të luftës.

Por, Komisioni qeveritar pjesërisht me faj të tij, u ndodhë para një ‘skeme piramidale’ të ndërtuar nga përfituesit e luftës dhe pasluftës.

Rritja e numrit ishte përtej çdo imagjinate, dhe përdorën çdo ide imagjinare për ta arsyetuar mashtrimin, ndoshta të fundit të madh, të atyre që e zhvatën Kosovën, me mashtrime dhe gënjeshtra gjatë gjithë pasluftës.

Një prokuror si Elez Blakaj, u detyrua të jepte dorëheqje pasi të njëjti mashtrues iu kërcënuan me jetë. Prokurori special dha dorëheqje dhe u largua në Amerikë. Ata që e imponuan këtë situatë, e imponuan edhe një hetim të ri, sipas vullnetit të tyre, dhe për ta komprometuar hetimin e prokurorit Blakaj, që nxori një shifër prej rreth 19 mijë veteranësh të rrejshëm, ia shtuan edhe dymijë veta, që kishin qenë veteranë të dëshmuar.

Në këtëprizmë e zhvilluan gjithë procesin dhe u mbyllën hetimet për mashtrimin e madh, që vetëm deri në ngritjen e aktakuzës me 2019 ishin zhvatur nga buxheti i shtetit gati 70 milionë euro.

Ramush Haradinaj, as sot nuk është i gatshëm, që të rihetohet kjo çështje, e cila mund t’i përplasë prapa grilave disa komandantë dhe bashkëfajtorë të tjerë.

Së fundi, ishte kryeministri Albin Kurti, i cili tha se nuk mund të jenë 60 mijë veteranë sa kanë thënë qeveritë paraprake dhe për këtë duhet të diskutohet edhe njëherë. 

Por, që një reagim të menjëhershëm e kishte bërë edhe kryetari i AAK-së, RamushHaradinaj, i cili kishte deklaruar se ajo çfarë do të bëjë kryeministri i vendit në këtë kohë është fyese.

“Është fyese kjo çfarë po synon Kurtin me çështjen e luftërave të lirisë. Nuk është koha që tash Kurti të merret me çështjen e veteranëve”, ka deklaruar Haradinaj.

Image
Skender Kapiti

Analisti Skënder Kapiti në një përgjigje për “Bota sot” thotë se një hetim do të ishte vlerësimi më i mirë që duhet të bëhet se vetëm kështu pastrohet lufta e UÇK-së.

“Hetimi, verifikimi apo vetting-u për listat e veteranëve të luftës në fakt është vlerësimi më i mirë që i bëhet luftës, sepse kështu pastrohet lufta prej veteranëve të rrejshëm, kështu edhe lartësohet vepra dhe vlera e jashtëzakonshme e UÇK-së. Janë të papranueshme falsifikimet dhe manipulimet që janë bërë me listat, duke futur në to individët, të cilët nuk kanë merita e as kontribute për të marrë statusin e veteranit. Fyese është ajo që krahas veteranëve të vërtetë t’u jepet statusi edhe veteranëve të rrejshëm”, vlerëson ai.

Sipas tij, janë të papranueshëm dhe të dënueshëm, ata të cilët mbushën listat e veteranëve me ata të cilët nuk meritojnë që të jenë veteranë.

“Të papranueshme dhe të dënueshme jo vetëm ligjërisht por edhe moralisht janë veprimtaria e atyre të cilët i mbushën listat e veteranëve me ata të cilët nuk meritojnë që të jenë veteranë. Për një shoqëri dhe shtet moral e ligjor është e papranueshme dhe e dënueshme që të marrin merita dhe që të shpërblehen me paratë e shtetit dhe të taksapaguesve ata të cilët nuk e meritojnë. Nuk është i moralshëm përfitimi politik, monetar dhe manipulimi e spekulimi me vlerat e luftës”, përfundon ai.

Krasniqi: Nëse do të fillonte një rihetim për këtë proces mund të eskaloj situata

Image
Islam Krasniqi

Juristi Islam Krasniqi thotë se nëse nis një hetim mund të eskaloj situata edhe proceset e qeverisë mund të vështirësohen.

“Kryeministri nuk duhet të merret me këtë punë tani, sepse kemi shumë çështje tjera më të rëndësishme, të cilat i preokupojnë qytetarët tanë. Nëse do të fillonte një rihetim për këtë proces mund të eskaloj situata, e që do të vështirësonte çdo proces të qeverisë. Nëse qeveria nuk dëshiron t’ua rritë pensionet apo nëse qeveria nuk dëshiron t’u japë 60 mijë veteranëve pensione le t’i punësojë edhe pse rreth 80% nuk gëzojnë pension sepse janë të punësuar, e që me ligj nuk ju takon”, thotë ai.

Tutje deklaron, se qeveria duhet të ndryshojë ligjin për invalid, që t’ua ndalojë pensionin atyre që kanë paga të larta.  

“Qeveria duhet ta ndryshojë ligjin për invalid, e që t’ua ndalojë pensionin atyre që kanë apo gëzojnë paga të larta, saktësisht zyrtarëve të shtetit, ministrave deputetëve apo edhe drejtorëve, e jo të merret me një pension, i cili nuk mund t’i mbuloj shpenzimet mjekësore për një anëtarë të familjes”, nënvizon ai. 

Në fund, shton se nëse qeverisa s’ka mjete atëherë duhet t’i ndalojë benefitet e zyrtarëve, sepse pensioni që e marrin është ofendim për veteranët, duke e ditur se nuk është faji i tyre për rritjen e këtij numri.

“Kosova nuk do të përfitonte asgjë, por do të ngjasonim me politikën në Shqipëri duke u munduar të shfrytëzojmë dhe të përfitojmë në fatkeqësi të tjetrit. Nëse qeveria s’ka mjete për veteranët e rrejshëm siç po e quajnë ata, le t’i ndalin mëditjet, benificionet e qeverisë, mëditjet e Kuvendit dhe ato mjete të shkojnë për veteranët, sepse ky pension është ofendim për veteranët, duke e ditur se nuk është faji i tyre për rritjen e këtij numri”, vlerëson Krasniqi.

Kujtojmë, se për këtë çështje kishte të akuzuar e që vitin e kaluar janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Të akuzuarit ishin: ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, më pas Faik Fazliu, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat