Mesazhi i senatorëve, “kriminelët terroristë” të Beogradit: ose me Perëndimin ose me Rusinë!

Politika

Mesazhi i senatorëve, “kriminelët terroristë” të Beogradit: ose me Perëndimin ose me Rusinë!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 21 prill 2022 Në ora: 22:56
Tre senatorë të Shteteve të Bashkuara ta Amerikës, Jeanne Shaheen, Thom Tillis dhe Chris Murphy u takuan me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq

Tre senatorë të Shteteve të Bashkuara ta Amerikës, Jeanne Shaheen, Thom Tillis dhe Chris Murphy po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Ballkanin perëndimor.

Ata sot ishin edhe në Kosovë, ku u takuan me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ata më 19 prill vizituan edhe Serbinë, ku u takuan me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Gjatë takimit në Beograd, senatori Murphy kërkoi nga Serbia ta ndërrojë qasjen ndaj Rusisë.

Po ashtu, senatori Murphy deklaroi se shpreson se Serbia, së bashku me vendet e tjera demokratike do të bashkohen për të ndaluar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

“Uashingtoni i kupton marrëdhëniet historike midis Serbisë dhe Rusisë, por shpreson se Serbia, së bashku me vendet e tjera demokratike, do të marrin pjesë në partneritet për të ndaluar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia”, tha Murphy.

Por, pavarësisht këtyre mesazheve të qarta amerikane kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, vazhdon ta mbështesë Serbinë, dhe madje të propagandojë e mashtrojë se ajo është në vijën e duhur dhe në anën e Perëndimit, ndërsa vetë ky i ka vënë kusht të pozicionohet qartë kundër pushtimit rus dhe të jetë në sanksione bashkë me BE-në.

Ai këtë e ka bërë në vazhdimësi, e së fundi në një intervistë të botar dje dhënë gazetës gjermane “Die Welt”, ku thotë: “Serbia nuk po shkon drejt Rusisë. Përkundrazi, në mënyrë të çuditshme, ajo mori anën e Perëndimit duke dënuar agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”, është shprehur Rama.

Kelmendi: Ballkani Perëndimor po rrezikohet nga Serbia

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, duke komentuar deklaratën e senatorit Murphy, ka thënë se është një porosi e qartë për shtetin serb.

“Gjatë vizitës se senatoreve amerikan në Beograd, në takim me terroristin Vuçiq, senatorët e qartësuan Serbinë se një rrugë është, ajo e bashkëngjitjes së sanksioneve të BE-së, të SHBA-ve, përkatësisht të botës liberale e demokratike kundër Rusisë.

Senatori Chris Murphy tha: “SHBA-të e kuptojnë lidhjen që ka Serbia me Rusinë, por se ka ardhur koha kur duhet ndërruar qëndrimin ndaj Rusisë, duke iu bashkuar shteteve demokratike".

Kjo ishte një porosi e qartë për shtetin serb”, thotë Kelmendi.

Po ashtu, ai ka shtuar se pas kësaj deklarate u vërtetuan qëndrimet e Kosovës lidhur me Serbinë.

“Mbi këtë kriminelëve terroristë të Beogradit iu mbetet të zgjedhin rrugën e ardhme: ose me Perëndimin ose me Rusinë dhe shtetet autoritare si Kina.

Në fakt, me këtë u vërtetuan qëndrimet e Kosovës lidhur me Serbinë”, vlerëson ai.

Më tej, profesori thotë se me këtë qëndrim të SHBA-ve është goditur "Ballkani i Hapur".

“Kuptohet se me këtë qëndrim “Ballkani i hapur” ka marr goditje, sepse doli qartë se është mekanizëm i dëmshëm për paqen. Prapa saj po fshihet terrorizmi nacional-fashist serb në Beograd”, thekson ai.

Sa i përket qëndrimeve të kryeministrit Rama, Kelmendi është shprehur se Kuvendi duhet të kërkojë shkarkimin e tij.

“Dhe, nëse z.Rama e vazhdon rrugën e "Ballkanit të Hapur", pavarësisht rreziqeve permanente që vijnë nga terroristet e Beogradit ndaj shqiptareve dhe botes demokratike, i takon Kuvendit të Shqipërisë të merret me Edin dhe të kërkojë shkarkimin nga Kryeministri”, thotë Kelmendi.

Sipas tij është e çuditshme se pse Rama nuk paditet në Gjykatën Kushtetuese për politiken e jashtme që e bën.

“Është çudi pse nuk paditet Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese për politiken e jashtme që po e bën. Epiqendra e shkeljes se Kushtetutës se Republikës është pikërisht "Ballkani i Hapur".

Lidhur me politikën e Ramës, profesori e përmend edhe deklaratën e kancelarit gjerman.

“Çështja tash nuk është se nuk dihen të këqijat e këtij mekanizmi. Këtë e theksuan mirë në Berlin. Vetë Kancelari bëri thirrje para z.Rama që të punohet në bazë të "Procesit të Berlinit". Këtu del qëndrimi i qartë kundër ‘Ballkanit të Hapur”’, deklaron Kelmendi.

Mehmeti: Servilizmi i Ramës karshi Vuçiqit

Image
Faton Mehmeti

Ndërkaq, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se i është tërhequr vërejta Ramës për servilizmin e tij karshi Vuçiqit.

“Jo vetëm senatorët, por të gjithë me përjashtim të Serbisë, Rusisë dhe ca oligarkëve të tij, të gjithë ia kanë tërhequr vërejtën Edi Ramës për servilizmin e tij karshi Vuçiqit. Megjithatë, Rama s`ka ndryshuar qëndrim duket se ka ranë në dashuri me Vuçiqin, e cila e ka verbuar nga arsyeja”, thotë ai.

Më tej, Mehmeti e ka quajtur turp, siç thotë rreshtimin e Ramës karshi Serbisë dhe Vuçiqit.

“Është turp që një kryeministër shqiptar të rreshtohet karshi Serbisë dhe Vuçiqit, duke e pasur botën kundër. Shqipëria më shumë se kushdo tjetër duhet të bënte presion mbi botën për anëtarësim të Kosovës në NATO, heqje të vizave dhe njohjen e saj tek ato që nuk e kanë njohur”, thotë ai.

Në fund, Mehmeti e ka akuzuar Ramën se po punon kundër Kosovës dhe se thirrjen e senatorit të SHBA-ve kryeministri shqiptar duhet ta dëgjojë.

“Me veprimet e tija Rama po punon kundër Kosovës. Thirrja e senatorit amerikan duhet dëgjuar edhe nga Rama, i cili duke ndërruar qëndrimin ndaj Serbisë, ashtu si Serbia ndaj Rusisë, është hapi parë në favor të shqiptarëve dhe të ardhmes më të mirë të rajonit tonë”, përfundon Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat